Përkujtohet sot, 454-vjetori i vdekjes së Mikelanxhelo Buonarrotit, skulptor, piktor,
arkitekt e poet italian, që lindi në Kapreze, më 6 mars 1475 dhe ndërroi jetë në Romë,
më 18 shkurt 1564. E kujtojmë si protagonist të padiskutueshëm i Rilindjes Italiane
e krijues të famshëm në të gjithë botën për kryeveprat në skulpturë, si Davidi e Moisiu;
në arkitekturë, si Kapitoli i Romës me sheshin e tij të famshëm, në mesin e të cilit
ngrihet statuja e Mark Aurelit, e në pikturë, si Gjyqi i Mbramë, që zbukuron Kapelën
Sikstine. E e kujtojmë sidomos, me fjalët e Papës Pali VI, i cili vë në dukje jo
vetëm aftësitë, por edhe forcën shpirtërore, që e ndihmoi të bënte kryevepra, si Kapela
Sikstine, katekizëm i vërtetë për çdo vizitor. “Na pëlqen ta imagjinojmë artistin
– thoshte Papa në homelinë e meshës për 500-vjetorin e lindjes së Mikelanxhelos -
duke u sjellë në hapësirat solemne arkitektonike, të cilat e panë për vite të gjata,
në periudha të ndryshme të jetës e në momente të ndryshme të veprimtarisë artistike,
mbi skelat e punës, në shoqëri me poemën e tij të jashtëzakonshme në pikturë, për
të cilën, ashtu si për poemën e Dantes, bashkëpunuan qielli e toka. Kush i sheh ato
sekuenca pikture, pyet veten ç’marrëdhënie mund të ketë me ne ai popull figurash energjike:
ne vijmë pas disa shekujsh e si shoqëria, ashtu edhe bota e krishterë, kanë probleme
shumë më të ndryshme se atëherë. E megjithatë, Sikstina na jep, si të thuash, një
raport mbi luftën e fitoren, në një botë në zhvillim, ku bijtë e dritës, për hir të
karakterit sakramentor të tyrin, luftojnë me guxim e pa u lodhur për triumfin e së
vërtetës”. Sepse mbi botën vijon e do të vijojë të mbizotërojë sovrane, figura
e Zotit, e një Hyji të drejtë e të mëshirshëm, që njerëzimit të prishur, i ofron ndihmën
e shëlbimit për një jetë të re.
Mikelanxhelo është protagonisti, demiurgu i këtij predikimi të madh fetar, që ne,
jo më pak se njerëzve të kohës së tij, na duket i mrekullueshëm për guximin e konceptimit
ikonografik e për fuqinë shprehëse. Nuk ka fjalë njerëzore, që mund të zgjojë kaq
emocione, që të bën të reflektosh e të meditosh kaq thellë, sa paraqitja e atyre të
vërtetave nga Buonarroti. Kapela Sikstine, me Gjykimin e Mbramë (apo Gjyqin Universal),
bëhet kështu, gati një libër i hapur për njerëz të mësuar e për mendje të pakultivuara,
për besimtarë e jo besimtarë, si edhe një thirrje e frytshme për popullin e Zotit
që të vazhdojë të jetojë siguritë e Ungjillit, për të mos rënë si ‘foshnja, përplasur
nga tallazet e doktrinave, që me dredhi i hapin udhën gabimit’(Ef 4,14-15)
”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |