2018-02-16 13:28:00

Papa në Shën Martë: të agjërohet me koherencë, për t’i ndihmuar të tjerët


Të agjërohet me koherencë, jo sa për t’u dukur, duke i përbuzur të tjerët ose në mes shamatës e poteres. Gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku kërkoi agjërim koherent, duke i nxitur besimtarët ta pyesin veten si sillen me të tjerët. E ishte pikërisht Leximi i Parë, shkëputur nga Libri i Isaisë Profet (Is 58,1-9) që vinte në dukje si është agjërimi, që i pëlqen Zotit: “Agjërimi, që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat, t`i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë?”. Kështu thotë Zoti!

Mos i truko virtytet

Ngjinesa është një nga detyrat e Kreshmëve - kujtoi Françesku - e nëse nuk mund të agjërosh plotësisht, me një agjërim që të bën ta ndjesh urinë deri ndër kocka, bëj një agjërim të përvuajtur, por të vërtetë. E është përsëri Isaia, që vë në dukje një mori inkoherencash në praktikën e virtytit. Të mendosh vetëm për punët tuaja - për shembull - për të fituar sa më shumë para e t’i shfrytëzosh punëtorët, duke e falënderuar Zotin se të dha mundësi të agjërosh. Ndërkaq të varfërit - nënvizoi Françesku - agjërojnë sepse nuk kanë ç’të hanë, e ti arrin deri atje, sa t’i përbuzësh. Ndërsa duhet të bësh pendesë në paqe. Nuk është e mundur - qortoi Papa - të flasësh me Zotin nga njëra anë - e nga tjetra, me shejtanin, sepse kjo  nuk shkon.

“Mos agjëroni më, siç bëtë sot, kështu potera juaj do të dëgjohet deri atje lart”. Domethënë, do të dëgjoheni ju, që bërtisni: ne po agjërojmë, ne jemi katolikë, praktikojmë; unë i përkas kësaj shoqërie, ne agjërojmë gjithnjë, ne bëjmë pendesë! Pa pyeteni veten: agjëroni me koherencë, apo bëni pendesë për shihni botë, me potere, që t’ju  bëjnë sehir të gjithë e të thonë: “Pa shih, pa shih ç’ burrë i drejtë qenka, ç’grua sojnike”. Ky është truk. Mos e trukoni virtytin!

Buzëqeshja e zinxhirët e ligësisë

E nëse duhet të trukohesh, bëje këtë seriozisht, me buzëqeshje, për të mos u dukur fare se po bën pendesë. Agjëro, për të ndihmuar të tjerët, por gjithnjë me buzë në gaz - nxiti Papa. - Agjërim do të thotë edhe të përulesh, e kjo bëhet duke menduar për mëkatet tuaja e duke i lypur të falur Zotit: “Po sikur mëkati, që kam bërë, të dilte për fushë, të botohej ndër gazeta… ç’turp i tmerrshëm do të ishte! Ja, pra, turpëroju!” – të kujton Françesku, duke të ftuar edhe t’i këputësh zixhirët e ligësisë.

Unë mendoj - shtoi Ati i Shenjtë - për gjithë ato shërbëtore, që e fitojnë bukën me djersën e ballit: të përbuzura, të poshtëruara… Nuk kam mundur kurrë ta harroj një herë, në fëmijëri, kur pata shkuar tek një miku im. E pashë t’ëmën duke i dhënë një shuplakë shërbëtores. 81 vjeçe… Nuk do ta harroj kurrë atë dackë… Po jo, o Atë, unë nuk shplakoj askurrë e askënd! Po si i trajton të tjerët? Si njerëz, apo si skllevër? A ua paguan hakun? Ua jep pushimet? Është njeri, apo kafshë, kush të ndihmon në shtëpinë tënde? Mendojeni këtë! Në shtëpitë tona, në institucionet tona ka edhe të këtilla sjellje! Ka edhe njerëz, që s’kanë turp ta poshtërojnë tjetrin!

Agjërim koherent: si i trajtoj të tjerët?

Papa solli edhe një shembull tjetër, të jetuar. Duke folur me një zotëri shumë të kulturuar, që i shfrytëzonte shërbëtoret, i la të kuptojë se po bënte mëkat mortar, mbasi edhe ato janë si ne, shëmbëllim i Zotit, ndërsa ai zotëria i mënçur, i shikonte si njerëz të ulët. Agjërimi, që dëshiron Zoti - siç kujtohet në Leximin e Parë - a nuk shihet vallë edhe në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në strehimin e të varfërit pa strehë, në veshjen e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore as ata që janë nga gjaku yt? Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi, drejtësia jote do të jetë pararoja jote e lavdia e Zotit, praparoja.

E sot - kujtoi Françesku – diskutohet nëse i strehojmë apo jo, ata, që vijnë të kërkojnë strehë. E, në përfundim, i nxiti të gjithë që gjatë Kreshmëve të bëjnë pendesë, ta ndjejnë fort urinë e të luten më shumë e edhe ta pyesin veten si sillen me të tjerët:

“A agjëroj për t’i ndihmuar të tjerët? Jetoj në mënyrë koherente, apo bëj jetë të dyfishtë? A shtihem si i krishterë…si farizenjtë, e saduçenjtë, ndërsa në shpirt nuk jam aspak? Kërkoje përvujtërisht hirin e koherencës. Koherenca! Nëse nuk mund ta bëj një gjë, duhet ta lë pa bërë. Por të mos shtihem se po e bëj. Të bëj çka mund të bëj, por me koherencë të krishterë. Zoti na e dhashtë këtë hir!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.