2018-02-14 12:24:00

Papa: të dëgjosh në Meshë Fjalën e Zotit të shpjeguar mirë, është një e drejtë


Secili nga ne, kur shkon në Meshë, ka të drejtë ta marrë me begati fjalën e Zotit: të thënë mirë e, pastaj, të shpjeguar në homeli. Është një e drejtë. Nëse fjala e Zotit nuk lexohet mirë, nuk predikohet me afsh nga diakoni ose ipeshkvi, besimtarëve u mungon një e drejtë. Ne kemi të drejtë ta dëgjojmë Fjalën e Zotit! Kështu u shpreh gjatë audiencës së përgjithshme, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Françesku, për të vijuar, më pas, ciklin e katekizmit mbi Meshën,  të cilin sot ia kushtoi Besojmës dhe Lutjes universale.

Dëgjimi i Leximeve biblike, e pas tyre, i homelisë - kujtoi në fillim të katekizmit - i përgjigjet së drejtës shpirtërore të popullit të Zotit për ta marrë me begati thesarin e Fjalës së Hyjit. Zoti flet për të gjithë - kujtoi Papa - Për barinjtë e besimtarët. Ai u troket në zemër atyre, që marrin pjesë në Meshë, secilit sipas kushteve të jetës, moshës, gjendjes. Ngushëllon, ngjall filiza jete të re, pajton!

Prandaj - vijoi të shpjegojë Françesku - koha e heshtjes, pas homelisë, krijon mundësinë për ta mbjellë në shpirt  farën e hedhur.

Pas kësaj heshtjeje, përgjigja personale e fesë shprehet me Besojmën e Kishës. I thënë nga e gjithë bashkësia, Simboli manifeston përgjigjen e përbashkët për atë, që u dëgjua nga Fjala e Zotit. Ekziston një lidhje jetike ndërmjet dëgjimit e fesë. Nuk lind nga fantazia e mendjeve njerëzore por, siç na e kujton Shën Pali, “vjen nga dëgjimi e me dëgjimin, për të na prirë drejt Sakramentit”. Kështu “Besojma” e nxit asamblenë liturgjike të meditojë e t’i shpallë misteret e mëdha të fesë, para kremtimit të tyre në Eukaristi (Rendi i Përgjithshëm i Mesharit Romak, 67).

Simboli e lidh Eukaristinë me Pagëzimin e marrë “në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt” e na kujton se sakramentet mund të kuptohen vetëm në dritën e fesë së Kishës. Këtë theksoi Papa në katekizmin e audiencës, për të shpjeguar edhe se sakramentet janë simbole feje, që e kujtojnë  dhe e ngjallin fenë. Lidhur me këtë, Papa u ndalua edhe tek Simboli i Pagëzimit të  Kishës së Romës, që njihet si “i Apostujve”, formulë, që mund të përdoret në Meshë, posaçërisht në Kohën e Kreshmëve e atë të Pashkëve, në vend të simbolit niçeno-kostandinopolitan. Pikërisht në fenë e marrë nga Apostujt shartohet feja e çdo të pagëzuari, bashkimi i të cilit me Krishtin përditësohet nga kremtimi i Eukaristisë.

Përgjjgja që i jepet Fjalës së Zotit, dëgjuar me fe, shprehet, pastaj në lutjen e përbashkët a Universale, sepse përmbledh nevojat e Kishës e të botës, Quhet edhe Lutja e besimtarëve. Në të vërtetë - vijoi të shpjegojë Papa - në shekujt e parë, pas homelisë, katekumenët përshëndeteshin e dilnin nga Kisha, ndërsa besimtarët, domethënë të pagëzuarit, i luteshin njëzëri Zotit.

Etërit e Koncilit II të Vatikanit - vijoi të sqaronte Françesku gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme - deshën ta rikthenin këtë lutje pas Ungjillit e homelisë, posaçërisht në të dielat dhe festat që, me pjesëmarrjen e popullit, të bëhet lutje për Kishën Shenjte; për ata, që na drejtojnë, për kë kalon çaste të vështira, për gjithë njerëzit e për shpëtimin e mbarë botës. Për më tepër - sqaroi në vijim Françesku - nën udhëheqjen e meshtarit, që paraprin e përmbyll, populli, duke ushtruar meshtarinë e tij të buruar nga gurra e pagëzimit, i ofron Zotit lutje për shëlbimin e të gjithëve. Pas ndjeteve të veçanta, të propozuara nga diakoni ose nga lexuesi, asambleja  përgjigjet njëzëri me shprehjen: “Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë!”. Ose me ndonjë lutje tjetër të ngjashme. Këto, fjalët, që besimtarët ia lartojnë Zotit, plot besim se lutjet e tyre po dëgjohen, për të mirën e të gjithëve, sipas vullnetit të Zotit.

Kujtojmë çka na tha Zoti Jezus: “Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t`ju jepet” (Gjn 15,7). Ndërsa kërkesat sipas logjikës njerëzore nuk ngjiten drejt qiellit, ashtu si mbeten të padëgjuara edhe kërkesat e njerëzve përplot me vetveten.  Ndjetet, për të cilat ftohet të lutet populli, duhet të lidhen me nevojat konkrete të bashkësisë kishtare dhe të botës, duke shmangur formulat e rëndomta e dritëshkurtëra. Lutja “universale”, me të cilën përfundon liturgjia e Fjalës, na nxit të shikojmë me sytë e Zotit, që kujdeset për gjithë bijtë e vet”.

Para se të shkonte në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme, Papa përshëndeti të sëmurët e pranishëm në Sallën e Palit VI, me këto fjalë, thënë lirisht:

“Ju falënderoj për vizitën e ju jap bekimin të gjithëve. Unë po shkoj në Shesh e ju mund ta ndiqni audiencën në shesh. Ju do të shikoni sheshin, e sheshi ju. E kjo është e bukur! Të themi së bashku një FalemiMari”.

Kjo, përshndetja e Papës, që përfundoi me Bekimin e  të sëmurëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.