2018-02-12 13:15:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 21


Në emisionin e njëzetenjëtë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra: “Skënderbeu dhe Papa Piu II”.

Në verën e vitit 1458, një vit pas fitores së Albulenës (7 shtator 1457), ngjarjet e mëtejme rënduan pa masë mbi situatën shqiptare.

Në gusht vdiq në Napoli Mbreti Alfons i Aragonës, bamirës e mik i përzemërt i Kastriotit. E me që edhe situata e Napolit ishte mjaft e turbullt, për shkak të pengesave të ndeshura nga Don Ferrante, domethënë  mbreti i ardhshëm, Ferdinandi, në përpjekjet për t’u ulur në fronin e të atit, Kastrioti nuk mund të shpresonte ndihma prej atij krahu.

Ndërkaq në kufijtë e Shqipërisë përgjonin, në pritje misterioze, dy ushtri turke, vendi ishte në zi për vdekjen e Vrana Kontit, krahu i djathtë i  Gjergjit, kapedani më besnik e më guximtar, në Romë salikohej Papa Kalisti III e programi i papnisë së Piut II, nuk  njihej akoma.

Gjithë ky vargan mortesh e misteresh peshonin rëndë mbi Skënderbeun, që nuk gjente paqe. E çka e trazonte më shumë, ishte politika e Venedikut.

Si prijës ushtrie e burrë shteti, Kastrioti e dinte mirëfilli se Venediku ishte edhe më keq se Shqipëria. Logjikisht, Republika e Shën Markut duhej të formonte një front të përbashkët me Mbretin e shqiptarëve, mbasi turqit  sigurisht do të vërsuleshin kundër saj ditën që të kishin shtënë në dorë Krujën. Prej këndej, nuk arrinte ta kuptonte këtë politikë të paqartë përballë situatës ballkanike, që keqësohej nga dita në ditë.   

Pavarësisht nga gjithë këto telashe e duke shpresuar se venecianët do ta rishikonin qëndrimin e tyre, Kastrioti vendosi ta pranonte aleancën me Venedikun, duke krijuar përshtypjen se kishte bërë paqe edhe me sulltanin.  Kishte vetëm një pengesë: faktet e Danjës;  por edhe njeriun, që do ta ndihmonte për ta kapërcyer, Papën e ri. Me këtë rast Gjergji mundi të njohë nga afër edhe  ndjetet e temperamentin e Piut II, i cili, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Venedikut e Skënderbeut, u bëri thirrje gjithë të krishterëve të rroknin Kryqin e të niseshin kundër turqve.  

Në vitin 1457 Dukagjinët, të ngucur nga Venediku, të cilit i pëlqente shumë të mbillte ngatërresa në Shqipërinë, fqinje me zotërimet e tij, pushtuan Danjën e Skënderbeu nuk luajti as gishtin kundër tyre.

Prej këndej, zotërinjtë e Shqipërisë së Epërme, duke pasur frikë se turqit do t’ua rrëmbenin përsëri  këtë zotërim të ri, u morën vesh me ta e nisën ta shtypnin egërsisht popullsinë.

Kishte ardhur çasti që Kastrioti të kërkonte ndërhyrjen e Piut II. Nisën pikërisht kështu, marrëdhëniet ndërmjet një Pape të madh e një Prijësi të madh. Dy burrave më të shquar të Evropës së përçarë, që dridhej nga frika e turkut, e megjithatë nuk dinte, as nuk donte të bashkohej, për t’i dhënë fund një herë e mirë kësaj frike, që shpesh shndërrohej në tmerr.

Piu II e njihte me fund situatën ballkanike: e jo vetëm që nuk mendonte të hiqte dorë nga politika e paraardhësve, por përkundrazi,  i frymëzuar nga bëmat e tyre, ëndërronte të organizonte një kryqëzatë të madhe, që ta zhdukte një herë e përgjithmonë rrezikun turk. Për këtë qëllim Papa - i cili, përveç  çështjes ballkanike, njihte mirë edhe ngarjet dhe vlerën e Kastriotit - shfrytëzoi rastin për ta lidhur Prijësin shqiptar me planin e tij. Prej këndej, sapo arriti në Romë kërkesa e Kastriotit, Piu II nxitoi, në shkurtin e vitit 1459, t’u dërgonte Kryipeshkvijve të Durrësit e të Tivarit një brevë, përmes të cilës shprehte pakënaqësinë për shtypjen e popullsisë dhe për trazirat, që i krijoheshin birit të tij të fisëm, Gjergj Kastriotit. 1

Me këtë brevë Papa i kërcënonte fajtorët me shkishërim, duke i përjashtuar nga Mesha Shenjte edhe në “articulo mortis” (aktin e vdekjes), nëse brenda 15 ditësh  nuk do të hiqnin dorë nga fajet e mëkatet e tyre.

Të trembur nga toni me të cilin u drejtohej Papa, Dukagjinët  i ndërprenë menjëherë marrëdhëniet me turkun, u pajtuan me Kastriotin dhe hynë në lidhjen kundër otomanëve2

Por nëse gjatë vitit 1459 marrëdhëniet ndërmjet Kastriotit e Papës Piu II qenë mjaft të dendura - dokumentimi i tyre historik lë shumë për të dëshiruar. E sidomos,  ai i vitit, kur u bënë përpjekjet e para  për hartimin e planit të kryqëzatës re të Piut II. Papa thirri në Mantovë një kongres, në të cilin të gjithë përfaqësuesit e shteteve evropiane duhet të angazhoheshin, me fondet e nevojshme, të përgatisnin planin për luftën e përbashkët kundër turqve.

Ndërkaq në Shqipëri, në pranverën e të njëjtit vit (1459), Skënderbu kishte pushtuar fortesën e Satit, që ndodhej në një pikë strategjike për Venedikun, prandaj Republika nxitoi të përgatiste lëshimin.

Nga ana e tij Kastrioti, që e kishte shumë për zemër afrimin me Venedikun shfrytëzoi rastin për t’ia plotësuar dëshirën Republikës detare. Por sapo sulltanit i arriti në vesh ky lajm, nisi t’i ofronte Skënderbeut paqen, aq të ëndërruar. Kjo kërkesë e shqetësoi shumë Gjergjin. Të pranonte, apo të mos pranonte? Populli donte paqe, sepse ishte i lodhur e i këputur nga luftërat e nga uria. E edhe princat e lidhjes shqiptare donin  paqe, nga që ëndërronin rindërtimin e shpejtë të Shqipërisë, pavarësisht nga fakti se në Shtetet fqinje tërbohej lufta e Lindjes kundër Perëndimit, e Islamit kundër Krishterimit! Do ta pranonte a jo paqen Skënderbeu? Përgjigjja, në emisionin e 22-të të rubrikës.

1 Rainaldi, vep. Cit 1460, n. 104

2  Gegaj, vep. Cit. faq 120








All the contents on this site are copyrighted ©.