2018-02-11 08:30:00

Shenjtorët e javës 11 – 18 shkurt


E diel 11 shkurt, Kisha katolike kremton të Dielën e 6-tё gjatё vitit kishtar, gjithnjё mё 11 shkurt, Kisha katolike kremton festën e Zojës LurdëPjesa e Ungjillit të Liturgjisë të së dielës (së 6-të gjatë vitit ‘B’), na përshkruan shërimin e mrekullueshëm nga Jezusi të një të sëmuri nga gërbula. E sipas ligjit të vjetër hebraik, gërbula konsiderohej jo vetëm si sëmundje, por si forma më e rëndë e papastërtisë (fëlliqësisë) për kultin që sillte largimin e të gërbulurit nga komuniteti deri në shërimin e mundshëm. Prandaj gërbula përbënte një lloj të vdekjes fetare e civile, e shërimi i saj konsiderohej si një lloj ringjalljeje. Në gërbulë është e mundur të ravizohet simboli i mëkatit, që është papastërtia e vërtetë e zemrës, që na largon prej Zotit. Në të vërtetë nuk është sëmundja fizike e gërbulës, siç parashikonin rregulloret e vjetra, që na ndan prej Tij, por faji, është e keqja shpirtërore e morale. Prandaj Kisha i fton të krishterët të rizbulojnë vlerën e Sakramentit të Rrëfimit, sepse në Sakramentin e Pendesës, Krishti na pastron me mëshirën e vet të pakufishme.

Të hënën më 12 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shenjtorët e Abitenës, Saturninin me shokët martirë.

Të martën më 13 shkurt, kalendari kujton shën Martinianin, të Lumin Jordano nga Saksonia.

Të mërkurën më 14 shkurt,  bie e  Mërkura e Përhime me të cilën fillon periudha e Kreshmëve, një udhë shpirtërore drejt Zotit e të afërmit. Pra me liturgjinë e ritit të Mërkurës së Përhime, për Kishën katolike fillon periudha e lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit, agjërimit e pendesës. Me të Mërkurën e Përhime hyjmë në periudhën e Kreshmëve, periudhën e një përgatitjeje të fortë shpirtërore për kremtimin e festës më të rëndësishme e kryesore të fesë së krishterë, Pashkët.

Gjithnjë më 14 shkurt, kalendari kujton shën Cirilin e Metodin ipeshkëv, pajtor qiellor të Evropës dhe shën Valentinin, ipeshkëv e martir.

Të enjten më 15 shkurt, kalendari kujton shën Onsezimin, dishepull i shën Palit apostull, e shën Fuastinin.  

Të premten më 16 shkurt, kalendari kujton Gjulianën, virgjër e martire.

Të shtunën më 17 shkurt, kalendari kishtar kujton Shenjtorët Shtatë Themelues Shërbëtorë të Urdhrit të Marisë, ndër të cilët shën Aleksin Falkonieri, e shën Silvino-n.

Të dielën e ardhshme më 18 shkurt, Kisha katolike të Dielën e Parë të kohës së Krezhmëve, që paraprijnë e përgatisin kremtimin e Pashkëve. Gjithnnjë më 18 shkurt,kalendari kishtar kujton  shën Geltrunën, të Lumin Giovanni nga Fiesole ( të Lumin Angjeliko), domenikan.

Krezhmët, të porsafilluara, na thërrasin të radhitemi me Krishtin në luftën kundër të “Keqit”. Ta dëgjosh me fe fjalën e Zotit e të angazhohesh me seriozitet në konvertimin e jetës personale: ja kushtet që lypen për të marrë pjesë në Pashkën e Krishtit, në këtë Vit të Shenjtë të Mëshirës. Kjo e diele e parë e kohës liturgjike të Krezhmëve, quhet ndryshe edhe e diela e tundimit. Ungjilli i kësaj së diele, na përshkruan tundimet e Jezusit në shkretëtirë. Është një hyrje e përgjithshme në këtë kohë të Krezhmëve, e cila fillon nën shenjën e luftës së brendshme kundër të keqit e së keqes, që njeriu has gjatë shtegtimit tokësor në jetën e përditshme. Prandaj, duhet të lusim Zotin të rri me ne, në çastet e sprovës, për të ngadhënjyer me Të në ditën e Jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.