2018-02-08 13:27:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 19


Në emisionin e nëntëmbëdhjetë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi  veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, vijimi i marrëdhënieve të Skënderbeut me Selinë e Shenjtë, nën papninë e   Kalistit III, ndërmjet viteve 1455-1458.

E lamë Skënderbeun, në emisionin e 18-të, duke admiruar Kishën e restauruar të Shën Kollit në Lezhë, ndoshta me një parandjenjë të trishtuar.

Pas restaurimit, dhuratë për Prijësin e shqiptarëve, më 27 gusht 1457, me anën e abatit Pali i Shën Marisë së Trefandenës, Papa Kalisti III i dërgoi Kastriotit 10 fiorina ari. Më 5 shtator të të njëjtit vit, emëroi po atë abat “nuncius noster pro nostris arduis et Rome ecclesie negociis ad partes Albanie , Dalmatie, Bosnie et Grecie”  (nunc për marrëveshje me palët e Shqipërisë, Dalmacisë, Bosnjës e Greqisë).

Më 7 shtator, pastaj, i dërgoi përsëri Kastriotit ndihmë në të holla.

Ndonjë ditë më pas e, pikërisht më 10 shtator 1457, Kalisti III ngarkoi Giovanni Navar, Komisar të tij në Dalmaci, me detyrën, ndërmejt tjerash, për të mbledhur ndihma për Kastriotin në Shqipëri e në Maqedoni e për t’u dorëzuar një të tretën e të dhjetave të dërguarve të tij.  

Pas 5 shtatorit  ndodhi diçka, për të cilën autori i librit, bazë kryesore e kësaj rubrike, di fare pak. Është fjala për shkarkimin e Palit nga detyra e nuncit. Një dokument  i Bibliotekës së Vatikanit, gjetur e studiuar nga albanologët e shquar PP Valentini e Cordignano, na sqaron se Kalisti III, më datën 17 shtator 1457, pajisi me letra kredenciale Giovanni Navar, duke e caktuar nunc pranë Kastriotit.

Ndërkaq Papa e nxiti Mbretin e Napolit ta ndihmonte Shqipërinë e, prej këndej, porositi që, përmes vetë Navar, t’i komunikonte Kastriotit përgatitjet  e Aragonezit dhe përpjekjet e tij për luftë të përbashkët kundër turqve.

Për të mbledhur ndihma, ngarkoheshin edhe ipeshkvi i  Krujës  dhe ai i Krajës.

Pas fitoreve të njëpasnjëshme, Papa Kalisti III e emëroi Kastriotin Kryekapedan të Selisë së Shenjtë. Në një letër, drejtuar Perandorit të Gjermanisë, Federikut III, kreu i krishterimit e cilëson Gjergj Kastriotin “luftëtar të palodhur dhe ushtar të Krishtit, me krah të pathyeshëm”. Në një rast tjetër, flet për “birin tonë të shtrenjtë, Skënderbeun, fisnik, mbret i Shqipërisë”. Këto fjalë tregojnë qartë sa shumë e vlerësonte Papa Kapedanin shqiptar e edhe sa besim kishte në krahun e tij të pathyeshëm, Papa Kalisti III, që po i afrohej fundit të papnisë, ashtu si Gjergji, fundit të jetës së tij të lavdishme, që do t’ia përjetësonte emnin në analet e historisë së njerëzimit. Por, para se të shuhej në Lezhë, Skënderbeu do të bashkëpunonte ngushtësisht edhe me një Papë tjetër, Piun II.








All the contents on this site are copyrighted ©.