2018-02-08 16:43:00

Dita e lutjes kundër trafikut. Papa: t’i mbrojmë viktimat


 “Me shpirtin e mëshirës, t’i pranojmë viktimat e trafikut dhe ata, që ikin nga lufta e uria”. Në Ditën e sotme Botërore të lutjes e të reflektimit kundër trafikut të qenieve njerëzore, Papa Françesku i kthehet kësaj drame me një tweet.

Vëmendja e Papës ndaj temës së trafikut të njerëzve

         Ajo e skllavërimit të njeriut është çështje, të cilën Papa e ka gjithmonë parasysh. Edhe dje, në audiencën e përgjithshme, kujtoi se “organizatat kriminale, që merren me trafikun e njerëzve”, përdorin rrugët e emigracionit për të fshehur viktimat e tyre ndërmjet emigrantëve dhe refugjatëve. Ati i Shenjtë bëri thirrje të bashkohen forcat për ta parandaluar këtë plagë, për të mbrojtur viktimat dhe për ta lutur Zotin t’i ndryshojë zemrat e trafikantëve.

Tema e Ditës: “Emigracion pa trafik”

         Në qendër të reflektimit të këtij viti: “Emigracioni pa trafik. Po, lirisë! Jo, skllavërisë!”. Trafiku i qenieve njerëzore është në qendër të punimeve të Konferencës Ndërkombëtare të Grupit të Shën Martës, që mbahet sot e nesër në Vatikan. Marrin pjesë përfaqësues të Kishës, krerë të policisë nga vende të ndryshme dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të impenjuar për çrrënjosjen e trafikut dhe të formave moderne të skllavërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.