2018-02-08 12:51:00

Atë José Tolentino: zemra jonë të rizbulojë etjen për Zotin


Etja, që banon në zemrën e çdo njeriu: etje për dashuri, etje për dinjitet e etje për Zotin. Do të jetë kjo, tema, në qendër të reflektimeve, që do t’i propozohen Papës Françesku dhe Kuries Romake gjatë ushtrimeve shpirtërore në Ariccia (Romë).

Papa Françesku “është bari e atë”, që me forcën profetike të gjesteve e të fjalëve, me komunikimin e thjeshtë e inçiziv, na rikthen “freskinë dhe njomësinë e Ungjillit”. Këtë pohon meshtari portugez José Tolentino Mendonça, i thirrur për të predikuar Ushtrimet shpirtërore të Papës e të Kuries Romake, që do të vijojnë nga 18 deri më 23 shkurt, pranë Shtëpisë së “Mësuesit Hyjnor”, në Ariccia, tek Portat e Romës.

Guximi i Papës Françesku  

Në një intervistë dhënë eksluzivisht Domingo Pintos për Vatican News, atë Tolentino, teolog, poet e shkrimtar me famë ndërkombëtare, nënvizon guximin e Papës Françesku, “guxim profetik, që na përket të gjithëve” e që nuk lë askënd indiferent. “Është me të vërtetë një dëshmi e Shpirtit Shenjt në Kishën e në botën e kohës sonë”.

Meditimet e propozuara do të thellojnë temën e etjes

53 vjeç, atë Tolentino, aktualisht zëvendës-rektor i Universitetit katolik të Lisbonës dhe këshilltar i Këshillit Papnor të Kulturës, kujton se e priti ftesën e Papës me përvujtëri sepse, pohon, “jam prift i thjeshtë”,  që i duhet ta përballojë  këtë sfidë me frymën e shërbimit ndaj Kishës e Atit të Shenjtë. Do t’i zhvillojë ushtrimet mbi temën e lavdërmit të etjes. “Çirakë të mahnitjes” është titulli i reflektimit të së dielës, 18, hyrje e të gjitha reflektimeve, që do të vijojnë në ditët e mëpasme, me temat: shkenca e etjes; u kujtova se jam etshëm; kjo etje për hiçin; etja e Jezusit; lotët rrëfejnë etjen; të pish etjen tënde; format e dëshirës; të dëgjosh etjen e periferive; lumturia e etjes.  

Edhe Jezusi bërtiti. “Kam etje!”

Zemra e njeriut - pohon, është serbator i pashterrshëm etjeje. Çdo njeri ka etje. Etje për dashuri, etje për t’u njohur, etje për marrëdhënie, etje për dinjitet, etje për dialog, etje për takim, etje për humanitet e shumë e shumë etje për Zotin. Njëra nga Fjalët e fundme të Jezusit mbi kryq ishte pikërisht: “Kam etje!”. E kjo vijon të jetë britma e Jezusit  besuar Kishës së Tij. Jezusi kërkon nga Kisha të marrë pjesë në këtë etje të Zotit e të njeriut. Etje, që duhet zbuluar, për të zbuluar kush mund të na e shuajë.

Të krishterët duhet të jenë lokomotiva e shoqërisë

Në këto rrethana, teologu portugez kujton se Papa Françesku kërkon që ta kujtojmë etjen e njerëzimit, shpirtërore, morale, materiale, që të kujtojmë, nga fundi i zemrës, vëllezërit e motrat tona më të varfra, pa e shikuar askënd si hedhurinë, pa e lënë askënd mbrapa. Të krishterët - pohon atë Tolentino, duke shkelur mbi gjurmët e Françeskut - duhet të jenë lokomotiva profetike e shoqërisë në të cilën jetojnë, e kjo mund të shihet në cilësinë etike të jetës sonë, posaçërisht në luftën kundër varfërisë e në vëmendjen e  veçantë për të varfërit.








All the contents on this site are copyrighted ©.