2018-02-07 11:41:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 18


Në emisionin e tetëmbëdhjetë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi  veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, sot, marrëdhëniet e Skënderbeut me Selinë e Shenjtë, nën papninë e Papës Kalisti III,  ndërmjet viteve 1455-1458.

Folëm, në emisionin e kaluar, për vdekjen e Papës Nikolla V, vendin e të cilit e zuri Kalisti III, i treti Papë, që u ul në fronin e Shën Pjetrit gjatë fushatave, pothuajse gjithnjë fitimtare të Skënderbeut kundër urshtrive turke. Gjatë kësaj papnie, marrëdhëniet ndërmjet Selisë Apostolike dhe Kastriotit u bënë gjithnjë më të ngushta e ndihmat, që Papa mundi t’i jepte Prijësit shqiptar, më të shpesha, dëshmuar përmes një dokumentimi të pashterrshëm historik, që nuk e dimë deri në ç’masë është studiuar. Gjë që e meriton, sepse ashtu si turqit i lexuan të përmbysura fitoret e Skënderbeut, ashtu edhe dijetarët e diktaturës i studiuan të përmbysura marrëdhëniet e Papës me Skënderbeun, duke e mohuar gjithë kontributin e Selisë së Shenjtë në ndihmë të shqiptarëve e duke parapëlqyer të citojnë për këtë argument, Karl Marksin. E, për fat të keq, përmbysje të tilla vijojnë.

Lajmet e para për marrëdhëniet ndërmjet Skënderbeut e Papës Kalisti III  datohen në muajt e pranverës 1456, kur Papa i ri u sigurua nga një pjesë e fuqive të krishtera, e në mënyrë të veçantë, nga Napoli e Milano, rreth  ndihmave për Kastriotin. 1

1456-ta, pastaj, qe vit galdimi për Papën, për Perëndimin e krishterë e për Hungarinë, sepse poshtë mureve të Beogradit, Janosh Huniadi, vojvoda i  Transilvanisë, i shkaktoi një humbje të rëndë turqve. Me këtë fitore të madhe (14 korrik 1456), ndërmarrja e re e Papës Kalisti III e shleu denjësisht kujtimin e disfatës së Varnës. Po për Kastriotin ky vit nuk qe edhe aq i lum. Madje mund ta quajmë tragjik. Në këtë vit, për shkak të tradhtisë të të nipit, Gjergj Stresit, turqit ia morën fortesën e Modricës.

Edhe viti që pasoi, ishte po aq i trishtuar. Pas fitores së Beogradit, Skënderbeut i lindi një djalë, të cilin quajti Gjon. Kishte dalë në dritë Gjon Kastrioti i ri. Po ky gëzim u zbeh nga tradhtia e nipit tjetër, Hamzait,  që ishte kthyer bashkë me të në Shqipëri, nga beteja e Nishit. Me lindjen e djalit, Hamzai e humbi çdo shpresë për trashëgimin e fronit, gjë që e nxiti të kalonte nga ana e turqve me gjithë familjen. E kështu, në qershor të vitit  1457, ishte pikërisht Hamzai ai, që iu sul të ungjit të lavdishëm në krye të një ushtrie prej 50 mijë vetësh. Pak muaj më parë, Skënderbeu, duke u njoftuar për përgatitjen e kësaj ushtrie armike, dërgoi ambasadorë në Napoli e në Romë, për t’i njoftuar aleatët e për t’u kërkuar ndihmë. Nga Napoli i erdhën menjëherë ushtarë e balestrierë. Nga Roma, Papa, që i ndiqte me vëmendeje të madhe ngjarjet shqiptare, nisi ndihma financiare. Më pas, duke e nxitur Kastriotin për rezistencë,  e besim në Zotin, me datën 7 qershor 1457, e siguroi se do t’i dërgonte menjëherë  “… unam galeam optime instructam et armatam… et subdine non nullas alias, quam celerius poterit mittere.. .” 2 (një galé me ekuipazh të mësuar e të armatosur… sepse nuk kishte gjë tjetër, që mund t’i çonte).

Pikërisht në këtë qershor, ushtria turke zbriste nga Dibra në trojet shqiptare. E Papa, i njoftuar nga abati Pjetër, dërguar nga Kastriotiti, jetonte orë shqetësimi e ankthi, si për shkak të kërcënimit, që rëndonte mbi Shqipërinë, ashtu edhe për mungesën e mjeteve financiare, gjë që e pengonte ta mbështeste si duhej këtë ndërmarrje.

Gjithsesi Papa bëri gjithçka mundi për ta ndihmuar Kastriotin. E, përballë indiferencës së Venedikut, që kërcënohej edhe më drejtpërdrejt nga pushtuesi otoman, ndihmat e pakta të Papës, vënë edhe më mirë në dukje  personalitetin e Kalistit III, i cili, përballë rrezikut të madh, nuk kurseu asnjë mjet që kishte në dorë, për ta ndihmuar këtë Burrë me zemër luani që, me një grusht trimash, pa armë të mjaftueshme, veç gjokseve të veta,  po i bënte ballë përparimit në drejtim të perëndimit, ushtrisë më të fuqishme të asaj kohe.

Papa, duke e ditur dëshirën e zjarrtë të Kastriotit, në gusht të të njëjtit vit, riparoi kishën e Shën Kollit në Lezhë duke i dhënë ndjesën e plotë vizituesve. Kjo dëshirë e Kastriotit na shtyn të reflektojmë: ishte thjesht çështje admirimi, kjo e restaurimit të Kishës së Shën Kollit, apo parandjenjë, që e shtynte të mendonte se pikërisht në këtë tempull, aq të dashur për zemrën e tij, do të bënte pushimin e mbramë. Ky është gjykim i  autorit të librit që po shfletojmë, i cili nuk hyn në hollësirat, tejet të ndërlikuara, të varrosjes e edhe të zhvarrosjes së Skënderbeut. Për to, duhet shfletuar, ndërmjet tjerash, studimi shterues i Frano Prendit, themelues i arkeologjisë moderne shqiptare, ish-nxënës i Liceut françeskan “Illyricum”, ku  qe njohur me punën e arkeologut të mirënjohur, atë Shtjefën Gjeçovit, mbledhësit  e kodifikuesit të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.