2018-02-07 14:59:00

Thirrje e Papës Françesku për Olimpiadën Dimërore të PyeongChang


Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Françesku u drejtoi një thirrje atletëve dhe organizatorëve të Lojërave XXIII Olimpike Dimërore, që do të hapen të premten e ardhshme, në qytetin PyeongChang, në Korenë e Jugut:

“Armëpushimi tradicional olimpik i këtij viti ka rëndësi të veçantë: delegacionet e dy Koreve do të parakalojnë së bashku nën të njëjtin flamur e do të marrin pjesë në gara si një skuadër e vetme. Ky fakt na bën të shpresojmë në një botë, në të cilën konfliktet mund të zgjidhen paqësisht me dialog e respekt reciprok, ashtu si na mëson të bëjmë edhe sporti. I drejtoj pëshëndetjen time Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, atletëve e atleteve, që marrin pjesë në Lojërat Olimpike të PyeongChang, Autoriteteve e popullit të Gadishullit të Koresë. Të gjithë i shoqëroj me lutje, ndërsa përsëris angazhimin e Selisë së Shenjtë për të mbështetur çdo nismë të dobishme në favor të paqes e të takimit ndërmjet popujve. E uroj që kjo Olimpiadë të jetë festë e madhe miqësie e sporti! Zoti ju bekoftë e u ruajtë!".

Janë 92, vendet që do të marrin pjesë në Olimpiadën Dimërore të Koresë së Jugut. Në ceremoninë e hapjes, të premten e ardhshme, do të jetë i pranishëm, për herë të parë, edhe një Delegacion i atletikës vatikanase.

Shqipëria do të përfaqësohet vetëm nga dy sportistë, Erjon Tola dhe Suela Mëhilli. Ndërsa pritet dhe një i tretë, Marsel Biçoku. Shpresohet në një përfaqësim dinjitoz, ndonëse pretendimet janë minimale për medalje në Korenë e Jugut. Sportistët shqiptarë do të garojnë në javën e dytë të Lojërave Olimpike Dimërore, pasi disiplina e tyre në ski, është në fund të aktivitetit.








All the contents on this site are copyrighted ©.