2018-02-07 19:16:00

Mesazhi i kardinalit Tauran për takimin e CCEE-së në Shkodër


“Një qëndrim i qartë nga ana e autoriteteve fetare myslimane, si edhe nga çdo mysliman, rreth çështjes së dhunës në emër të fesë, është i nevojshëm për të shmangur barazimin e padrejtë ndërmjet islamit dhe dhunës”. Kështu shprehet kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, në mesazhin drejtuar Takimit V të delegatëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës për marrëdhëniet me myslimanët, organizuar nga Këshilli i Episkopateve Evropiane (CCEE) në Shkodër të Shqipërisë.

         Mbledhja filloi sot e do të vazhdojë deri më 9 shkurt. Mesazhi u soll në takim nga kreu i Zyrës për Islamin të dikasterit vatikanas, imzot Khaled Akasheh. “Të krishterë e myslimanë – shkruan kardinali – duhet të promovojmë respektin e ndërsjelltë, objektivitetin e fjalëve dhe të shkrimeve për fenë tjetër, mirësinë, dhembshurinë dhe mëshirën, kaq qendrore në traditën islamike e kaq të dashur edhe për Papën Françesku. …është e nevojshme një përpjekje nga të dyja palët për të parandaluar ‘fjalët e urrejtjes’, që janë në zanafillën e dyshimeve të ndërsjellta, të diskriminimeve, të përjashtimeve, të manipulimeve dhe të mllefeve”.

         “Vendi, që mirëpret takimin tuaj – flet kardinali Tauran për Shqipërinë – mund të përmendet si shembull për marrëdhëniet plot respekt e të frytshme ndërmjet të krishterëve, myslimanëve sunitë dhe atyre bektashinj. Persekutimi fetar, që e vuajtën të gjithë besimtarët e këtij vendi, nën regjimin ateist, i ka bashkuar dhe afruar të gjithë”.

         E duke kujtuar vizitën e Papës Françesku në Tiranë, në vitin 2014, para se t’u urojë të gjithëve punë të mbarë, kardinali nuk harron të përmendë “bijën e lavdishme të Shqipërisë, Nënë Terezën e Kalkutës, besnike ndaj rrënjëve të saj shqiptare dhe ndaj Ungjillit të mëshirës, motër e nënë universale, sidomos për më të varfërit e të varfërve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.