2018-02-07 14:00:00

Françesku kërkon angazhim kundër trafikut të qenieve njerëzore: “Plagë e turpshme”.


Sot Papa Françesku, duke kujtuar Ditën botërore të lutjes dhe reflektimit kundër trafikut, që do të kremtohet nesër, në festën e Shën Jozefina Bakhitës, bëri thirrje për lutje, që Zoti t’i shndërrojë zemrat e trafikantëve dhe t’i lirojë e viktimat. 

“Emigrim pa trafik. Po, lirisë! Jo, trafikut!”. Kjo, tema  e Ditës,  që Papa e kujtoi, për të ndërgjegjësuar bashkësitë kishtare e civile. “Duke pasur edhe mundësitë e kanaleve të rregullta, shumë emigrantë - pohoi Françesku - vendosin të nisin aventurën e emigrimit me rrugë të tjera, gjatë të cilave shpesh herë i presin shpërdorimet e të gjitha natyrave, shfrytëzimi i rëndë dhe kthimi në skllevër.

Organizatat kriminale, që merren me trafikun e njerëzve, e përdorin këtë rrugë emigratore për t’i fshehur viktimat e tyre ndërmjet emigrantëve e refugjatëve. Prej këndej, Papa i ftoi të gjithë: qytetarë e institucione, të bashkojnë forcat për ta parandaluar trafikun e për t’u garantuar mbrojtje e asistencë viktimave.

Të lutemi, të gjithë - ftoi-  që Zoti t’i shndërrojë zemrat e trafikantëve  - e keqe kjo fjalë, trafikant njerëzish -  e t’u japë shpresë për fitimin e  lirisë të gjithë atyre, që vuajnë për shkak të kësaj plage  të turpshme.

Agjendë e re propozuar botës politike

Kriza e emigrantëve, që përshkon mbarë Evropën, vë në dukje një krizë më të thellë, atë të vlerave të përbashkëta, mbi të cilat thuhet se u themelua Bashkimi. Ndërsa çështja e emigrimit duket se është bërë bankë e rëndësishme prove për politikat evropiane e kombëtare. Nga kjo konsideratë niset nisma e shoqatave, lëvizjeve dhe organizatave katolike, të angazhuara me detyra të ndryshme në këtë fushë, për të krijuar një hapësirë ballafaqimi, që t’i japë zë emigracionit dhe kërkesave të tij lidhur me bashkëjetesën civile dhe drejtësinë shoqërore. Nesër, në Romë, në një konferencë shtypi, pranë Institutit Sturzo, do të  propozohet një Agjendë e re për emigracionin në Itali, që do t’u paraqitet forcave të ndryshme politike, në lidhje edhe me zgjedhjet e 4 marsit.








All the contents on this site are copyrighted ©.