2018-02-06 09:00:00

Neokatekumenalët, Maria Ascensiòn Romero pason Carmen Hernández në ekipin ndërkombëtar


Quhet María Ascensiòn Romero, është spanjolle, 57 vjeçe e deri më sot ishte endacake në Rusi. Tani do të zërë vendin e Carmen Hernández si figurë femërore, që kryesonte ekipin ndërkombëtar në udhëheqje të Ecjes neokatekumenale në botë, e cila ndërroi jetë më 19 korrik 2016, në moshën 85 vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë. Nuk bëhet fjalë për “zëvendësim”, saktësoi Kiko Argüello, nismëtar i Ecjes neokatekumenale, duke dhënë njoftimin, gjatë takimit me endacakët e të pesë kontinenteve, në qendrën Porto San Giorgio. Carmen mbetet “e pazëvendësueshme” - kujtoi - e kjo zgjedhje është ad experimentum, domethënë, jo përfundimtare. Zgjedhja u bë, ndërmjet tjerash, jo aq shpejt e me kërkesën e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, duke u bazuar mbi Statutet që rregullojnë Ecjen - miratuar më 2008 nga Selia e Shenjtë - të cilat, në nenin 35, parashikojnë edhe praninë e një gruaje beqare në ekipin përgjegjës.

Misionare në Rusi për më se 25 vjet, nga të cilat, nëntë në Kazakistan e dymbëdhjetë në Shën Pjeterburg, në famullinë e Zemrës së Krishtit, Maria Ascensiòn bashkëpunoi që këtë verë me Kikon dhe me atë Mario Pezzin. Ashtu si Carmen, vjen nga Tudela, dioqeza e Pamplonës dhe ka studiuar teologji. Të gjithë e përshkruajnë si grua të përvuajtur, elegante, të matur. E tregojnë fjalët, që shqiptoi sot, duke theksuar se nuk është në lartësinë, që kërkon kjo përgjegjësi, por e pranon, me sigurinë se “Zoti bën gjëra të pamundura”.

Do të jetë ajo, prandaj, që do ta presë, së bashku me Kikon e atë Pezzin, Papën Françesku në takimin e madh të 5 majit, në Tor Vergata, në Romë, në të njëjtin vend ku u kremtua mbrëmësorja e Gjon Palit II me të rinjtë e DBR-së të Jubileut të vitit 2000, për të kremtuar përvjetorin e lindjes së bashkësisë së Ecjes neokatekumenale, në Romë e në gjithë Italinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.