2018-02-04 09:30:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 15


 Në emisionin e pesëmbëdhjetë të rubrikës, në vazhdim të veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, do të ndalohemi tek marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit me Papën Nikolla V.

Folëm, në emisionin e kaluar, për vdekjen e Papës Eugjeni IV, vendin e të cilit e zuri Nikolla V që, gjatë tetë vjetëve të papnisë (1447 -1455), i thelloi më tej marrëdhëniet me Shqipërinë, në gjurmët e paraardhësit të tij. Më 27 shtator 1447, pak kohë pas vdekjes së Eugjenit IV, Mustafa Pasha deshi ta shtinte përsëri në dorë Krujën, por dëshira e tij dështoi me turp, ndërsa vetë Pashai mundi ta shpëtonte kokën duke ia mbathur këmbëve nga fusha e betejës, ku mbeti një pjesë e mirë e ushtrisë turke. Sapo ky lajm arriti në Romë, Papa e shpalli Kastriotin kampion të krishterimit dhe ua propozoi Shteteve si komandant të ardhshëm të lidhjes së re kundër turqve.

Edhe kjo hollësi u shpëtoi historianëve të Kastriotit. Ndonëse do peshonte shumë mbi ngarjet e ardhshme, sepse vinte në dukje interesimin e Papës për rifillimin e operacioneve ushtarake kundër turqve dhe zgjedhjen e një prijësi, i cili tashmë kishte fituar admirimin e të gjithëve, duke ia kaluar për zulmë, edhe vojvodës së Transilvanisë.

Por sulmet e vazhdueshme të ushtrive turke kundër kështjellës shqiptare e penguan, deri në vitin 1463, pjesëmarrjen e Kastriotit në veprimet ushtarake të Lidhjes dhe e bënë Shqipërinë teatër të rëndësishëm lufte.

Më vonë, pas fitores mbi Mustafa Pashën, Kastrioti mësoi nga informatorët e tij se sulltani, personalisht, në krye të një ushtrie prej 120  mijë vetësh, ishte nisur nga Adrianopoja, drejt Krujës. Prijësi shqiptar kërkoi menjëherë ndihmë nga Papa, Napoli, Hungaria, Venediku e Kostandinopoja. Vetëm Papa e Venediku iu përgjigjën thirrjes së tij. Papa i dërgoi menjëherë të holla e Venediku, nozullime.

Ndërkaq në Shqipëri situata bëhej gjithnjë më shqetësuese. Sfetigradi, megjithë heroizmin e mbrojtësve, u mor me tradhti e, në janar të vitit 1450, të njëjtin fat e pësoi edhe Berati. Ndërsa Gjergj Arianiti, pararendës heroik i Kastriotit, u tërhoq nga lufta, duke kaluar në anën e Republikës së Venedikut, e cila vijonte politikën e dyshimtë e dritëshkurtër ndaj Shqipërisë, duke shkaktuar grindje të vazhdueshme ndërmjet krerëve të saj.

Në këtë situatë Murati II dhe i biri i tij, Mehmeti, kaluan luginën e Drinit, shkelën trojet shqiptare dhe rrethuan Krujën.

Atëherë Kastrioti u bëri thirrje të re shteteve të perëndimit. Papa iu përgjigj menjëherë, duke e nxitur edhe Raguzën, e cila dërgoi një shumë të madhe të hollash, që Kastrioti e mori personalisht nga qyteti-mik.

Njëkohësisht Papa, meqë në ato çaste kasa e Kishës ishte bosh, shpalli një bulë, përmes së cilës u jepte ndjesën e plotë, të ngjashme me atë të jubileut, të gjithë atyre, që do ta ndihmonin Skënderbeun me para ose duke marrë pjesë personalisht në luftë përkrah tij... “et conservatione civitatum ac locorum partium Albanie et presertim civitatis Croien...” .1 

Por duhet thënë se Kruja shpëtoi kryesisht falë mbrojtjes heroike të shqiptarëve e edhe të përhapjes së lajmit se Huniadi kishte përgatitur një ushtri të fortë për ta ndihmuar Skënderbeun. Kjo e detyroi Sulltanin të hiqte rrethimin e të kthehej në Turqi, duke lënë pas Krujën e ligështuar e Skënderbeun, të detyruar t’i ofronte Venedikut kontrollin mbi zotërimet e tij.

Ishte shtatori i vitit dramatik 1450. Vit tradhtish, ngatërresash, por edhe ndihme të pakursyer nga ana e Papës Nikolla V, për të cilat do të flasim në emisionin e 16-të.

1 Ark.Sek. Vat. Arm. 53 T.13 p.341

         








All the contents on this site are copyrighted ©.