2018-02-04 09:00:00

Shenjtorët e javës 4- 11 shkurt


E diel 4 shkurt, Kisha katolike kremton të dielën e 5-të gjatë vitit kishtar, po mё 4 shkurt, kalendari përkujton shën Eutikin, martir dhe shën Jozefin nga Leonesa, kapuçin.  Ungjilli i liturgjisë së dielës, e paraqet Jezusin të imepnjuar në misionin për shërimin e të sëmurëve. Krishti, përveç se është mjek i shpirtit, është edhe mjek i trupit: ky është mesazhi i pjesës së Ungjillit (Mk 1, 29-39) të kësaj së diele.

Të hёnёn me 5 shkurt, kalendari përkujton shën Agen, virgjër e martire; shën Adelajden, abateshë dhe shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje. Liturgjia e ditёs na mëson se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se edhe feja është lidhje e drejtpërdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.

Të martёn me 6 shkurt, kalendari përkujton shën Pal Mikin me shokë, martirë japonezë dhe shën Dorotenë, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.

Të mёrkurёn me 7 shkurt,kalendari përkujton shën Rikardin meshtar dhe të Lumin Piun IX, papë. Liturgjia e ditёs na fton të meditojmë për revolucionin fetar që solli Jezu Krishti, i cili u kujtoi njerëzve se pastërtia fizike nuk duhet ngatërruar me pastërtinë fetare, që është pastërti e shpirtit. Është zemra ajo që duhet pastruar - vijon të na porositë Krishti.

Të enjten më 8 shkurt, kalendarit kishtar përkujton shën Jeronim Emilianin, themelues i Etërve Somaskë, pajtor qiellor i jetimëve dhe i të rinjve të braktisur, dhe shën Jozefina Bakhitën, virgjër. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e krijoi gruan e ia dha burrit me qëllim që të dy të jenë një trup i vetëm.

Të premten me 9 shkurt, kalendari përkujton shën Apoloninë. Liturgjia e kësaj dite na kujton thirrjen e Krishtit kur shëron shurdhmemecin: Effatŕ! Hapuni!. Kjo fjalë Hyjnore u thuhet të gjithë atyre që marrin pagëzimin. E Zoti dëshiron t’i hapim jo vetëm veshët dhe gojën, por sidomos zemrat, që në to të hyjë bota, të hyjë dashuria, të hyjë dialogu e sidomos, njohja e vërtetë e Zotit.

Të shtunёn me 10 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Skolastikën, virgjër, motër e Shën Benediktit dhe shenjtorët Zotikun, Gjaçintin e Amancin martirë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se Krishti është gjithnjë i mëshirshëm e kujdeset që njeriut të mos i mungojë buka e përditshme, por mbi të gjitha kujdeset të shuajë urinë e tij shpirtërore, urinë për jetën e vërtetë.

Të dielёn e ardhshme me 11 shkurt, Kisha katolike do tё kremtojё tё dielёn e 6-tё gjatё vitit kishtar, gjithnjё mё 11 shkurt, Kisha katolike do tё kremtojё festën e Zojës Lurdë. Liturgjia na kujton se Dhjetë urdhërimet e Tënzot përmbushen plotësisht në ligjin e dashurisë, që e solli Jezusi e se pikërisht mbi bazën e dashurisë do të gjykohemi!








All the contents on this site are copyrighted ©.