2018-02-04 09:00:00

Një teolog poet predikon Ushtrimet shpirtërore për Papën e Kurien romake


Ushtrimet shpirtërore tё kohёs sё Krezhmёve pёr Papёn Françesku e anëtarët e Kuries Romake do të nisin më 18 shkurt, për të përfunduar më 23 të muajit. Meditimet e kёtyre ushtrimeve shpirtёrore do tё jenё tё priftit portugez, teolog e poet José Tolentino de Mendonca. Nё qendër të meditimeve tema “Lavdërimi i etjes”.

Kjo, pra, tema e meditimeve, që José Tolentino de Mendonca, zëvendës-rektor i Universitetit katolik të Lisbonës dhe këshilltar i Këshillit Papnor të Kulturës, do t’i paraqesë Papës Françesku dhe anëtarëve të Kuries romake gjatë këtyre ushtrimeve, si përgatitje shpirtërore për Pashkë, në program në datat e sipërkujtuara, në Ariccia, sipas njoftimit të dhënë nga “L’Osservatore Romano”.

I lindur në Machico të Portugalisë, më 1965, José Tolentino Mendonça u shugurua prift më 1990. Teolog e poet, është një nga zërat më autoritare të kulturës së vendit të tij, të cilin e përfaqësoi, më 2014, në ditën botërore të poezisë. Zgjodhëm dy poezi të shkruara nga poeti-meshtar, në të cilat ndjehet fort etja e shëlbimit. E kjo etje do të jetë edhe në qendër të ushtrimeve shpirtërore, që do të mbajë për Papën e Kurien  romake. Ja dhe dy poezi të José Tolentino Mendonça

Zëri vetmitar i njeriut

Shpesh i shkruajmë ngutshëm fjalët,

e tmerri i tyre fundos

të kaluarën tonë!

Janë pak e gjë:

rrënoja, terr e pluhur!

Por s’kanë asnjë të panjohur

orët kur ruajmë errësirën,

viset e askujt,

ndryshimin e ngadaltë,

që do të na e shëlbonte

braktisjen,

gjithë braktisjen tonë!

 

Calle Principe, 251

Papritmas e humbasim

thellësinë e fushave.

Enigmat e pazgjidhshme

na shikojnë

në dritare tingujsh

e ëndrrash të përhime,

mbetur pa ëndërruar.

 

E harrojmë shpejt kthjelltësinë,

që u betuam ta ruajmë.

Por duhen vjet  për ta harruar

flakën e fshehtë të syrit

që e pamë, në kalim…

 

1Calle Principe, 25 - Lagje e njohur në Madrid

Përkthim i lirë

 








All the contents on this site are copyrighted ©.