2018-02-02 11:26:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skanderbeut (1444-1468)” n. 14


“Përpjekjet e Papës Eugjeni IV për t’i thelluar më tej marrëdhëniet diplomatike me Gjergj Kastriotin” - argumenti kryesor i emisionit të  katërmbëdhjetë të rubrikës, në vazhdim të shfletimit të veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra.

Mbetëm, në emisionin e kaluar, tek atmosfera optimiste, që krijoi në Vatikan fitorja e re e Skënderbeut kundër turqve në Dibër. Historiani Cutolo, vëren, me të drejtë: “… Në Oborrin Papnor lajmi i mirë hyri si rreze drite, pas atmosferës gri, krijuar nga mandata e ngarkuar me re e suferinë, ardhur prej Varne… E Papa Eugjeni e mbuloi me lavdata këtë kampion të Kryqit.”! 1

Prej këndej, Papa dërgoi me ngut lajmëtarët e tij për ta përgëzuar Kastriotin, për t’i përcjellë bekimin e tij apostolik, për t’i ofruar ndihmën e Kishës Katolike e për ta siguruar se do të bënte gjithë ç’ishte e mundur  për organizimin e një lidhjeje të re të princave të krishterë. 2

Siç shihet, disfata e Varnës  nuk e kishte shuar në mendjen largpamëse të Papës, idenë e organizimit të një kryqëzate të re, ide, që vijonte të jetonte e të ushqehej me shpresa të mëdha. Pas fitores së Mokresë, marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Skënderbeut e papëve u bënë gjithnjë më të ngushta e më të përzemërta. E sa më shumë afirmohej personaliteti i fatosit shqiptar, aq më të afërta bëheshin. Në këto rrethana, Papa e pa të arsyeshme të nisë drejt Shqipërisë lajmëtarë, për t’i rregulluar më tej marrëdhëniet diplomatike. Në të njëjtën kohë, edhe mbreti Alfons i Napolit shprehu dëshirën të lidhë miqësi me Kastriotin, tek i cili nisi të dërguarin e tij, Pietro Derin, që ta përgëzonte për fitoret.

Lajmëtarët e Papës e të mbretit Alfons arritën në Shqipëri në ditët e para të janarit 1446. Për t’i pritur, në Durrës, kishte dalë një komision i përbërë nga ipeshkvijtë e Tivarit e të Durrësit e disa prelatë të tjerë.  Nga Durrësi, lajmëtarë e prelatë, të shoqëruar prej një grupi kalorësish, arritën në Krujë, ku Skënderbeu i priti me nderime të mëdha e, kur morën rrugën e kthimit, i mbushi me dhurata aq, sa u nisën tejet të kënaqur e entuziastë.

Më pas, për ta falënderuar e për t’i kthyer urimet, Skënderbeu nisi tek Papa ipeshkvin Pjetër Perlati dhe atin Pal Çiurçia, ndërsa tek Alfonsi i Aragonës, Vrana Kontin dhe Zakaria Gropën.

Secila ambasadë i çonte si dhuratë Papës, e edhe Mbretit, nga 4 flamuj turq  e një mori sendesh të tjera, plaçkë lufte, rrëmbyer armikut në fushat e betejës.

Vizita, e pas saj edhe miqësia e re me Papën e me mbretin e Napolit,  u pritën me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga shqiptarët, që i vlerësuan si fitore e madhe.

Por, një vit më pas, e pikërisht më 23 shkurt 1447, Papa Eugjeni vdiq. E me të u venit edhe ëndrra për organizmin e lidhjes së krishterë kundër otomanëve. Gjithsesi, nësa i mbyllte sytë për dritën e kësaj bote, Papa Eugjeni i linte trashëgim Kishës e krishterimit, rezultatet tejet pozitive të një papnie 16 vjeçare, të cilat arritën kulmin me fitoren e papatit mbi skizmën e Bazilesë, bashkimin e Kishës greke me atë romake dhe rilindjen e Shqipërisë nën një princ katolik. Njëherësh Eugjeni IV merrte me vete në varr hidhërimin e thellë të disfatës së Varnës dhe dhembjen për sipërmarrjen e pakryer të lidhjes së princave të krishterë, për shkak të moskuptimit të shteteve të perëndimit evropian. 

Natyrisht besa e lidhur me Selinë Apostolike kur papnonte Eugjeni IV nuk do të thyhej me vdekjen e tij. Përkundrazi, do të vijonte edhe nën papninë e Nikollës V.  Për këtë besë do të flasim në emisionin e  15-të të rubrikës.

1 Cutolo, vep. cit, fq. 57

2 Biemmi, Historia e Skënderbeut…, fq 92, 93








All the contents on this site are copyrighted ©.