2018-02-02 12:23:00

Papa shkon më 20 prill në Molfeta për 25-vjetorin e vdekjes së don Tonino Bello


Më 20 prill, Ati i Shenjtë do të shkojë në Alessano, vendlindja e imzot Tonino Bello-s, në provincën e Leçes, në Itali, si edhe në Molfeta (provinca e Barit), dioqeza ku i Lumi i ardhshëm ka shërbyer si ipeshkëv. Këtë vit kremtohet 25-vjetori i kalimit të tij në amshim. Njoftimi u dha sot nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Gerg Burke.

         Sapo të mbërrijë në Alessano, Papa Françesku do të shkojë të lutet tek varri i imzot Tonino Bello-s dhe do të përshëndesë familjarët e tij. Në sheshin pranë varrezës, do të takohet me besimtarët, të cilëve do t’u drejtojë një përshëndetje.

         Më pas, do të zhvendoset me helikopter për në zonën e portit të Molfetës, fare pranë katedrales së qytetit barez.  E pikërisht aty, në sheshin e madh të portit, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën me besimtarët, për t'u kthyer më pas në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.