2018-02-02 18:30:00

Papa Françesku, rregulltarëve: ndiqni Krishtin e varfër, të pastër dhe të bindur


“Jeta e kushtuar lind dhe rilind nga takimi me Jezu Krishtin, ashtu siç është: i varfër, i pastër dhe i bindur”. Kështu u thotë Papa Françesku rregulltareve dhe rregulltarëve, në meshën e kremtuar në orën 17.30, në Bazilikën e Vatikanit, me rastin e festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull dhe të Ditës së 22-të Botërore të Jetës së Kushtuar.

Ati i Shenjtë bën një paralelizëm ndërmjet dy çifteve (jo të dy bashkëshortë), që gjejmë në Tempullin e Zotit, në liturgjinë e sotme: çiftit të ri, Marisë e Jozefit, që çonin Jezusin në tempull, dhe Simeonit e Anës, tashmë të moshuar. Në Tempull e në takimin me të moshuarit, Maria e Jozefi gjetën rrënjët e popullit të vet, por edhe rrënjët e fesë, sepse ajo “nuk është ndonjë koncept për t’u mësuar nga librat, por arti i të jetuarit me Zotin”. “Në atë takim – nënvizon Papa – të rinjtë shohin misionin e tyre, ndërsa të moshuarit realizojnë ëndërrat e tyre. E gjithë kjo, sepse në qendër të takimit është Jezusi”.

Gjithçka, u thotë Papa rregulltarëve, nis nga takimi me Zotin, i cili duhet mbajtur mend e kujtuar herë pas here. E duhet të presim edhe të papritura nga ky takim, siç ndodh në Ungjillin e sotëm, në të cilin të rinjtë ndjekin ligjin fjalë për fjalë, ndërsa Simeoni e Ana profetizojnë, ndonëse zakonisht, janë të rinjtë ata, që sjellin risi. Është e vërtetë se “të rinjtë janë të thirrur të hapin dyer të reja – nënvizon Françesku – por janë të moshuarit ata, që i kanë çelësat". Edhe një herë, Ati i Shenjtë vë theksin mbi dialogun ndërmjet brezave, të cilët duhet të takohen e jo t’ia mbyllin dyert njëri-tjetrit.

 Për këtë, i këshillon rregulltarët që, pavarësisht nga jeta e ethshme e ditëve të sotme, “të mos ndodhë të shohin celularin më shumë se sytë e sivëllait, ose të fiksohen mbi programet personale më tepër se në planet e Zotit”. Nëse ndodh e kundërta, jeta e shuguruar nuk do të tërheqë më askënd, sepse do t’i mungojnë rrënjët, trashëgimia e të vjetërve të kongregatës.

Papa Françesku nënvizon se qendra e gjithçkaje është takimi me Krishtin, që lëviz në dy binarë: “nga njëra anë, nisma e dashurisë së Zotit, nga e cila zë fill çdo gjë e ku duhet të kthehemi; nga ana tjetër, përgjigjja jonë”, e cila është dashuri e vërtetë kur nuk vë kushte, por kur “imiton Jezusin e varfër, të pastër e të bindur”.

 “Jeta e kësaj bote – vëren Ati i Shenjtë – ndjek kënaqësitë dhe dëshirat personale, jeta e kushtuar e çliron dashurinë nga çdo lloj prone e zotërimi, për t’iu kushtuar plotësisht Zotit dhe të tjerëve. Jeta e kësaj bote këmbëngul për të bërë çfarë do vetë, jeta e kushtuar zgjedh bindjen e përvuajtur si lirinë më të madhe. E ndërsa jeta e kësaj bote i lë shpejt bosh duart dhe zemrën, jeta sipas Jezusit i mbush me paqe deri në fund”.

 Ashtu si Simeonit dhe Anës, edhe rregulltarëve u bën mirë ta mbajnë Jezusin në duar. “Ta kesh Zotin në duar – thekson Papa – është ilaç kundër misticizmit të izoluar dhe aktivizmit të shfrenuar, sepse takimi i vërtetë me Krishtin sjell në hulli si sentimentalistët e devotshëm, ashtu edhe punëmëdhenjtë frenetikë. Ta jetosh takimin me Jezusin është ilaç edhe kundër paralizës së normalitetit”, është hapje e mendjes dhe e zemrës ndaj të papriturave të përditshme, që mund të sjellë Hiri i Tënzot.

 Në përfundim të meshës, Papa jep shembullin e grave, që shkojnë tek varri i Jezusit. Shkojnë për të parë një të vdekur, thotë Ati i Shenjtë, udha e tyre dukej e kotë, por nuk doli ashtu. “Edhe ju – i këshillon rregulltaret e rregulltarët – shkoni në botë kundër rrymës: jeta e kësaj bote e hedh poshtë me lehtësi varfërinë, pastrinë dhe bindjen. Por, si ato gra, shkoni përpara, pavarësisht nga shqetësimi për gurët e mëdhenj, që duhen zhvendosur. E si ato gra, takohuni të parët me Zotin e ringjallur e në jetë, shtrëngojeni fort pas vetes dhe kumtojani shpejt vëllezërve, me sy që shkëlqejnë nga gëzimi i madh. Do të jeni kështu agimi i përhershëm i Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.