2018-02-02 12:27:00

Papa, më 10 maj, në Nomadelfia e në Lopiano


Të enjten, më 10 maj, Papa Françesku do të shkojë për vizitë në bashkësinë e Nomadelfias, themeluar nga don Zeno Saltini në provincën e dioqezën e Grosseto-s. Lajmin e u dha sot drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Gerg Burke, së bashku me programin e udhëtimit.

Bashkësia është e përbërë nga katolikë praktikantë, që përpiqen të jetojnë sipas stilit të të krishterëve të parë, përshkruar në Veprat e Apostujve. Për shembull, në Nomadelfia nuk përdoret paraja, por të ardhurat nga puna e secilit mblidhen në bashkësi, e cila plotëson pastaj, kërkesat e familjeve, sipas nevojave. Të moshuarit, ose të sëmurët nuk janë në ngarkim vetëm të familjes, por të gjithë bashkësisë. Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve bëhet nga anëtarë të bashkësisë. Më pas, të vegjlit japin provime jashtë e konsiderohen si të ardhur nga shkolla private.

         Këtu, Papa Françesku do të lutet tek varri i themeluesit, do të vizitojë një grup familjar të bashkësisë e do të takohet me anëtarët e saj në kishën e Nomadelfias. Do të ketë një festë me të rinjtë dhe një përshëndetje nga ana e Atit të Shenjtë.

         Nga Nomadelfia, Papa do të shkojë në Lopiano, ku ndodhet Qyteza Ndërkombëtare e Lëvizjes së Fokolarinëve, në dioqezën e Fiezoles, provinca e Firences. Ati i Shenjtë do të lutet në shenjtëroren Maria Theotokos e në tremen e saj Papa do t’u përgjigjet pyetjeve të disa fokolarinëve, në takimin me bashkësinë e Qytezës. Pas përshëndetjes së një përfaqësie të bashkësisë, Françesku do të niset nga Loppiano për t’u kthyer në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.