2018-02-01 12:00:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)” n. 13


Emisioni i trembëdhjetë i rubrikës, duke vazhduar shfletimin e veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, titullohet: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Papa Eugjeni IV”. n. 13

Marrëdhëniet e para ndërmjet Gjergj Kastriotit dhe Papës Eugjeni IV nisin menjëherë pas disfatës turke në betejën e Nishit (3 nëntor 1443). Në takimin e parë, Papa i shprehu Kastriotit përgëzimet për rikthimin në trojet e në fenë e të parëve, pas një periudhe të gjatë mërgimi e luftërash  në oborrin e Adrianopojës e në fushat e betejave të Anatolisë. 1

Por rifillimi i marrëdhënieve ndërmjet Papës e Skënderbeut, apo nisja e tyre në dritën e diellit, duhet të ketë ndodhur në pranverën e vitit 1444, kur Eugjeni përgatiste ethshëm sulmin tokësor kundër turqve dhe i ftonte  të gjithë princat më të shquar kristianë të merrnin pjesë në këtë duel për jetë a vdekje.

Tani, nëse kemi parasysh interesimin e Papës për çlirimin e Serbisë, thirrjen drejtuar princit të shfronësuar dhe operacionet ushtarake të 1444, kuptohet menjëherë se Eugjeni IV e njihte mirë situatën  lindore e ishte thellësisht i shqetësuar, duke parë se armatat otomane i qaseshin ditë për ditë Perëndimit.

E pikërisht në këtë pranverë të 1444-ës, Papa Eugjeni i kërkoi Kastriotit  pjesëmarrjen e tij në sipërmarrjen ushtarake të Lidhjes së krishterë, në të cilën, siç dihet, prijësi shqiptar nuk mundi të marrë pjesë, duke e ditur se Sulltani, tejet e zemëruar, mezi ç’priste rastin ta ndëshkonte atë, që gjysma e botës së asokohshme e quante çlirimtar e gjysma tjetër, tradhtar.  

Sulltani, që e njihte mirë  temperamentin dhe vlerën e Kastriotit, para  se të mendonte për shpartallimin e Lidhjes së krishterë, vendosi të zhdukte një herë e mirë  pengesën e re. Dërgoi, prandaj, në Shqipëri, një ushtri të fortë e të stërvitur, me Ali Pashën në krye të 25 mijë burrave. Ishte ajo ushtri, që u thye me turp në Torvioll, duke u siguruar shqiptarëve fitoren e parë bujëmadhe.

Nga Bardheci - tek Cutolo 2, historianët e nënvleftësuan rëndësinë e kësaj fitoreje. E shikuan si ngjarje kombëtare për shqiptarët, ndërsa ajo pati jehonë të madhe evropiane.

Pas fitores së Torviollit, Papa, duke falënderuar Provaninë Hyjnore, e përgëzoi Kastriotin, të cilit shpejtoi t’i niste letra e t’i dërgonte ambasadorë, për ta nxitur të bashkonte armët e tij, me ato të mbretit të Hungarisë, Ladislaut. Në vijim, i bindur për arsyet e mospranimit, Eugjeni IV shprehu dëshirën të lidhte marrëdhënie të rregullta diplomatike me Kastriotin dhe emëroi Nunc Apostolik në Shqipëri, imzot Paganinon, Ipeshkëv i Ulqinit3

Në këtë kohë Papa Eugjeni përpiqej të bindte Venedikun, Gjenovën, Perandorinë Bizantine dhe princin e Karamanisë, të merrnin pjesë në sipërmarrjen e Lidhjes së krishterë. Por, për fat të keq, zëri i Papës nuk pati jehonën e pritur. Krerët e këtyre shteteve ishin tepër të shurdhër për ta dëgjuar këtë britmë largpamëse e vetmitare.

Me këtë rast, përveç presionit të Papës, edhe mbreti Ladislau i kishte drejtuar një letër Skënderbeut, duke e nxitur të ndërhynte. Por situata ndryshoi krejt papritur.

Humbja e turpshme e Torviollit e nxiti Muratin II të reflektonte mbi të panjohurat, që kishin çuar në krijimin e binomit Huniad-Skënderbe, prandaj shpejtoi të kërkonte armëpushimin të cilin, pavarësisht nga kundërshtimi i kardinalit Cesarini, legat papnor, mbreti Ladislau e pranoi, sepse ishte i volitshëm për Hungarinë e tij. Prandaj edhe e nënshkroi, në Seghedino, më 12 korrik 1944.

Tani, pavarësisht nga gabimi, ky armëpushim do të mund të sillte avantazhe të pallogaritshme, nëse koha e çmuar e verës do të ishte shfrytëzuar për organizmin e ushtrive dhe përgatitjen sa më të mirë të planit të sulmit. Por kjo nuk ndodhi. Koha kaloi me diskutime të mërzitshme, derisa mbreti Ladislau i dha fund armëpushimit e, pa farë urtie, nësa afrohej dimri i acartë ballkanik, nisi sulmin kundër ushtrisë otomane. Pasoi disfata e tmerrshme e Varnës (10 nëntor 1444) e, me vdekjen e mbretit Ladislau dhe të kardinalit Cesarini, sipërmarrja e Papës Eugjeni IV kundër turqve, përfundoi krejt pa lavdi.

Por dhembja e Papës do të lehtësohej nga një fitore e dytë e Kastriotit në Dibër, më 1 tetor 1445, ndërsa afrohej njëvjetori i disfatës së Varnës, gati-gati si të donte ta shlyente kujtimin e hidhur, që kishte lënë pas ploja e tmerrshme. Prej këndej, do të përpiqej për t’i thelluar më tej marrëdhëniet diplomatike me Gjergj Kastriotin. E ky do të jetë edhe argumenti kryesor i emisionit të ardhshëm. 

 

1. Sipas Fan Nolit (fq 50-51) i cili nga ana e tij shfrytëzon Lavardin (Histoire G. Castriot, Paris, 1576, parathënie), marrëdhëniet kishin nisur  shumë para betejës së Nishit, në kohën kur Gjergj Brankoviç, princ i Serbisë, i kërkonte ndihmë Papës, për të rimarrë mbretërinë e zaptuar nga Sulltani. E Papa, asokohe, ndërmjet princave, kishte ftuar edhe Skënderbeun, që luftonte në Lindje me trupat e Sulltanit.

Në këtë kohë e gjithë Shqipëria, e kryesuar nga Arianiti, kishte ngritur krye kundër turqve. E me që Arianiti u mund në vitin 1438, marrëdhëniet e para, natyrisht sekrete  - nisën rreth një vit para kësaj date.  Ky lajm nga Lavardin, i mbështetur mbi një jetë tjetër të Skënderbeut, shkruar në frëngjisht e humbur më pas - nuk bazohet mbi asnjë dokument. E nuk të duket aspak e lehtë për këtë kohë sipërmarrja e shkëmbimit të letrave dhe e e dërgimit të ambasadorëve tek Kastrioti, në zemër të Perandorisë otomane. Por, po të mendohet se ky lajm mbështetet nga ngjarjet e mëpasme dhe hedh shumë dritë lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Skënderbeut e Huniadit e mbi atë, që u quajt “pabesi” e Gjergj Kastriotit në betejën e Nishit, mund edhe ta besojmë si të vërtetë, sepse në përkim me rrethanat historike.

2 Alessandro CUTOLO, Scanderbeg, Milano, Istituto per gli studi di politica internazionale, 1940; Alessandro SERRA, Relazioni del Castriota con il Papato nella lotta contro i turchi (1444-68), «Archivio Storico Italiano», CXIV (1956), ...

3 Ark. Vat, Reg. E IV-XVc. 23, fq 255

 








All the contents on this site are copyrighted ©.