2018-01-31 12:20:00

Dosja e Karitasit: në rritje të uriturit dhe vdekjet nga uria


Problemet e popullsisë për shkak të ushqimit të keq janë sërish në rritje. Po kështu edhe vdekjet nga uria. E pohon këtë Raporti i OKB-së për vitin e kaluar, që flet për 815 milionë të uritur, ndër të cilët shumë fëmijë. 38 milion më shumë në krahasim me vitin 2016. 23% e tyre përqendrohen në Afrikën sub-sahariane. Nga këto statistika të qarta niset edhe dosja “Uri për paqe. Ushqimi i mohuar” i Karitasit Italian, botuar dje, në 70-vjetorin e vrasjes së Gandit, liderit të madh pacifist. Dosja synon të vërë në dukje kontradiktat e vazhdueshme të sistemit ekonomik global dhe të theksojë edhe një herë propozimet e fushatës “Një familje e vetme, ushqim për të gjithë: është detyrë e jona”, promovuar nga Kishat e të gjithë botës, që nga viti 2015.

Thirrja e Papës Françesku

Edhe Papa Françesku e përsëriti thirrjen e tij për solidaritet dhe bashkëpunim, duke u shkruar krerëve të shteteve anëtare të Bashkimit Afrikan, mbledhur në Adis Abeba të Etiopisë, para dy ditësh. “Të çlirohen popujt e Afrikës nga kërcënimi i urisë” kërkoi Papa e t’u kthehet dinjiteti gjithë burrave e grave, duke nxitur prodhimin bujqësor dhe ushqimor, si edhe rishpërndarjen e burimeve natyrore, përmes strategjive dhe projekteve të përshtatshme.

Mbështetja e Karitasit

Vetëm në Afrikën lindore, që nga fillimi i vitit 2017, rrjeti i Karitasit po mbështet më se 3 milionë e gjysëm persona, me më se 120 programe në Etiopi, Kenia, Somali, Sudanin e Jugut dhe në Ugandë, për një shumë prej 114 milion eurosh. Por krahas ndërhyrjeve për sigurimin e ushqimit, furnizimin me ujë dhe ndërtimin e rrugëve, kthesa e vërtetë kërkon edhe respekt, dialog, ndërmjetësim dhe zgjidhje paqësore të çdo konflikti, ashtu siç mësonte lideri i madh indian, Gandi.








All the contents on this site are copyrighted ©.