2018-01-30 12:23:00

Papa: reforma universitare e Kishës në “Veritatis gaudium”


Pas reformës së financave, të Kuries, të procesit për vlefshmërinë e martesës, një gur tjetër në mozaikun e reformave të Papës Françesku për të mbështetur “Kishën në dalje”. Ati i Shenjtë e quan “revolucion”, ndryshimin e normave dhe të rregullave për universitetet kishtare, përcaktuar në Kushtetutën “Veritatis Gaudium”, e cila u bë e njohur dje.

Fakultetet kishtare në botë, aktualisht, janë 289, ndërsa Institutet e lidhura me to arrijnë në 503. Në 28 universitete ka më shumë se një fakultet. Ndër fakultetet, 160 janë të Teologjisë, 49 të Filozofisë, 32 të së Drejtës Kanonike, 40 të disiplinave të tjera. Numri i studentëve arrin në 64.500, ndërsa ai i pedagogëve në 12.000. Nga kurset online e deri tek qëndrueshmëria financiare, ja disa nga risitë, për të cilat ju folëm pjesërisht edhe dje.

Vlerësimi

Universitetet mund të hapen vetëm pas miratimit të Agjencisë vatikanase për Vlerësimin dhe Nxitjen e cilësisë, Avepro, krijuar në shtator 2007 nga Papa Benedikti XVI. Tani, puna e saj hyn në normat institucionale.

Kurse online

Do të shfrytëzohen risitë informatike dhe të mësimdhënies në distancë përmes internetit, për t’u lejuar edhe atyre, që nuk kanë mundësi të zhvendosen, të ndjekin universitetin.

Refugjatët

Në Statute përfshihen procedura për vlerësimin e mënyrës së trajtimit të rasteve të veçanta. Është fjala për refugjatët, azilkërkuesit dhe njerëzit në gjendje të ngjashme, të cilët nuk kanë dokumentet e rregullta, që kërkohen për ndjekjen e shkollës.

Lëvizja dhe Erasmus

Në vendet, në të cilat Selia e Shenjtë ka lidhur marrëveshje ndërkombëtare, për të lehtësuar lëvizjen e studentëve dhe njohjen e titujve të studimit, përveç çertifikatës për nivelin akademik, studentët mund t’i kërkojnë fakultetit të tyre një dokument tjetër me informacione më të detajuara përsa i përket përmbajtjes dhe lëndëve të studiuara. Ndërkaq, për projektin “Erasmus”, që mundëson shkëmbimin ndërmjet universiteteve evropiane, parashikohet një takim me ambasadorët pranë Selisë së Shenjtë, për të vlerësuar si të realizohet kjo mundësi edhe për studentët e universiteteve të Kishës Katolike.

Shkrirjet dhe bashkimet

Do të bashkohen e do të shkrihen disa nga universitetet kishtare në Romë, për të shmangur dyfishimin dhe konkurrencën e kotë ndërmjet tyre.

Mbështetja financiare

Nuk do të jetë më e mundur të hapen universitete papnore, që nuk kanë burime ekonomike të mjaftueshme, ose numrin e duhur të studentëve.

Konfrontimi

Universitetet e Kishës duhet të konfrontohen me botën ndërfetare dhe me atë laike.








All the contents on this site are copyrighted ©.