2018-01-29 15:58:00

Papa në Shën Martë: nuk ka përvujtëri të vërtetë pa përunjësi


"Nëse nuk di dhe nuk mund ta jetosh poshtërimin, përunjësinë, nuk je i përvuajtur". Kjo është "rregulla e artë" të cilën Papa Françesku e kujtoi në homelinë e tij gjatë kremtimit të Meshës, në mëngjes në kapelën e Shën Martës, në Vatikan.

Në reflektimin e tij, përqendruar mbi figurën e Davidit Mbret, për të cilin flet Leximi I i liturgjisë së ditës së sotme, Papa Françesku nënvizoi se Davidi kishte "mëkate të mëdha": si "shkeljen e kurorës bashkëshortore dhe vrasjen e Urisë, burrit të Betsabesë".  E megjithatë – tha Papa Françesku – Kisha e nderon atë si shenjtë “sepse u pendua për mëkatet dhe e lejoj veten të shndërrohej nga hiri Zotit”, e "nuk është aq lehtë të jesh i vetëdijshëm se je mëkatar, t’i pranosh mëkatet, të pendohesh për to e të pranosh të shndërrohesh nga falja e hirit të Zoti”.

Papa Françesku nënvizoi se si Davidi poshtërohej jo vetëm me humbjen që pësoi dhe për ikjen, por ai fyhej edhe me fjalë, përbuzej. “Davidi ngjitej kodrës së ullinjve”, thotë akoma Fjala e Zotit. Kjo – vëren Papa – është profecia e Jezusit që ngjitet Kalvarit për të dhënë jetën për shëlbimin tonë: i fyer, i braktisur. Papa iu referua pikërisht përvujtërimit të Jezusit udhës së Tij të Kryqit. “Nganjëherë – shpjegoi Ati i Shenjtë Bergoglio - ne mendojmë se përvujtëria është të ecësh i qetë, të ecësh kokë ulur duke shikuar dyshemenë”. “Por edhe derrat ecin kokë ulur: e kjo nuk është përvujtëri”, tha Papa. “Kjo është përvujtëri sa për sy e faqe, prêt-à-porter, që nuk të shpëton e as nuk ta ruan zemrën”.

Për Papën “është mirë të mendojmë se: nuk ka përvujtëri të vërtetë pa përunjësi, e nëse ti nuk je i aftë të tolerosh, të bartësh mbi krahë përunjësinë, t’i durosh fyerjet, përbuzjet, ti nuk je i përvujtë: po shtiresh si i tillë, por nuk je”.

E nëse Davidi e bartë mbi shpatullat e veta peshën e mëkateve të tij. Jezusi e bartë peshën e mëkateve tona. Por që të dy, janë të përunjësuar”, shtoi Papa, duke nënvizuar se “ekziston gjithmonë tundimi për të luftuar kundër personit që na fyen, kundër atij që na prozhmon, që na turpëron”.  “Nuk është kjo udha”, qortoi Papa, duke na ftuar të “bartim, t’i durojmë përbuzjet e poshtërimet me shpresën në Zotin”. E mos të harrojmë atë që thoshte një motër rregulltarë – “Unë jam e përvuajtur, po, por e poshtëruar, kurrë!”. “T’ia kërkojmë këtë hir Zotit. T’i përngjajmë sa më shumë Jezusit zemër butë e të përvuajtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.