2018-01-29 14:20:00

Papa Françesku u kërkon universiteteve katolike një “revolucion kulturor”


Universitete katolike dhe fakultete kishtare më misionare, më të afta të dialogojnë në të gjitha fushat, të dëshmojnë lidhjet ndërmjet disiplinave të ndryshme shkencore dhe të krijojnë rrjet në botë. Këtë përvijon Kushtetuta e re Apostolike “Veritatis gaudium”, e cila reformon dhe azhurnon studimet e atenejve katolikë në botë. Kushtetuta është nënshkruar nga Papa Françesku më 8 dhjetorin e vitit të kaluar, por u bë e ditur sot, më 29 janar 2018. Që nga titulli është e qartë lidhja me Nxitjen apostolike “Evangelii gaudium” të vitit 2013, e cila përvijon idetë kryesore të papnisë së Françeskut. Dokumenti papnor publikohet 39 vjet pas kushtetutës “Sapientia christiana” të shën Gjon Palit II, në pranverën e vitit 1979.

Nevojitet ndryshim paradigme dhe revolucion i guximshëm kulturor

“Kërkesa parësore, sot, në rend të ditës – shpjegon Papa – është që i gjithë Populli i Zotit të përgatitet për të ndërmarrë me shpirt një etapë të re ungjillëzimi. Kjo kërkon një proces të vendosur shqyrtimi, purifikimi dhe reforme. E në këtë proces, një rol strategjik, duhet të luajë rinovimi i sistemit të studimeve kishtare. Vërtet, ato nuk janë të thirrura vetëm t’u ofrojnë vende dhe rrugë formimi të kualifikuar meshtarëve, njerëzve të jetës së shuguruar dhe laikëve të impenjuar, por përbëjnë një lloj laboratori providencial kulturor, në të cilin Kisha ushtrohet në interpretimin cilësor të realitetit, interpretim, që rrjedh nga Jezu Krishti”.

 Para ndryshimeve të mëdha të epokës sonë, para krizës antropologjike dhe ambientale, nevojitet ndryshimi i modelit të zhvillimit. “Problemi është – shkruan Papa Françesku – se akoma nuk e kemi kulturën e nevojshme për ta përballuar këtë krizë dhe duhet të krijojmë një lidership, që na tregon rrugën. Kjo detyrë e rëndësishme, që s’mund të shtyhet, kërkon, në nivelin kulturor të formimit akademik dhe në atë të punës kërkimore-shkencore, një impenjim bujar, që të çojë drejt ndryshimit radikal të paradigmës, madje – më lejoni të them – drejt një revolucioni të guximshëm kulturor”.

Teksti përbëhet nga dy pjesë

Teksti përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë, Papa përcakton katër parime kryesore. Në të dytën, përmbahen norma të përgjithshme, norma të veçanta (për fakultetin e teologjisë, të së drejtës kanonike dhe të filozofisë), si edhe norma përfundimtare. Një dokument i dytë, i bashkangjitur me Kushtetutën dhe i nënshkruar nga Prefekti i Kongregatës për Edukimin Katolik, kardinali Giuseppe Versaldi, përmban normat për zbatimin e saj.

Katër parimet kryesore

I pari nga katër parimet kryesore të dokumentit ka të bëjë me “identitetin misionar”: duhet të kthehemi në zemrën e Ungjillit, në thelbin e kumtit të krishterë, në “Lajmin e Mirë të Ungjillit të Krishtit, që mishërohet gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më mirë në jetën e Kishës e të njerëzimit”. Nga kjo varet përvoja e lirë dhe e përgjegjshme e Kishës për ta jetuar thelbin e saj mistik, që bëhet tharm në botë, duke dëshmuar vëllazërinë universale, e cila di të zbulojë Zotin tek i afërmi.

Kriteri i dytë, sipas Papës, është dialogu në të gjitha fushat, “jo si qëndrim thjesht taktik, por si kërkesë e brendshme për të provuar bashkërisht gëzimin e së vërtetës e për t’u thelluar në kuptimin e zbatimin e saj praktik”. Ati i Shenjtë e thekson edhe një herë konceptin e “kulturës së takimit”, aq të dashur për të. E në këtë këndvështrim, kërkon ai, duhen parë ndërtimi dhe metodika e kurrikulumeve të studimit, propozuar nga universitetet dhe institutet katolike nëpër botë.

Së treti, Papa Françesku vë në dukje kriterin e lidhjes ndërdisiplinore dhe transdisiplinore, pra, kërkon kapërcimin e parcelizimit të dijes dhe të njohurive shkencore. “Ajo që e kualifikon propozimin akademik, formativ dhe kërkimor të sistemit të studimeve kishtare – shkruan Ati i Shenjtë – si në nivelin e përmbajtjes, ashtu edhe në atë të metodës, është parimi jetësor dhe intelektual i unitetit të dijes”, pavarësisht nga shprehjet e saj të shumta, që vërtet janë të ndara, por lidhen dhe konvergjojnë tek njëra-tjetra. Sot, siç vinin në dukje papët Pali VI dhe Benedikti XVI, “mungon dija, reflektimi, mendimi në gjendje të arrijë në një sintezë orientuese”. Papa Françesku nuk kërkon formën më të dobët të lidhjes ndërmjet lëndëve të ndryshme, që është ajo e multidisiplinaritetit, e cila të ndihmon në kuptimin më të mirë të një objekti të studimit, pasi të bën ta shohësh atë nga disa këndvështrime. Papa kërkon transdisiplinaritetin – siç e quan – pra, vendosjen dhe fermentimin e të gjitha dijeve në hapësirën e dritës e të jetës, që ofron dija e zbulesës së Zotit.

Së fundi, parimi i katërt ka të bëjë me aftësinë për t’u lidhur në rrjet: jo vetëm për të zbatuar parimin “kush ka më shumë ndihmon atë që ka më pak”, por për të nxjerrë në pah kontributin pozitiv dhe pasurues të realiteteve më periferike.  

Të krijohen hapësira dialogu ndërmjet studiuesve

Për Papën, bëhet i domosdoshëm krijimi i qendrave të reja e cilësore kërkimore-shkencore, në të cilat të mund të hyjnë në dialog, “me liri të përgjegjshme e me transparencë të ndërsjelltë”, studiues nga fusha të ndryshme fetare dhe shkencore, për të arritur kështu në zgjidhje, që orientojnë kujdesin për natyrën, mbrojtjen e të varfërve, ndërtimin e një rrjeti respekti dhe vëllazërie.

Risitë “teknike”

Risitë më “teknike” kanë të bëjnë me fusha të ndryshme, që nga risimi i normativave - ku tani përfshihen edhe të gjitha dokumentet pas kushtetutës së vitit 1979 - e deri në disa të reja, që janë bërë të domosdoshme, për shkak të ndryshimeve të shoqërisë. Për shembull, i ashtuquajturi “Bologna process”, procesi i reformës ndërkombëtare të sistemeve të arsimit të lartë në Bashkimin Evropian, filluar në vitin 1999, për të realizuar Hapësirën evropiane të arsimit të lartë. Vatikani është pjesë e tij që nga viti 2003 e qe pikërisht Papa Benedikti XVI, që krijoi Agjencinë e Selisë së Shenjtë për vlerësimin dhe nxitjen e cilësisë në universitetet e në fakultetet kishtare, Avepro. Pastaj, ka konventa e marrëveshje të nënshkruara vitet e fundit, si edhe themelimi i masterave, për të cilët nuk kishte norma.

Pyetësori për Sinodin e të rinjve

Dokumenti i publikuar sot ka të bëjë me studimet universitare dhe me fakultetet kishtare, por Kongregata e kryesuar nga kardinali Versaldi ka kompetenza në të gjithë botën përsa i përket edukimit katolik, ku përfshihen edhe kopshtet, shkollat fillore, tetëvjeçare e të mesme. Në të gjithë botën, rreth 70 milion studentë ndjekin shkolla katolike të nivelit të ndryshëm. Për këtë arsye, duke pasur parasysh Sinodin e të rinjve, që do të mbahet në tetor, Kongregata do të formulojë një pyetësor të veçantë për shkollat e mesme dhe universitetet, për të kuptuar si e jetojnë fenë të rinjtë, që i frekuentojnë.








All the contents on this site are copyrighted ©.