2018-01-28 11:00:00

Mesha e Papës në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe


“Nëna e Zotit nga Lidda”, por të gjithë e njohin si “Zoja e Romës”, ose si Salus Populi Romani: kjo është fugurja kaq e dashur për Papën Françesku, i cili sot, me rastin e festës së Zhvendosjes së saj, për herë të parë, kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Është vizita e 60-të e Papës tek fugurja e Zojës – Salus Populi Romani. Shenjë e re e devocionit të Françeskut për Virgjërën në Festën e ikonës së saj, që kremtohet çdo vit, të dielën e fundit të janarit. Për këtë fugure, Papa Pali V pati dhënë urdhër të ndërtohej, në vitin 1611, një kapelë brenda Bazilikës, ndërsa Papa Piu XII shkoi ta nderonte pas shpalljes së dogmës së Ngjitjes së Zojës në Qiell, në vitin 1950. Kryeprifti i Bazilikës, Stanislaw Rylko, e shpjegon kështu, në mikrofonin tonë, Festën e Zhvendosjes:

Çdo vit, të dielën e fundit të janarit, në Bazilikën e Zojës së Madhe kremtohet festa e Zhvendosjes së fugures “Salus Populi Romani”, e cila është falenderim koral drejtuar Zotit për praninë e kësaj ikone të shenjtë në Bazilikën liberiane. Sipas traditës, fugurja erdhi në Romë nga Lindja e krishterë, duke u bërë Zoja e Romës. Papa Françesku, edhe si kryeipeshkëv i Buenos Airesit, nuk mungonte të vizitonte Bazilikën, kur vinte në Romë. Erdhi për ta falenderuar Zojën edhe kur u zgjodh papë e, siç dihet, vjen për t’u lutur para e pas nisjes për në udhëtimet e tij apostolike.

 Këtë të dielë, fugurja mund të themi se u kthye në Bazilikë, pas restaurimit të gjatë, realizuar në Muzetë e Vatikanit…

Pas një ndërhyrjeje të gjatë dhe impenjative restaurimi, realizuar me përkushtim e dashuri nga njerëz tejet të kualifikuar në laboratorin e restaurimeve të Muzeve të Vatikanit, fugurja kthehet në vendin e vet. Kalimi i shekujve e kishte errësuar fytyrën e Virgjërës dhe Birit të saj, prandaj, na u desh ta kthenim në shkëlqimin dhe shndritjen e zanafillës, për ta rivendosur në elterin e kapelës paoline, të cilën e pastruam, që të jetë fron i denjë për Nënën e Zotit. Romakët u mblodhën të shumtë sot për Papën e për Zojën, duke iu lutur asaj për kryeqytetin e Italisë, për Kishën e veçanërisht për Atin e Shenjtë Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.