2018-01-26 12:14:00

Dita e komunikimeve shoqërore: kard. Parolin, profesioni i gazetarëve është kompleks, por themelor për një shoqëri të lirë e pluraliste.


Dita e komunikimeve shoqërore: kard. Parolin, profesioni i gazetarëve është kompleks, por themelor për një shoqëri të lirë e pluraliste. Përfundoi sot edicioni i 22-të i Ditëve të Shën Françesku nga Sales, pajtor qiellor i gazetarëve, me temën "Mediat dhe e Vërteta".

Në shenjtëroren mariane, pra, të Zojës së Bekuar në Lurdë të Francës, para imazhit të Virgjërës Mari, më shumë se 300 gazetarë, nga 26 vende, kanë marrë pjesë në Meshën e udhëhequr nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Në homeli kardinali u ndal te profesioni i ndërlikuar (kompleks) i gazetarit, i cili është, në të njëjtën kohë, themelor për një shoqëri të lirë dhe pluraliste, siç pohon Papa Françesku: "Pak profesione influencojnë shoqërinë si gazetarët". Nga ky faktor vjen edhe rëndësia e rolit të gazetarit dhe përgjegjësia e tij tejet e madhe në shoqëri. Kardinali Parolin iu referua, pastaj, leximit të parë të Meshës së sotme, nga Letra e Shën Pali drejtuar Titit, në të cilën apostulli thotë se është në shërbim të Zotit "për ta bërë të njohur të vërtetën që shpie tek dhembshuria, tek mëshira": dhembshuria që për të krishterët nuk është tjetër përveç imitim i Krishtit, duke përjetuar dashurinë që pasqyron fytyrën e Atit Hyjnor.

Mirëpo çka është e vërteta? Kard. Parolin, duke iu referuar fjalës e vërteta’ në hebraisht, "emet", rrënjë nga e cila vjen fjala jonë që përdorim në liturgji "Amen", e që domethënë "është e vërtetë", theksoi se e vërteta është një qëndrim dhe një sjellje besnike, një sjellje e besueshme. Shën Gjoni në Letrën e tij na kujton se nëse veprimet tona nuk janë besnike dhe të besueshme, do të jemi gënjeshtarë, që shpërndajnë e përhapin një lloj “fake news” "lajme të rreme". Duke përfunduar homelinë e tij, i kard. Parolin theksoi se e vërteta për ne të krishterët është një person, është Krishti që thotë "Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta". Prandaj, mund të depërtojmë në thellësinë e së vërtetës duke ndjekur Krishtin, duke ecur përvujtërisht  dhe duke jetuar në bashkim e në bashkësi me Të si dhe me vëllezërit tanë.








All the contents on this site are copyrighted ©.