2018-01-25 14:20:00

Papa: katolikët dhe luteranët të dëshmojnë sa qendror është Zoti


Katolikët dhe luteranët, të thirrur të dëshmojnë së bashku praninë e “Zotit të gjallë” në mesin e shoqërive gjerësisht të shekullarizuara. Këtë kujton Papa në fjalën e sotme për delegacionin e Kishës Ungjillore Luterane të Finlandës, të cilin e priti në Vatikan.

         “Sfida kryesore e përbashkët e ekumenizmit është të theksojë centralitetin e çështjes së Zotit, jo të një Hyji çfarëdo, por të atij Zoti, që e zbuloi fytyrën e Tij konkrete në njeriun Jezus të Nazaretit”.

        Rast për shtegtimin në Romë të delegacionit të shoqëruar nga ipeshkvi luteran i Espoo-së, është festa e shën Henrikut.

Përkujtimi i Reformës e forcoi bashkimin

         Papa Françesku përmend me dëshirë përkujtimin e përbashkët të Reformës luterane, vitin e kaluar. Përkujtim, nënvizon, që e forcoi bashkimin dhe ishte rast i frytshëm për ekumenzimin, pasi shënoi “jo pikëmbërritjen, por pikënisjen” e kërkimit të unitetit të plotë e të dukshëm. Por, sipas Atit të Shenjtë, kujtesa historike duhet shëruar nga problemet e kaluara e për këtë, nevojiten tri qëndrime: mirënjohja, pendesa dhe shpresa.

Asnjë gjurmë nga debatet e konfliktet e së kaluarës

         Luteranët dhe katolikët mundën të kremtojnë 500-vjetorin e Reformës “në bashkim ekumenik”, sepse “nuk u përmendën aspak debatet dhe konfliktet e së kaluarës”, shpjegon Françesku. “E kuptuam përkujtimin e Reformës si ftesë për t’i bërë ballë së bashku humbjes së besueshmërisë së krishterimit”. Kështu, viti 2017 u kujtoi të gjithëve kohën kur të krishterët ishin akoma të bashkuar. Prandaj, katolikët dhe luteranët mundën të dëshmonin së bashku sa qendrore është çështja e Zotit në shoqërinë bashkëkohore.

Përpjekjet të përqendrohen në çështjen e natyrës së Kishës

         Tani, nënvizon Papa, përpjekjet po orientohen drejt studimit të një çështjeje ekumenike parësore: “çështja e natyrës së Kishës”. Në dokumentin e fundit të Komisionit për dialogun luterano-katolik, me titull “Bashkim në rritje. Deklaratë mbi Kishën, eukaristinë dhe shërbimin”, ka tema vendimtare për mënyrën e vijimit të dialogut ekumenik. Pas konsensusit mbi çështjet themelore të doktrinës së justifikimit, rrjedhojat e asaj marrëveshjeje për Kishën “duhet të jenë pa tjetër në rend të ditës së dialogut ekumenik”.

Të krishterët janë shërbëtorë të dashurisë së Krishtit

         Papa Françesku ndalet më pas, në Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke kujtuar gjendjen e rëndë të shumë njerëzve në botë. Për ta, thekson Ati i Shenjtë, duhet të impenjohemi në maksimum. Së fundi, ftesa për t’iu lutur Krishtit që “të gjithë të krishterët të jenë mjete të paqes së tij” e të veprojnë së bashku, “në mesin e popujve të ndarë”, si shërbëtorë të dashurisë së tij, që “shëron e pajton”.








All the contents on this site are copyrighted ©.