2018-01-25 15:24:00

Në audiencë te Papa Presidenti Republikës së Afrikës Qendrore


Papa Françesku priti sot në audiencë, në Vatikan, Presidentin e Republikës së Afrikës Qendrore, Faustin Archange Touadéra

Gjatë bisedimeve, që u zhvilluan në një atmosferë të përzemërt - thuhet në një njoftim të Sallës së Shtypit të Vatikanit – u përmenden marrëdhëniet e mira ekzistuese midis Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Afrikës Qendrore, të cilat u përforcuan edhe më tej nga Marrëveshja Kuadër midis Selisë së Shenjtë e Republikës së Afrikës Qendrore, nënshkruar në Bangui më  6 shtator 2016, dhe në vijim u shpreh mirënjohja e veçantë për vëmendjen e veçantë me të cilën Ati i Shenjtë dhe Kisha katolike e shoqërojnë jetën e vendit. Pas audiencës me Papën, kreu i shtetit të Afrikës Qendrore u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Paul Richard Gallagher.

Në këtë takim, u fol mbi gjendjen kombëtare në Afrikën Qendrore, u vlerësuan në mënyrë të veçantë përpjekjet pozitive që synojnë rimëkëmbjen dhe stabilitetin politiko-institucional. Në vazhdim të bisedimeve u përmenden  zhvillimet e fundit dhe problemet që ekzistojnë në në shumë rajone të vendit, si dhe pasojat e rënda të këtyre çështjeve në planin humanitar, duke uruar e kërkuar një bashkëpunim gjithnjë më të dobishëm ndërmjet forcave të ndryshme në favor të së mirës së përgjithshme të përbashkët të mbarë Kombit, e duke kujtuar, më tej, edhe rolin e rëndësishëm që luajti Komuniteti Ndërkombëtar për promovimin e bashkëjetesës paqësore dhe për pajtimin kombëtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.