Është një e mërkurë e veçantë kjo, për fëmijët e Shoqatës “Engjëjt luftëtarë të Tokës së Zjarreve”. Paradite, takimi me Papën Françesku në audiencën e përgjithshme e pastaj, dreka dhe festa e përgatitur nga të burgosurit e Ishullit Solidar, një strukturë, e cila, prej 50 vjetësh, u jep mundësi që, ndërsa vuajnë dënimin, të punojnë tokën dhe të kujdesen për kafshët, duke kaluar kështu disa orë në ajër të pastër.
E sot patën të ftuar të veçantë për drekë. Ishin fëmijët-pacientë onkologjikë, me prindërit dhe shoqëruesit, të cilët kaluan me ta një ditë të gëzueshme, duke e harruar trishtimin dhe mërzitjen e sëmundjes.
“Është bukur të dish se po bën diçka për të tjerët” thotë njëri nga të burgosurit, që punon në kuzhinë e që, pavarësisht se e ka mbaruar dënimin, ka vendosur të shërbejë akoma, edhe këtë ditë, për t’ua bërë atë më të bukur fëmijëve, larg nga frika dhe problemet e përditshme.
“Në takimin tonë me Papën, i besuam lutjen për të gjithë fëmijët e sëmurë me tumor në zonën tonë dhe në botë. Janë gjithnjë e më shumë, fatkeqësisht”. Kështu flet me emocion, kryetarja e Shoqatës “Engjëjt luftëtarë të Tokës së Zjarreve”, Tina Zaccaria. “Nuk e prisnim një mikpritje të tillë: Papa na dha një Rruzare të vogël për secilin e fëmijët ishin të lumtur”. Ajo vetë është nënë e një vajze të vogël, që nuk arriti të fitojë mbi tumorin e ndërroi jetë. Tani ia ka kushtuar kohën e saj më se 30 familjeve të shoqatës. Gjendja është akoma e rëndë, tregon ajo për një zonë të Italisë afër Napolit, ku për shkak të ndotjes së ambientit, rastet me tumor janë rritur. “Shumë familje mësojnë për sëmundjen e fëmijëve menjëherë pas lindjes së tyre: nuk mund t’i braktisim”, thotë Tina, që nënvizon se mosha e fëmijëve te prekur nga tumori shkon nga të sapolindurit deri në 17-vjeçarët.
Por si mund të jetojë një nënë, pasi i ka vdekur fëmija e vet? “Besoj – thotë Tina Zaccaria – se fëmijët tanë, pasi luftuan si dragoj deri sa u bënë engjëj, na mësuan pikërisht si të ecim përpara. Sekreti është ta harrosh dhimbjen personale, për të përqafuar vuajtjen e të tjerëve, duke parë tek secili luftën për jetën të fëmijëve të tu”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |