2018-01-24 13:14:00

Papa: informacioni ta fitojë betejën me "lajmin e rremë" duke kërkuar të vërtetën


Ne kemi nevojë për një gazetari që "nuk i djeg lajmet", por gjithnjë kërkon të vërtetën dhe "impenjohet për të gjetur zgjidhje alternative në vend të shkallëzimit të zhurmës e të dhunës verbale". Në mesazhin për Ditën e Komunikimeve Shoqërore, që u bë i njohur sot, Papa Françesku u kërkon operatorëve të komunikimit, pra, mediave, të kthehen në themelet e profesionit të tyre, madje, edhe më mirë, t’i kthehen "misionit" të tyre, shkruan Papa Bergoglio: "Tё jenë rojtarë lajmeve". Tema e mesazhit "E vërteta do t'ju bëjë të lirë. Lajmi i rremë dhe gazetaria e paqes" është shumë aktuale e, Papa Françesku kujton se edhe paraardhësi i tij Papa Pali VI, në vitin 1972, pati zgjedhur për Ditën e Komunikimit Shoqëror pikërisht temën e informacionit "në shërbim të së vërtetës".

Dizinformimi diskrediton njerëzit dhe nxit konfliktet

Në pjesën e parë të Mesazhit, Papa Françesku analizon fenomenin e lajmit të rremë (fake news). Lajmi i rremë, vëren Ati i Shenjtё, synon të "mashtrojë e madje edhe ta manipulojë lexuesin". Dhe vëren se nganjëherë përhapja e këtyre lajmeve synon të "ndikojë në vendimet politike e të favorizojë përfitime ekonomike". Në ditët e sotme, përhapja e tyre "mund të mbështetet e ndihmohet nga përdorimi manipulues i rrjeteve sociale (social netëork )" që i bëjnë lajmet e rreme "virale". Drama e dizinformimit, paralajmëron Papa Françesku, është "diskreditim i tjetrit, përfaqësimi i tij si armik", që madje mund edhe të "nxisë konflikte". Dhe nё vazhdim, Papa nёnvizon se dizinformimi shpesh i ka rrënjët e veta "në etjen për pushtet" që "lëviz nga gënjeshtra në gënjeshtër për të na vjedhur lirinë e zemrës".

Lajmet e rreme bazohen në "logjikën e gjarprit", ato nuk janë kurrë të padëmshme

Të gjithë, nxit Papa Françesku, janë të thirrur tu vënë fre këtyre gënjeshtrave. Ati i Shenjtë vë theksin mbi “nismat edukative", që ndihmojnë  të "mos bëhemi përhapës tё pavetëdijshëm tё keqinformimit, por aktorë tё zbulimit e të nxjerrjes nё shesh të tij". E këtu Papa, duke përmendur Librin e Zanafillës, vëren se nё bazёn e informacionit të rremë është "logjika e gjarprit", i cili, në njëfarë mënyre, është "protagonisti i lajmit tё parё të rremë". Tunduesi, lexojmë në Mesazh, "duket si i besueshëm" dhe synon "joshjen, që hap rrugën e saj në zemrën e njeriut me argumente të rreme dhe tërheqëse". Pikёrisht ashtu si lajmet e rreme. Ky episod biblik, vazhdon Papa, tregon se "asnjë keqinformim nuk është i padëmshëm. Madje, besimi në çka është e rreme sjell pasoja tё kobshme, katastrofike", pasi edhe "një shtrembërim i lehtë i së vërtetës mund të ketë efekte të rrezikshme".

Kërkimi i së vërtetës është ilaçi më radikal kundër virusit të gënjeshtrës

"Ata që gënjejnë veten dhe dëgjojnë gënjeshtrat e tyre - shkruan Françesku, duke cituar Dostojevskin, autor veçanërisht i dashur për të - shkojnë aq larg sa të mos jenë më në gjendje ta dallojnë të vërtetën". Dhe pikërisht e vërteta, nënvizon Mesazhi, është ilaçi më i fuqishëm kundër "virusit të gënjeshtrës". Prandaj, duke zgjeruar horizontin, Papa vë nё dukje se "çlirimi nga gënjeshtra dhe kërkimi i marrëdhënieve" janë "dy elemente, të cilat nuk mund të mungojnë, qё fjalët dhe gjestet tona tё jenë të vërteta, autentike, të besueshme".

Gazetari është "roja e lajmeve", duke kapërcyer logjikën e sensacionalizmit

Njerëzit dhe jo strategjitë, nёnvizon Papa, janë ilaçi më i mirë “kundër gënjeshtrave". Njerëz, shton ai, të cilët "janë të lirë nga lakmia, janë gati të dëgjojnë dhe, përmes përpjekjes për dialog të sinqertë, mundësojnë të dalë nё pah e vërteta". Kështu vё nё dukje përgjegjësinë e gazetarëve në punёn e informimit. Gazetari, ripohon Mesazhi, është "kujdestar i lajmeve" dhe ka pёr detyrë që, "në valën e frenezisё së lajmeve dhe në vorbullën e sensacionalizmit, të kujtojë se në qendër të lajmit nuk ështё shpejtësia e publikimit të tij e as ndikimi apo jehona e tij në audiencë, por janё njerëzit".

Të nxitet një gazetari e paqes, që krijon bashkim

Mesazhi i Papёs Françesku mbaron me një thirrje të fortё e tё përzemërt për një "gazetari të paqes". Nuk është fjala, paralajmëron Ati i Shenjtё, pёr "një gazetari qё më bën të ndjehem mirë, e cila mohon ekzistencën e problemeve serioze", por pёr një gazetari "pa shtirje, armike e gënjeshtrës, e parrullave sa për efekt dhe e deklaratave bombastike". Lypet, shkruan Papa, një gazetari, qё "bëhet nga njerëzit për njerëzit", një gazetari si "shërbim", për t’u dhënë zë atyre, që nuk kanë zë. Dokumenti përfundon me një lutje të frymëzuar nga Shën Françesku i Asizit. "Bëj ta njohim të keqen, e cila depërton në komunikimin që nuk krijon bashkim" është lutja e Papës , e “aty ku ka sensacionalizëm, bёj që ne tё përdorim thjeshtësinë, qartësinë" dhe " ku ka gënjeshtër, bёj tё sjellim të vërtetën".








All the contents on this site are copyrighted ©.