2018-01-24 13:20:00

Papa Françesku e ngre zërin në favor të të drejtave të jezidëve


Njohje, mbrojtje, respekt. Papa Françesku e ngre zërin – kjo, shprehja që përdor – “në favor të të drejtave të jezidëve”, bashkësi e persekutuar myslimanësh, vrarë “për shkak të përkatësisë së tyre fetare”, sidomos në Irak e në Siri. Para audiencës së përgjithshme, Ati i Shenjtë takohet me një përfaqësi të tyre nga Gjermania dhe i kërkon botës të drejtën që jezidët të ekzistojnë si bashkësi e veçantë fetare:

“Askush nuk mund të ketë pushtetin për ta zhdukur një grup fetar, vetëm sepse nuk bën pjesë në të ashtuquajturit ‘të toleruar’”.

Barbari çnjerëzore dhe pa kuptim

Françesku flet për “viktima të pafajshme të barbarisë çnjerëzore e pa kuptim”. Kjo është “e papranueshme”, sepse “çdo njeri ka të drejtën ta shprehë lirisht e pa kufizime besimin e vet fetar”:

 “Historia juaj, e pasur me përshpirtëri dhe kulturë, fatkeqësisht, është shenjuar nga dhunimi i paparë i të drejtave themelore të njeriut: rrëmbime, skllavëri, tortura, kthime me forcë në fe tjetër, vrasje. Shenjtëroret dhe vendet tuaja të kultit janë shkatërruar. Më fatlumët prej jush mundën të ikin, por duke lënë pas gjithçka kishin, edhe gjërat më të dashura e më të shenjta”.

Denoncimi i Selisë së Shenjtë

Papa kujton se në shumë anë të botës ka akoma pakica fetare dhe etnike, ndër të cilët edhe të krishterët, që persekutohen, për shkak të fesë:

“Selia e Shenjtë nuk lodhet së ndërhyri për t’i denoncuar këto situata, duke kërkuar njohje, mbrojtje dhe respekt. Njëkohësisht, nxit për dialog dhe pajtim, që të shërohet çdo plagë”.

Njeriu, i aftë të planifikojë zhdukjen e tjetrit

 Nga zemra e njeriut, vijon Papa, mund të shpërthejnë forcat më të errta, të afta të planifikojnë “zhdukjen e vëllait”, ta konsiderojnë atë “armik, kundërshtar, e madje, edhe individ pa të njëjtin dinjitet njerëzor”. Ati i Shenjtë nuk harron anëtarët e bashkësisë jezide, akoma në duart e terroristëve:

“Uroj me gjithë shpirt të bëhet ç’është e mundur për t’i shpëtuar; po ashtu, edhe për të gjetur të humburit e për të identifikuar e varrosur denjësisht të vrarët. Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të bëjë sehir, pa folur e pa reaguar para dramës suaj”.

Kthimi i refugjatëve

Papa u bën thirrje edhe njerëzve vullnetmirë të bashkësive të tjera të kontribuojnë në rindërtimin e shtëpive dhe të vendeve të kultit jezid, duke krijuar kushtet për kthimin e refugjatëve e për ruajtjen e identitetit të tyre. Framçesku i lutet Zotit të na ndihmojë “të ndërtojmë së bashku një botë, ku të jetojmë në paqe e vëllazërim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.