2018-01-24 16:11:00

Evalda Paci: Rreth Koncilit të Arbënit (1703) dhe Akteve përkatëse të botimit të tij


Po propozojmë një shkrim tё prof. Evalda Paci mbi Koncilin e Arbenit(1703) dhe çështje që lidhen me përmbajtjen e Akteve të botimit të tij (1706).

Evalda Paci: Rreth Koncilit të Arbënit (1703) dhe Akteve përkatëse të botimit të tij

Nos Vincentius Zmajevich Dei et Apostolicae Sedis gratia Archiepiscopus Antibarensis, Dioclensis, totius Regni Serviae Primas, Visitator Apostolicus Albaniae, de Reverendissimorum DD. Coepiscoporum nostrorum, caeterorumque, qui Albanae Synodo legitime intersunt, consilio, et assensu, ad laudem, et gloriam Omnipotentis Dei, Fidei conservandae propagationem, et morum reformationem, statuimus, decernimus, et sancimus.

(Decreta edita in Provinciali sive Nationali Synodo Albana).

Historia e dokumentimit shkrimor të gjuhës sonë shënohet hershëm nga dëshmi fragmentare që u prijnë në kohë veprave që lidhen me një periudhë me rëndësi të historisë së shkrimit shqip. Dëshmi të tilla shfaqen më solide rreth vitit 1555, nëse flasim për vepra më të plota në pikëpamje të kompaktësisë tekstore dhe unitetit përmbajtësor, për t’u përforcuar me sprova të lëvdueshme në pikëpamje të shqipërimit e përshtatjes së manualeve kateketike të kohës në vitet 1618-1621 e më tej me vepra të natyrës leksikografike (1635), duke kulmuar me një realizim koherent në këndvështrim të trajtesave filozofike e ezegjetike, siç është vepra Cuneus prophetarum e Pjetër Bogdanit, botuar së pari në Padova, në vitin 1685.

Çështjet e trajtimit të fillimit të shkrimit shqip e historiku përkatës janë bërë objekt studimesh kryesisht të natyrës historiografike, ndaj të cilave elementet gjuhësore e detajet e karakterit filologjik japin një ndihmesë të padiskutueshme, si udhërrëfyes të një metode kërkimore që hedh dritë mbi brendinë e dokumenteve që datojnë para vitit 1555 e gjithashtu si mbështetëse të konsideratave që mëtojnë ta dëshmojnë më të hershëm në pikëpamje kronologjike inicimin e një tradite shkrimore që njëkohësisht provon se pikë së pari në viset tona synohej të lëvrohej kultura e mendimit dhe ajo e shkrimit, pavarësisht gjuhës së përdorur, e cila ndër të tjera dhe me mbizotërim të vetëkuptueshëm duhet të ishte latinishtja librore. Një çështjeje të tillë historiani dhe filologu i ndjerë Injac Zamputi i kushton një prej studimeve më të rëndësishme të tij në këtë fushë gjurmimesh, duke nënvizuar rëndësinë që paraqesin dhe detajet më të vogla tekstore në dritë të interpretimit përmbajtësor të dëshmive fragmentare që bëjnë fjalë pikërisht për këtë argument, lëvrimin e shkrimit ndër shqiptarë dhe traditën e kulturës së librit ndër ta.[1]

Një traditë e tillë vijon të përfaqësohet në ditët tona me një numër dokumentimesh shkrimore që variojnë nga dëshmi të shkëputura e që kërkojnë pa dyshim gjurmime të mëtejme sa i takon datimit dhe saktësimit kronologjik përkatës, në vepra më të plota që  janë një pasqyrë e përpjekjeve aspak spontane për të lëvruar shkrimin shqip në sprova që lidhen me praktikën e liturgjisë, në veçanti asaj të përditshme dhe me qëndrueshmërinë e besimit të krishterë në viset tona.

Përveç Mesharit të Gjon Buzukut, autori i të cilit na jep vitin 1555 si vit të përfundimit të fëdigës së tij me lavrimin e të shkruomit të shenjtë në gjuhën tonë, sprovave të Pjetër Budit që në një hapësirë të ngushtë kohore realizoi shqipërimin e doracakëve që mbështeteshin fuqishëm nga Kisha e Romës mbas përfundimit të punimeve të Koncilit të Trentit, Dicionarit latinisht-shqip të Frang Bardhit(Romæ, 1635), botimi i të cilit paraprin atë të veprës së Pjetër Bogdanit (Patavii, 1685), një vepër me vlerë të shumëfishtë përfaqëson botimi i Akteve të Koncilit të parë të Arbënit (Provintiale sive Nationale Concilium Albanum), punimet e të cilit zhvillohen gjatë vitit 1703, pikërisht gjatë pontifikatit të Papës Klementi XI, emri i të cilit është i lidhur pazgjidhshmërisht me këtë ngjarje të shënuar për historinë e Kishës së Romës e për provincën përkatëse shqiptare. Fillimet e këtij pontifikati datojnë në fund të vitit 1700, pothuaj tre vjet para fillimit të ndërmarrjes aspak të lehtë për të mbajtur e mbështetur një koncil solemn kishtar në viset e Arbënit.[2]

Vëmendja e Papës Klementi XI ndaj zhvillimeve konkrete të kishës shqiptare dhe vullneti për konsolidimin e saj nënvizohet së tepërmi dhe në materialet tekstore që shoqërojnë shtjellimin e akteve përkatëse të këtij koncili. Letrat dedikatore me të cilat hapet korpusi i këtyre akteve i drejtohen në mënyrë eksplicite personalitetit të këtij pontifeksi, dhe njëkohësisht hedhin dritë mbi një realitet të dhimbshëm që sundonte në viset tona si rrjedhojë e një pushtimi të egër që zgjaste tashmë prej kohësh, me pasoja jo të vogla dhe në jetën shpirtërore e ekonomike të popullsive vendase.[3]

Përfaqësojnë të tilla letra jo vetëm një motiv përkimi me tekste të ngjashme të veprave të tjera të së njëjtës traditë shkrimore në shqipe, por dhe një përmbajtje të qartë ndaj modeleve të kohës, në të cilën botime të kësaj natyre parapriheshin me çdo kusht nga kushtime të tilla, të zgjeruara dhe në pikëpamje të përmbajtjes dhe të celebrimit të personit që përfaqësonte hierarkinë e kohës apo motivonte daljen në dritë të shtypit të veprës së shkruar.

Janë pikërisht këto dokumente introduktive të botimit të Akteve që dëshmojnë qartë interesimin e Papës Klementi XI ndaj mbarëvajtjes dhe ripërtëritjes së jetës kishtare e praktikës liturgjike në vendin tonë, të lënduara dhe të rrëgjuara në mënyrë të ndjeshme nga ç’ndodhte në mënyrë të vazhdueshme në viset ku praktikohej besimi i krishterë dhe ku më tepër kishte trysni për ta tronditur qëndrueshmërinë e këtij besimi. Mjafton të lexojmë relatimet e vijueshme të vizitës baritore që Emzot Bizzi, kryeipeshkvi i Tivarit  zhvillon në viset shqiptare gjatë vjetit 1610, të dokumentuara në mënyrë të detajuar dhe me saktësimet e duhura nga Atë Pashko Bardhi O.F.M. në të përkohshmen Zâni i Shna Ndout(1917 e më tej) për të kuptuar vështirësitë e çdo natyre, të pasqyruara ndër të tjera dhe në pengesa konkrete për të celebruar liturgjinë dhe për të ndjekur besimtarët në fshatra e zona të caktuara.  Ndjekja e një gjeografie të mirëfilltë në pikëpamje dioqezash dhe ndarjesh administrative të kohës shoqërohet në këto përshkrime të Atë Pashko Bardhit dhe me informimin mbi peripecitë që duhej të kalonin si prelatët e kishës, ashtu dhe besimtarët dhe rregulltarët e thjeshtë në pikëpamje të respektimit dhe praktikimit të riteve kishtare.

Konteksti historik i përgatitjes dhe i zhvillimit të Koncilit nuk është fort i ndryshëm nga ai që shoqëroi përvijimin e veprave më të rëndësishme të letërsisë së vjetër të shkruar shqipe përfshirë kontributet e sipërcituara(shqipërime e përshtatje) të Pjetër Budit(1618-1621) e Cuneus prophetarum të Pjetër Bogdanit(1685). Kohën e mbledhjes së këtij koncili e ndajnë pak vite nga realizimi përfundimtar dhe dalja në dritë të shtypit e veprës së Bogdanit, i cili parashtron qartë e hapur në parathënien e veprës së tij rreziqet që sjell padija e nënshtrimi i detyruar i një populli. Nga ana tjetër, një diversitet i qartë tekstor ndan përmbajtjen e akteve të këtij koncili nga gjithë realizimet e sipërpërmendura, duke qenë dhe mënyra e shtjellimit të kapitujve e paragrafeve përkatëse e një natyre tjetër, shumë më zyrtare dhe të qartë nga pikëpamja e regjistrit gjuhësor përkatës.

Konsiderimi i një sërë elementesh tekstore nga të dyja këto vepra, ajo e Bogdanit dhe çka parashtrohet e nënvizohet në motivimin e Akteve të Koncilit të Arbënit (1706) pa dyshim të bën të mendosh për një linjë tematike që i qas njëra me tjetrën, por dhe me një vijimësi logjike përpilimesh që dhe pse me natyrë pothuaj krejt të ndryshme tekstologjike, përafrohen natyrshëm nga rrethanat historike dhe nga një realitet i vështirë në dheun e Arbënit. Sigurisht, një qasje më e hollësishme mes elementesh të ngjashme që shoqërojnë introduktimin e të dy veprave në fjalë do të provonin më së miri gjykimet e sipërpërmendura, gjithashtu do të rikonfirmonin prirjen e qartë të autorëve përkatës për të ndjekur një linjë kanonike në pikëpamje të përpilimit të teksteve të këtyre veprave.

Dallimet mes veprave të sipërpërmendura janë pikë së pari dhe të natyrës gjuhësore, duke qenë pikënisja në pikëpamje autorësie gjithashtu e ndryshme, por motivimi i inicimit të gjithsecilës mbetet një faktor më shumë dhe për t’i konsideruar e renditur këto realizime dhe si pjesë e një tradite shkrimore që hedh dritë në një periudhë të rëndësishme historike për kombin tonë.

Nga ana tjetër, vetë çështjet që shtrohen në këtë koncil dhe personalitetet që përfshihen në të mbeten elemente të dhënash me vlerë pikërisht për këtë periudhë historike dhe gjithë veshjen sociale e politike që e shoqëron atë. Çështjet e konsiderimit të respektimit të sakramendeve(shih në veçanti dhe kapitujt De Sacramentis[4]; De Baptismo; De Sacramento Matrimonii), praktikimit korrekt të tyre, në veçanti sakramendi i pagëzimit dhe vlefshmëria e tij në lidhje me ata që e kërkonin atë[5]; sakramendi i martesës dhe ligjshmëria e tij, shkollave të asaj kohe si promotore të një edukimi kompleks klerikal e human, laramanisë dhe rrezikut që kalonte besimi i krishterë në vendin tonë, ushtrimit të besimit dhe mësimit të fesë me anë mjetesh didaktike, personaliteti i ipeshkvinjve dhe i famullitarëve të kishës shqiptare, çështje të administrimit territorial dhe kishtar të dioqezave të caktuara, mbeten më të rëndësishmet në kontekstin e problematikës së vetë Koncilit dhe në Aktet përkatëse që do të shohin dritën e shtypit pothuaj tre vjet pas mbajtjes së tij.

Gjendja jo e mirë që zotëronte në jo pak dioqeza dhe vështirësitë e klerit katolik për të përballuar situata gjithfarësh mbeten ndër të tjera premisa themelore që çuan dhe në mbledhjen e një koncili të tillë aq të rëndësishëm për kohën dhe për historinë e vendit tonë. Një motivim i tillë do të shprehet qartë nga ana e të ngarkuarit nga Papa Klementi XI, Imzot Vincens Zmaievick, personalitet mjaft i ndërmendur në historinë e kishës shqiptare të asaj periudhe, cituar me mjaft hollësi e detaje informuese dhe nga Arqipeshkvi tjetër i Tivarit e i Shkodrës, Carolus Pooten në shënimet e tij të mbajtura gjatë vitit 1864 e që për nga natyra na kujtojnë një përmbledhje sintetizuese të veprës madhore disavëllimëshe Illyricum Sacrum. U jemi referuar detajeve të tilla të renditura në pikëpamje kronologjike për të vënë në dukje pikërisht rolin e pamohueshëm të Papa Klementit XI në promovimin e Imzot Zmaievick, rrugëtimi meshtarak i të cilit shënohet ndjeshëm në hapat themelorë të tij nga vëmendja e këtij të fundit. Në disa burime kishtare Vincens Zmaievick do të cilësohet si qytetar i Perastit prej derës fort të shquar të Zmaievicheve, nxanës i Kolegjit të Propagandës(lat.S.Congregationis de Propaganda Fide alumnus), burrë i shquar, i fuqishëm në vepra e në ligjërime(lat.potens in opere et sermone).

Shprehimisht në shënimet e sipërcituara do të gjejmë jo pak nota dhe cilësime mbi Zmaievickun. Thuhet qartë në shënimet e Karl Pooten(me ndonjë ndryshim të vogël nga ç’thuhet rreth tij dhe në faqet që kemi konsultuar në vëllimin e shtatë të veprës Illyricum Sacrum) që Klementi XI nuk gjet njeri më të përshtatshëm e më të denjë se Zmaievickun për t’i besuar Argjipeshkvinë e Tivarit, rol ky që dekretohet prej tij në prill të vitit 1701, një vit pas inicimit të pontifikatit të tij dhe dy vjet para thirrjes së Kuvendit të Arbënit:

Civis Perastinus fuit ex illustri Zmajevichia domo, S.Congregationis de Propaganda Fide alumnus, magnus sane vir, potens in opere et sermone. Andreas patrui, quem sibi ad imitandum proposuit, vestigiis insistens insigni doctrina et prudentia, eximia in Deum ac superos Religione, ac rerum gerendarum industria floruit. Senatus Venetus Abbatem templi Georgiani Perastini eum nominavit, et paullo post Clemens XI neminem Vincentio digniorem censens, cui Archiepiscopatum Antibarensem conferret, an.1701. 18 aprilis hanc Metropolim eidem decreverit. Marinus Drago Episcopus Catharensis in templo Georgiano Perasti Consecratione Episcopali illum inauguravit.

Siç dihet, Vincens Zmaievickut i janë besuar disa detyra njëra pas tjetrës, ndër të cilat mjaft e rëndësishme mund të konsiderohet ajo e Vizitatorit Apostolik të Arbënit, detyrë kjo që kurorëzohet me mbledhjen e këtij Sinodi të rëndësishëm kishtar që do të grishte në Lezhë prelatë të kishës shqiptare e që do të mbetet si një ngjarje mjaft e rëndësishme në historinë e vendit tonë. Një detyrë e tillë i ngarkohet gjithashtu nga Papa Klementi XI, gjithnjë i vëmendshëm ndaj ecurisë meshtarake dhe misionare të Zmaievickut.

Gjithnjë në shënimet e Carl Pootenit(krahasuar dhe me çka gjindet në faqet përkatëse të vëlimit të shtatë të veprës Illyricum Sacrum) do të gjejmë konfirmim të këtyre të dhënave në lidhje me veprimtarinë e Zmaievichit:

Vincentio Archiepiscopi Antibarensi et Ecclesiae Buduensis Administratori munus quoque Visitatoris Apostolici Albaniae a Clemente XI impositum est. Statim vero ac Provinciae sibi concreditae possessionem adivit, initium visitationis Apostolicae ab sua Dioecesi fecit; deinde omnes Albaniae et Serbliae Ecclesias ingenti labore, nec minori illarum gentium et rei Christianae utilitate lustravit. Post peractam Albaniae ac Serbliae peragrationem Concilium nationale convocavit in pagum Dioecesis Alexiensis, cui nomen Merchigne, atque Aedem S.Ioannis Baptistae convenerunt tres Archiepiscopi, quatuor Episcopi, tres viri Religiosi e familia Franciscana Praefecti Apostolici, unus e Dominicana familia, qui suis nominibus subscriptis omnia Decreta approbarunt a Vincentio facta et lata, religionis et sapientiae plena, partim jubendo partim vetando, quae temporum  illorum ac locorum necessitas requirebat. Hanc Synodum sub initium anni 1703 celebratam, quae a regione Albana sive Albanensis dicta est, Vincentius ex mandato S.Congregationis typis consignandam curavit, et Clementi XI Pontifici Maximo inscripsit.

Për rolin e vizitatorit vetë Zmaievick na informon në pjesët hyrëse të Akteve të Koncilit, ndërkohë që dekretet që ai paraqet para pjesëmarrësve në këtë sinod aprovohen duke u cilësuar të karakterizuara nga forca e besimit dhe nga dija. Në botimin e akteve të këtij koncili emri i Zmaievickut figuron qartë në pjesët hyrëse të sipërpërmendura e në të cilat shprehet qartë mirënjohja ndaj Papës Klementi XI që mbështeti ecurinë e punimeve të këtj Koncili.[6]

Çka paraqitet i një rëndësie të dorës së parë është pikërisht fakti që vetë Kongregacioni udhëzon botimin e këtyre akteve në dy gjuhë, në latinisht dhe në shqip dhe në këtë pikëpamje një vendim i tillë siguroi ndër të tjera një tjetër dëshmi monumentare shkrimore për studimet tona ndërdisiplinore, por dhe specifike në fushë të albanologjisë.[7]

Gjurmohen në Aktet e këtij koncili variante të teksteve themelore të liturgjisë së përditshme, përfshirë Besojmën dhe përdorime të tjera që jo përherë përkojnë në pikëpamje elementesh me variantet që kemi ndeshur në autorët paraardhës në pikëpamje kronologjike. Përbën ky variant një pasuri të shtuar për këdo që ndërmerr studimin përmbajtësor të modeleve që ofrohen nga një autor në tjetrin, duke pasur parasysh ndër të tjera tekstin gjegjës që gjen dokumentim së pari në librin e Gjon Buzukut. Një moment i rëndësishëm mbetet ndërmendja e rëndësisë që përbën njohja e katekizmit për të krishterët dhe vëmendja e disponimit të tyre nga ana e Kongregacionit të Propagandës, në lidhje me të cilën përmendet shprehimisht Doktrina e Bellarminos dhe e varianteve të saj.[8]

Janë pikërisht realizime të kësaj natyre tekstologjike që dhe pse nuk kanë natyrën përmbajtësore e plotësisht të përcaktuar në pikëpamje tipologjike të veprave të tjera që u cituan më sipër, mbeten burime të pashtershme të dhënash jo vetëm për disiplina specifike studimore që u përkasin gjurmimeve albanologjike(histori e gjuhës, dialektologji historike, leksikologji historike, histori e shkrimit), por që njëkohësisht janë burimet që sigurojnë natyrshëm informacione mbi historinë e besimit në vendin tonë dhe përfshirjen e këtij të fundit në një proces të vështirë integrimi dhe mbijetese.

Përmbajtja e akteve të këtij koncili paraprin e mbështet natyrshëm atë të koncileve pasardhëse kishtare të Arbënit, të mbajtura përkatësisht më 1871 dhe 1895, por që përkojnë në momente të caktuara në pikëpamje të brendisë me të parin kuvend dhe për të cilat dhe në ditët e sotme disponojmë rishtypjen anastatike, por jo dhe shqipërimin dhe fatmirësisht disa botime e ribotime si në rastin e Koncilit të vitit 1703. Do të ecin natyrshëm dhe këto dy koncile në gjurmët e Kuvendit të Parë, duke qenë ky i fundit mjaft i ndërmendur dhe në aktet përkatëse të secilit.

Jehona e Kuvendit të Arbënit e ndier qartë dhe në hapjen e punimeve të Concilium Albanum secundum (1871), do të pohohet dhe në fletëthirrjen (Litterae indictionis) e shkruar në këtë vit prej Arqipeshkvit të Tivarit e të Shkodrës(Karl Pooten), e që u prin Akteve përkatëse të këtij koncili, botimi i të cilave daton në vitin 1876. Cilësohet mjaft pozitivisht vetë mbledhja e Koncilit dhe iniciativat e ndërmarra në të, pavarësisht pamundësisë për realizimin e mjaft dekreteve përkatëse të tij:

Salutaria sane tot tantisque malis remedia sapientissimum Albanum Concilium anno 1703 habitum afferre studuit: at vero plurima ex decretis Spiritus Sancti lumine in eodem conditis vel nunquam fuerunt sugillanda desidia executioni mandata, vel etiam culpanda desuetudine oblivioni misere tradita.[9]

Dhe në hyrjen me të cilën ky arqipeshkëv u drejtohet pjesëmarrësve në këtë Koncil në veshjen e delegatit apostolik  evokimi i ngjarjes së Koncilit të vitit 1703 është më se i qartë, bashkë me nënvizimin e kontekstit konkret që bëri të mundur mbledhjen dhe mbajtjen e tij.  Sipas Pootenit, ky koncil fort i shquar u celebrua prej paraardhësit famëmirë Vincens Zmaievick, Arqipeshkëv i Tivarit e Vizitator Apostolik i dheut të Arbënit, me qëllim që t’i kthehej integriteti kishës shqiptare dhe të shëroheshin plagët e hapura të provincave.[10]

Në tekstet në gjuhën shqipe të Akteve të Koncilit bien në sy përdorime që në pasazhe të ndryshme do të ndeshen dhe me modifikime të lehta të formës. Krahas latinizmave dhe fjalëve me orgjinë latino-romane, bien në sy gjithashtu raste përdorimi orientalizmash jo të rralla që dëshmojnë ndikime të qarta të shkruesit të atyre radhëve nga kultura mendore e kohës dhe prirje të përbashkëta me botime të mëvona, ndër të cilat do të citonim doktrinën e kërshtenë në variant dygjuhësh të Atë Guagliatës S.I. (Romë, 1845).[11]

Variante të ndryshme që i referohen së njëjtës fjalë, përdorime që gjejnë gjegjëse të modifikuara në pikëpamje të formës në autorët që botuan vepra të ngjashme para vitit të mbajtjes së këtij koncili, terminologjia komplekse e gjithnjë objekt interesi për këdo që i kushtohet shkrimit shqip të kësaj periudhe, mbeten disa veçori për t’u vënë në dukje dhe në këtë rasë, duke qenë gjuha e teksteve të këtij Koncili një burim të dhënash me interes për disa nënsisteme gjuhësore. Të trajtosh pikërisht disa aspekte konsitutive të gjuhës së këtyre teksteve do të thotë të marrësh parasysh se ajo paraqet që në themel ndryshime jo të vogla në krahasim me të gjithë spektrin gjuhësor të gjurmueshëm në veprat e autorëve si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani, ndërkohë që nuk mungojnë në përmbajtjen e tyre dhe përdorime kyçe të konsoliduara që në kohë më të hershme, siç dhe dëshmohet në gjuhën e veprave të sipërpërmendura. Trajta të veçanta fjalësh, jo vetëm emërtesa që i përkasin ngushtësisht objektit tematik të përmbajtjes së këtyre teksteve, por dhe trajtëforma të caktuara me të cilat shprehen elemente flektive te emrave, mbiemrave, foljeve apo klasave të tjera të fjalëve, bëjnë të kuptosh për veçanti të theksuara në pikëpamje të gjurmimit gjuhësor dhe klasifikimit kryesisht morfologjik në këto tekste.

Për traditën e studimeve në fushë të historisë së shkrimit, tekstet e Akteve të Koncilit të Arbënit qëndrojnë në një kapërcyell të rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me periodizimin e letërsisë së shkruar shqipe(më saktë, letërsisë së vjetër), për historianët dhe hulumtuesit e historisë së Kishës në këto tekste dhe në vetë ngjarjen e mbledhjes së tij gjurmohet prirja për të ruajtur e forcuar besimin dhe fenë në viset tona. Një kontekst kompleks që ceket nga një sërë disiplinash mbështet prej kohësh suazën e studimit dhe hulumtimit të thelluar të çdo elementi që lidhet me vetë Koncilin dhe aktet e botimit të mbajtjes së tij.

 

 

 

 

 

 

 

[1] Zamputi I., Çështje të shkrimit dhe të fillimit të letërsisë në gjuhën shqipe, në Hylli i Dritës, n.1-2, 1995.

[2] Shih gjithashtu Malaj V.P., Kuvendi i Arbënit(1703), Tuz, 2017, f.126-127.

[3] Shih gjithashtu ConciɅi ProvintiaaɅi o Cuvendi J Arbenit(1706), botim kritik përgatitur nga Bardhyl Demiraj, Botime Françeskane, Shkodër, 2012, f.63-67.

[4] Shih në veçanti Pars Secunda, Caput I, De Sacramentis: Nihil nobilius, nihil pretiosius, nihilque ad aeternam salutem consequendam magis necessarium habet Ecclesia, quam a Christo Domino septem instituta Sacramenta, in quibus infinito divinae bonitatis elucescente thesauro, divitiis magnis, et opibus nimiis humana ditatur paupertas.Isti sunt semptem fontes Salvatoris, ex quibus auae divinae gratiae, salientes in vitam aeternam cum gaudio hauriuntur.

[5] Shih dhe Decretum Sacrae Congregationis S.Officii ad Episcopum Sappatensem de non conferendo S.Baptisma turcis, editum sub die 4.Maii 1641.

[6] Figurës së Vincens Smaievickut i kushtohen paragrafe të tëra në vëllimin e shtatë të veprës voluminoze Illyricum Sacrum(shih dhe shënimin konkret(f.141) në kapitullin Vincentius Archiepiscopus Antibarensis XLV, pikërisht siglimin Vincentius Zmajevichius vir omnino summus). Përfshihen në këto shënime dhe vetë detajet e lidhura me Koncilin e  Arbënit(1703), një sërë kapitujsh e dekretesh që  kanë të bëjnë me çka u shtrua dhe u trajtua në këtë koncil. Siç dihet, Vincens Smaievick qëndroi në administrim të provincës së Tivarit përreth 12 vjet. Ndërron jetë gjithnjë sipas shënimeve të mbajtura nga Pooten në shtator të vitit 1745: Annos duodecim Vincentius provinciam Antibarensem administravit. Clemens XI ut labores et aerumnas quibus rei Christianae in Albania et Serblia tuendae et augendae causa perfunctus erat, aliqua remuneratione compensaret, anno 1713, 22 Maji ex Antibarensi Provincia, plena curarum et periculorum ad Iadertinam tamquam ad portum tutissimum illum transtulit, ubi rebus gestis eruditisque operibus editis clarissimus, et 75 annos natus die 11 Septembr.an.1745 ad beatam immortalitatem migravit.

[7] Shih gjithashtu ConciɅi ProvintiaaɅi o Cuvendi J Arbenit(1706), botim kritik përgatitur nga Bardhyl Demiraj, Botime Françeskane, Shkodër, 2012, f.59.

[8] Një fakt i tillë do të përbënte dhe më tepër rëndësi nëse do të shoqërohej me ndonjë indic më shumë në lidhje me variantet konkrete për të cilat mendonte Kongregacioni i Propagandës, duke qenë se në studimet tona zakonisht supozohet për mundshmërinë e njohjes nga ana e autorëve të letërsisë së vjetër shqipe të veprave të njëri-tjetrit. Shih për këtë ConciɅi ProvintiaaɅi o Cuvendi J Arbenit(1706), botim kritik përgatitur nga Bardhyl Demiraj, Botime Françeskane, Shkodër, 2012, f.103.

[9] Litterae indictionis Concilii Provincialis Sive Nationalis, marrë nga Concilium Albanum secundum provinciale sive nationale, habitum Anno MDCCCLXXI Pio IX. Pontifice Maximo, Romae, Typis S.C.De Propaganda Fide, MDCCCLXXVI, f.3-4.Shih gjithashtu dhe Illyrici Sacri Tomus Septimus, Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrhachiensis, et Sirmiensis, cum earum suffraganeis(Auctore Daniele Farlato, Presbytero Societatis Jesu, et Jacobo Coleto Olim Ejusdem Societatis alumno), Venetiis, MDCCCXVII, f.142-143.

[10] Kjo lexohet qartë pikërisht në Caroli Pooten Archiepiscopi Antibarensis et Scodrensis delegati Apostolici ad Synodum Allocutio, përmbajtur në Concilium Albanum secundum provinciale sive nationale, habitum Anno MDCCCLXXI Pio IX. Pontifice Maximo, Romae, Typis S.C.De Propaganda Fide, MDCCCLXXVI, f.6: Anno Domini 1703, Dominica secunda post Epiphaniam perillustre Concilium Albanum a clarissimo praedecessore nostro Vincentio Zmaievick Antibarensi Archiepiscopo et Albaniae visitatore apostolico celebratum fuit, ut labentem eius aevo Ecclesiae nostrae statum in integrum restitueret, apertis Provinciarum vulneribus praebendo medelam.

[11] Mbi huazimet latine(përfshirë elemente të latinishtes kishtare) dhe ato italiane në gjuhën e këtyre teksteve shih gjithashtu Malaj V.P., Kuvendi i Arbënit(1703), Tuz, 2017, f.247-248.








All the contents on this site are copyrighted ©.