2018-01-21 13:28:00

Programi i ditës së fundit të udhëtimit të Papës në Kili e në Peru


Përfundon sot, udhëtimi i 22-të apostolik i Papës Françesku në Kili e në Peru. Pas thirrjeve të fuqishme kundër korrupsionit e vrasjes së grave, dje, në Trujillo, sot Papa Françesku ndodhet në Lima, kryeqyteti i Perusë.

Në orën 15.15 evropiane (9.15 lokale), Ati i Shenjtë lutet së bashku me 500 rregulltare të jetës kundruese në shenjtëroren e Señor de los Milagros (Zotit të Mrekullive). Zoti i Mrekullive është Pajtori qiellor i Perusë e shenjtërorja u është besuar karmelitaneve të zbathura. Il Señor de los Milagros është një afresk i shekullit XVII, ku është pikturuar Kryqëzimi i Krishtit. Tërmeti shkatërrimtar i vitit 1655 bëri rrafsh me tokën ndërtesat e Limës, por jo murin ku ndodhej Krishti, i cili u mbijetoi edhe tërmeteve të mëpasme. Këtu e ka zanafillën devocioni i peruvianëve për Pajtorin e tyre.

Në orën 16.30 evropiane, Papa lutet para relikeve të shenjtorëve peruvianë, në katedralen e Limës kushtuar Shën Gjonit Apostull e Ungjilltar. Të pranishëm, më se 2500 meshtarë, rregulltarë, seminaristë, anëtarë të lëvizjeve kishtare e veprimtarë të baritorisë së Kishës Katolike. Shenjtorët peruvianë janë ata, që i dhanë jetë krishterimit në gjithë Amerikën Latine. Në përfundim të lutjes, Papa Françesku takohet me ipeshkvijtë në kryeipeshkvinë e Limës.

Më pas, kur në Evropë është ora 18.00, Ati i Shenjtë thotë Lutjen e Engjëllit të Tënzot në Plaza de Armas, gjithnjë në kryeqytetin e Perusë. Vijojnë disa orë pushimi, që në Peru përkojnë me pushimin e drekës e pastaj, rreth orës 22.15 evropiane, Papa kremton meshën në Bazën ajrore Las Palmas të Limës. Kur në Limë do të bjerë mbrëmja (pas mesnatës në Evropë), Papa Françesku do të niset me avion për Vatikan, nga aeroporti i Limës, duke i dhënë kështu fund udhëtimit të tij të 22-të apostolik ndërkombëtar në Kili e në Peru.








All the contents on this site are copyrighted ©.