2018-01-21 18:30:00

Papa të rinjve, në Engjëllin e Tënzot: zemra nuk mund të retushohet me ‘fotoshop’


Fytyrat, aspiratat, jeta e të rinjve peruvianë, në fjalët e Papës Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e Pallatit ipeshkvnor në Lima, menjëherë pas takimit me ipeshkvijtë e Perusë. Nëse këtyre u mori si shembull shën Turibin e Mongrovejos, të rinjve u propozoi jetën e shën Martinit de Porres, mulat, që asgjë nuk e ndali për të pasur besim në Zotin.

         Edhe ju, u tha Papa të rinjve, në çastet që mendoni se nuk do t’i realizoni dëshirat dhe ëndrrat e jetës suaj, kur kujtoni se feja po shuhet, mos harroni se Krishti ju qëndron afër. “Mos u dorëzoni – u bëri thirrje Ati i Shenjtë – mos e humbni shpresën! Mos i harroni shenjtorët, që ju shoqërojnë nga qielli; drejtojuni atyre, lutuni e mos u lodhni së kërkuari ndërhyrjen e tyre. Shenjtorëve të djeshëm, por edhe të sotëm: kjo tokë ka shumë, sepse është tokë ‘e mbushur me shenjtëri’”.

         Kërkoni ndihmë, theksoi sërish Papa. Kërkojini ndihmë Krishtit. “Ai do t’ju udhëheqë drejt rrugës së lumnive, rrugë aspak e lehtë, por apasionuese; rrugë që s’mund ta përshkoni vetëm, por në grup, në të cilin secili mund të bashkëpunojë”. Por pyetja që i duhet bërë vetes, vijoi Françesku, është gjithnjë: “A jam gati ta ndjek Jezusin?”

         E përgjigjja nuk mund të jetë e rreme; nuk mund të retushohet zemra, siç bëhet me programet për ndryshimin e fotografive, si “fotoshop”-i. Nuk mund t’ia bëjmë këtë vetes e as miqve, u tha Papa të rinjve. “E nëse shkurajoheni, ju ftoj të lexoni Biblën e të kujtoni miqtë e zgjedhur prej Zotit: Moisiu ishte belbacuk; Abrahami, plak; Jeremia, tepër i ri; Zakeu, shkurtabiq; dishepujt, kur Jezusi u thoshte të luteshin, flinin; Pali, persekutues i të krishterëve; Pjetri, e mohoi…”.

         Por, theksoi Papa, “kur Jezusi na sheh, nuk mendon sa të papërkryer jemi, por për gjithë dashurinë që kemi në zemër, të cilën mund t’ia ofrojmë të tjerëve e t’u shërbejmë atyre… Ai s’pyet për gjatësinë, a flet mirë a flet keq, a fle kur lutesh, a je i ri a plak. Pyetja e vetme është: a do të më ndjekësh për të qenë dishepulli im?”

         Vetëm Krishti nuk ju zhgënjen, u tha Papa të rinjve, të cilët i këshilloi të mos lodhen së luturi, së kërkuari e së pasuri gjithnjë besim në Krishtin e në Nënën e Tij, e cila i ndihmon kur shkurajohen.








All the contents on this site are copyrighted ©.