2018-01-21 23:00:00

Papa nё Peru: mesha nё Lima, Jezusi na thërret ta mposhtim korrupsionin, degradimin, padrejtësinë


Papa: Peru, "Jezusi na thërret ta mposhtim korrupsionin, degradimin, padrejtësinë". Një milion e 300 mijë besimtarë morën pjesë, këtë pasdite sipas orës lokale nё Peru, në Meshën kremtuar nga Papa Françesku në përfundim të vizitës së tij apostolike në Peru. Riti, koncelebruar nga Papa Bergoglio së bashku me 60 ipeshkvijtë e Perusë, u kremtua në bazën ajrore Las Palmas në Lima, me një temperaturë prej 23 gradësh.

“Sot, Zoti të bën thirrje ta përshkosh me Të qytetin, qytetin tënd", tha mes tjerash Papa Françesku në homelinë meshës e shtoi: "Ai të bën thirrje të jesh dishepull misionar e, kështu, të bëhesh pjesëmarrës në atë pëshpëritje të jashtëzakonshme, që dëshiron të vazhdojë të tingëllojë në çdo kënd të jetës: Gëzohu, Zoti është me ty”.

Sindroma e Jonës

Në meshën, në bazën ajrore Las Palmas të Limës, me të cilën përfundoi vizitën e tij në Peru dhe udhëtimin e 22-të apostolik ndërkombëtar, që e çoi edhe në Kili, Papa Françesku nënvizoi se ka dy rrugë për t’u bërë ballë problemeve, që nuk mungojnë. Njëra, është ajo, që Ati i Shenjtë e quajti “sindroma e Jonës”. Njerëzit, të shkurajuar nga çfarë shohin nëpër rrugët e qoshet e qyteteve, nga gjendja e atyre që konsiderohen “plehra njerëzore”, hedhurina, në mesin e të cilëve – denoncoi Papa – shihen shpesh fytyra fëmijësh e adoleshentësh, fytyrat e së ardhmes, bëhen indiferentë, nuk kanë më besim në përmirësime të mundshme, e bëjnë veshin shurdh para nevojave të të tjerëve. E kjo vlen si për secilin prej nesh, ashtu edhe për shoqërinë në përgjithësi.

Mënyra e Jezu Krishtit për t’i përballuar problemet

Mënyra tjetër për t’i përballuar problemet, vërejti Papa, është ajo e Jezusit, kur arrestuan shën Gjon Pagëzuesin. Në ndryshim nga Jona, që fshihej, Jezusi hyn në Galile dhe fillon të mbjellë farën e Mbretërisë së Zotit në atë popullsi. Ajo farë do të bëhej fillimi i një shprese të madhe: Mbretëria e Zotit është afër, Mbretëria e Zotit është mes nesh. “Jezusi – theksoi Papa – u bën thirrje dishepujve të vet ta jetojnë në të sotmen çfarë ka shijen e amshimit: dashurinë për Zotin dhe për të afërmin; dhe e bën këtë në mënyrën e vetme që ka, mënyrën hyjnore: duke zgjuar dhembshurinë dhe dashurinë e mëshirshme, duke u kërkuar [dishepujve] bashkëpunim e duke u hapur sytë që të mësojnë ta shohin realitetin si Hyji. I fton të krijojnë lidhje të reja, aleanca të reja, që mbartin amshimin”.

Jezusi ecën me dishepujt e vet, por ua ndryshon ritmin

Jezusi, vijoi Papa, e përshkon qytetin së bashku me dishepujt e vet dhe fillon të shohë, të dëgjojë, të jetë i vëmendshëm ndaj atyre, që kanë veshur mantelin e indiferencës e kanë kryer mëkatin e rëndë të korrupsionit. Fillon t’ia zbulojë kapakët shumë ngjarjeve, që e mbysnin shpresën e popullit. I fton dishepujt të shkojnë me Të, por ua ndryshon ritmin. I mëson të shohin edhe aty, ku më parë as që i hidhnin sytë, u tregon urgjenca të reja. I fton të kthehen në udhën e Hyjit.

Jezusi vijon të trokasë në dyert tona për të rizgjuar shpresën

“Jezusi vazhdon të ecë udhëve tona, - theksoi me forcë Ati i Shenjtë - ashtu si dje, vijon të trokasë në dyer, të trokasë në zemra për të rindezur shpresën dhe aspiratat: që prapambetja të kapërcehet nga vëllazërimi, padrejtësia nga solidariteti dhe dhuna të shuhet nga armët e paqes”.

Jezusi dëshiron ta rizgjojë shpresën për të përveshur mëngët e për të ndryshuar atë kënd të vogël të botës, ku jetojmë, vuri në dukje Papa. “Mbretëria e Zotit është mes jush – na thotë – është atje, ku dimë të përdorim pak ëmbëlsi dhe dhembshuri, ku nuk kemi frikë të krijojmë hapësira që të verbërit të shohin, të paralizuarit të ecin, të gërbulurit të pastrohen dhe të shurdhërit të dëgjojnë e, kështu, të gjithë ata, që i mendonim të humbur, t’i gëzohen Ringjalljes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.