2018-01-19 18:30:00

Papa në Peru, takon popullsinë e Puerto Maldonados: Duajeni këtë tokë, është thesar


“Ç’pamje e bukur e Kishës, që nuk njeh kufi e në të cilën të gjithë popujt mund të gjejnë vend!” Më këto fjalë iu drejtua Papa Françesku popullsisë së Puerto Maldonados në Peru, por edhe besimtarëve të ardhur nga Andet e nga vendet fqinjë, të cilët i takoi në Institutin J. Basadre të qytetit. Në një zonë, që mban emrin e Nënës së Zotit (Madre de Dios), Papa u tha rreth 120 mijë njerëzve të mbledhur në fushën para Institutit se “kjo nuk është tokë jetime, është toka e Nënës! E nëse ka një nënë, ka edhe bij, ka familje, ka bashkësi. E ku është nëna, familja e bashkësia, nuk zhduken problemet, por sigurisht, gjehet forca për t’i përballuar ndryshe”.

Papa nuk mungoi t’i përmendë këto probleme, duke filluar nga mendësia e kulturës së hedhurinave. “Pyjet, lumenjtë e përrenjtë shpërdorohen, përdoren deri në pikën e fundit e pastaj, lihen të papërdorshëm, në pamundësi për të shërbyer. Edhe njerëzit trajtohen me këtë logjikë: përdoren deri në rraskapitje e pastaj, braktisen ‘se s’duhen gjë’”.

 Ati i Shenjtë denoncoi trafikun e njerëzve, për të cilin – tha – është më e drejtë të përdoret fjala “skllavëri”. Në tokën e mbrojtur nga Nëna e Zotit, ngriti zërin, “shumë gra zhvlerësohen, përbuzen dhe dhunohen pa fund. Nuk mund të ‘normalizohet’ dhuna kundër grave, duke mbështetur një kulturë maskiliste, që nuk e pranon rolin protagonist të gruas në bashkësitë tona. Nuk duhet të kthejmë kokën nga ana tjetër e të lejojmë që shumë gra, sidomos adoleshentet, të dhunohen në dinjitetin e tyre”.

 Tjetër problem, tjetër denoncim i Papës Françesku: shfrytëzimi i familjeve, që vijnë në Amazonë me premtime plot bujë për gjetjen e arit e të metaleve të çmuara. “Ari – tha Bergoglio – mund të kthehet në një zot të rremë, që pretendon flijime njerëzore”.

E receta e Papës për të dalë nga kjo situatë: “Zotat e rremë, idhujt e koprracisë, të parasë, të pushtetit, korruptojnë gjithçka. Korruptojnë njeriun dhe institucionet dhe, shkatërrojnë edhe pyjet. Jezusi thoshte se ka demonë që, për t’u larguar, kërkojnë shumë lutje. Ky është njëri prej tyre”. Ati i Shenjtë i inkurajoi bashkësitë të luten e ta takojnë me sinqeritet Krishtin për të zbuluar kështu jetën e vërtetë.

 E pastaj, u tha të gjithëve: “Duajeni këtë tokë, ndjejeni tuajën. Merrini erë, dëgjojeni, mrekullohuni me të. Dashurohuni me këtë tokë Madre de Dios, impenjohuni për të dhe ruajeni. Mos e përdorni si objekt të thjeshtë, që mund të hidhet, por si thesar të vërtetë, që duhet gëzuar, duhet shtuar e u duhet transmetuar bijve tuaj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.