2018-01-19 17:30:00

Papa në Peru, me popullsitë e Amazonës: “ju vetë përcaktojeni e dëshmojeni identitetin tuaj”


Puerto Maldonado e popullsitë e Amazonës, në qendër të ditës së parë të Papës Françesku në Peru, në udhëtimin e tij të 22-të apostolik ndërkombëtar. Qyteti është kryeqendra e biolarmisë së vendit dhe pikënisje e privilegjuar për të vizituar rajonet e mrekullueshme të Amazonës peruviane, me pyjet tropikale e me zonat e mbrojtura nga shteti. Këtu, në Koliseo-n Madre De Dios, një strukturë sportive, Ati i Shenjtë kremton meshën me rreth 4 mijë besimtarë të popujve të ndryshëm të Amazonës.

Amazona, larmi e pasuri pa fund

Emrat e tyre i përmend një e nga një në fillim të homelisë, pasi dëgjon këngët dhe sheh vallet e tyre tradicionale e pas përshëndetjes, që i drejton një çift. Papa lavdëron “fytyrën plurale [të kësaj toke], me një larmi pa fund dhe me një pasuri të jashtëzakonshme biologjike, kulturore, shpirtërore. Të gjithë ne, që nuk banojmë në këto toka – thotë Françesku – kemi nevojë për urtinë dhe njohuritë tuaja, që të hyjmë, pa e shkatërruar, në thesarin e ruajtur në këtë rajon. E ritingëllojnë fjalët e Zotit për Moisiun: ‘Hiqi sandalet prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë!’(Dal 3,5)”.

Amazona e shfrytëzuar pa kriter

 Por jo gjithnjë, njerëzit që kanë shkelur këto troje, i kanë hequr sandalet, madje jo vetëm nuk e kanë respektuar Amazonën, por e kanë shkelur me këmbë, duke e shpyllëzuar e duke i shfrytëzuar pa kriter pasuritë e saj, pa vetëdijen se po shkatërrojnë mushkëritë e botës. E pavarësisht nga ndërgjegjësimi për rëndësinë e rajonit, edhe sot ka njerëz, që e vijojnë këtë shfrytëzim, në mënyrë të paligjshme.

 “Nga njëra anë, - denoncon me forcë Papa Françesku - industria e re nxjerrëse dhe trysnia e fortë nga ana e interesave të mëdha ekonomike, që e drejtojnë lakminë e tyre kah nafta, gazi, ari, monokulturat bujqësore-industriale; nga ana tjetër, - u thotë ai popullsive indigjene – territoret tuaja kërcënohen edhe nga perversiteti i disa politikave, që promovojnë ‘mbrojtjen’ e natyrës, pa e pasur parasysh njeriun”.

“Jo” dhunës kundër adoleshentëve dhe grave

Kështu, vijon ta ngrejë zërin Ati i Shenjtë, territori dhe pasuritë e tij bëhen të paprekshëm nga vetë banorët. Papa propozon që mbrojtja e tokës, e jetës dhe e kulturave vendore të bëhet përmes njohjes dhe dialogut me popujt indigjenë. “Ju – u drejtohet atyre Bergoglio – jeni kujtesa e gjallë e misionit që Zoti na ka besuar të gjithëve: të kujdesemi për shtëpinë e përbashkët”. E Amazona, kjo shtëpi e madhe e përbashkët, si edhe banorët e saj kërcënohen vazhdimisht nga dalja e rrjedhja e hidrokarbuereve, nga nxjerrja e e paligjshme e mineraleve, nga trafiku i njerëzve, që nga krahu i skllavëruar i punës e deri tek abuzimi seksual. E këtu, Papa prek një temë, aktualisht, tepër të ndjeshme në gjithë botën.

“Dhuna kundër adoleshentëve dhe kundër grave është britmë, që ngjitet në qiell: ‘Më ka shkaktuar gjithnjë dhimbje gjendja e atyre, që bëhen objekt i formave të ndryshme të trafikut të njerëzve. Do të doja të dëgjohej thirrja e Zotit, që na kërkon të gjithëve: ‘Ku është vëllai yt?’ (Zan 4,9). Ku është vëllai yt skllav?”

Nuk mund t’i përdorim pasuritë me ritmin e lakmisë së konsumit

Papa përmend shën Turibin, që në Koncilin III të Limës, ngrinte zërin kundër shtypjes së popujve amazonikë, pastaj flet edhe për ata, që quhen “Popuj Indigjenë në Izolim Vullnetar” (PIAV), të detyruar të fshihen pyjeve për t’i shpëtuar asimilimit. U bën të gjithëve thirrjen: “Vazhdoni t’i mbroni këta vëllezër më të brishtë. Prania e tyre na kujton se nuk mund t’i përdorim të mirat e përbashkëta me ritmin e lakmisë së konsumit. Është e nevojshme të vihen kufizime, që të na ndihmojnë të mbrohemi nga çdo përpjekje për shkatërrimin masiv të vendit”.

Popujt indigjenë kanë të drejtë për edukim në gjuhën e tyre

Popujt e Amazonës, vijon Papa, nuk janë pakicë. Kultura e tyre është e rëndësishme për shoqërinë. “Amazona, përveçse rezervë biolarmie, është edhe rezervë kulturore, që duhet ruajtur, para kolonializmave të reja”. Familja, të moshuarit, sipas Papës, janë shtyllat e jetës së indigjenëve, të cilët kanë nevojë të ruajnë traditat e gjuhën e tyre. “Shkolla dhe edukimi i popujve autoktonë – thekson Françesku – duhet të jenë përparësi dhe impenjim i shtetit, impenjim i integruar dhe i rrënjosur në kulturë, që përvetëson, respekton dhe integron si pasuri për gjithë kombin, urtinë dhe dijen e tyre të lashtë… U kërkoj vëllezërve të mi ipeshkvij – nënvizon Papa – të vazhdojnë të promovojnë hapësira edukimi ndërkulturor e dygjuhësh në shkollat e në institutet pedagogjike dhe universitare”.

“Është mirë, që ju vetë të përcaktoni e të dëshmoni identitetin tuaj”

Papa përmend disa nga qendrat e popullsive amazonike, që kontribuojnë në promovimin e kulturës së tyre, por edhe shkrimet e veprat e artit e të zejtarisë, që flasin për indigjenët, duke i bërë të njohur në botë. Gjithsesi, “është mirë, që ju vetë të përcaktoni e të dëshmoni identitetin tuaj”, u thotë Françesku, i cili vë theksin edhe në ruajtjen e fesë së krishterë ndër këta popuj.

“Mos u mposhtni para përpjekjeve për ta çrrënjosur fenë katolike të popujve tuaj. Çdo kulturë e çdo botëkuptim, që e pranon Ungjillin e pasuron Kishën me vizionin e një aspekti të ri të fytyrës së Krishtit… Kemi nevojë që popujt autoktonë ta plazmojnë me kulturën e tyre, Kishën lokale amazonike… Me këtë frymë, kam thirrur një Sinod për Amazonën, në vitin 2019”.

“Tinkunakama”: me përshëndetjen në gjuhën Quechua, që do të thotë “Mirupafshim në takimin e ardhshëm”, Papa Françesku përfundon meshën me popujt amazonikë për të shkuar në takimin me popullsinë e Puerto Maldonados në Institutin Basadre. Më pas, vizita në Hogar Principito (Shtëpia e Princit të Vogël), një qendër, ku strehohen 35 fëmijë pa familje. E, ndërsa në Evropë bie mbrëmja, rreth orës 19.00 (13.00, lokale), Papa drekon me përfaqësuesit e popujve të Amazonës e niset për në Lima. Pas orës 22.30 evropiane, takohet me autoritetet, shoqërinë civile e Trupin Diplomatik, kësaj radhe, në kryeqytetin e Perusë. Me këtë veprimtari përfundon dita e sotme e Atit të Shenjtë në Peru.








All the contents on this site are copyrighted ©.