2018-01-18 16:51:00

Papa në meshën e Iquique-s: nuk ka gëzim të krishterë kur u mbyllen dyert të tjerëve


Vijon udhëtimi i 22-të apostolik i Papës Françesku. Sot, Ati i Shenjtë kremtoi meshën në Iquique të Kilit, për t’u ndarë më pas me popullin kilian e për t’u nisur për në Peru - “popull mik e vëlla i këtij Atdheu të Madh, për të cilin ftohemi të tregojmë kujdes. Atdhe, që e gjen bukurinë e vet në fytyrën shumëformëshe të popujve”, siç tha Papa në përshëndetjen përfundimtare në meshën e Iquique-s, kremtim vëllazëror për integrimin e popujve.

Iquique ka ditur të presë njerëz nga popuj e kultura të ndryshme

         Për Atin e Shenjtë është rasti ta ngrejë zërin për njërën nga temat më të dashura të papnisë së tij, atë të emigracionit. E Iquique, me shumëllojshmërinë e banorëve të vet, emigrantë ardhur nga vendet fqinjë për të punuar në miniera, i jep Papës mundësinë ta marrë si shembull.

         Iquique – thotë Bergoglio – është “tokë ëndrrash” (këtë do të thotë emri në gjuhën aymara); tokë, që ka ditur të presë njerëz nga popuj e kultura të ndryshme, të cilëve u është dashur t’i lënë të afërmit e tyre e të nisen. Nisje e bazuar gjithnjë mbi shpresën për një jetë më të mirë, por edhe e shoqëruar me valixhet plot frikë dhe pasiguri për të ardhmen. Iquique është zonë emigrantësh, që na kujton madhështinë e burrave e të grave; të familjeve të tëra, që, para vështirësive, nuk mposhten dhe vijojnë rrugën në kërkim të jetës.

         E, duke i këshilluar të pranishmit të bëjnë ç’është e mundur që toka e tyre të mbetet mikpritëse e mikpritja të jetë festë e gëzim i krishterë, Papa Françesku merr si shembull Ungjillin e sotëm, atë të Dasmës së Kanës, në të cilin Zoja i thotë Jezusit se të ftuarit në festë nuk kanë verë. Është po ajo Zojë, që dukej nga elteri me emrin Zoja e Tiranës. Natyrisht, nuk është fjala për kryeqytetin e Shqipërisë, por për një fshat pranë Iquiques, në të cilin kjo Zojë festohet çdo vit në një kremtim shumëngjyrësh popullor.

Si Zoja, të kujdesemi për ata "që nuk kanë verë"

Si Zoja, nënvizon Papa, të jemi edhe ne të kujdesshëm ndaj nevojave të të tjerëve, të shohim “kush nuk ka verë”, ta dëgjojmë britmën e të varfërit.

Të jemi të vëmendshëm ndaj të gjitha situatave të padrejtësisë dhe formave të reja të shfrytëzimit, që i detyrojnë shumë vëllezër ta humbin gëzimin e festës. Të jemi të vëmendshëm ndaj pasigurisë së punës, që shkatërron jetë dhe familje. Të jemi të vëmendshëm ndaj atyre, që përfitojnë nga mungesa e dokumenteve apo mosnjohja e gjuhës nga shumë emigrantë. Të jemi të vëmendshëm ndaj mungesës së shtëpisë, tokës e punës për shumë familje.

 “Çfarëdo t’ju thotë Jezusi, bëjeni”

E pastaj, është po kjo Zojë, që i këshillon shërbëtorët e Dasmës së Kanës, “Çfarëdo t’ju thotë Jezusi, bëjeni”. E Papa i fton të gjithë të jenë si këta shërbëtorë, sepse Krishti erdhi në botë, jo për të vepruar vetëm, por së bashku me ne. Prandaj, ne duhet ta ndihmojmë, duke u impenjuar për solidaritet dhe drejtësi, duke e kthyer këtë impenjim në hare, në pjesë të këngës e të valles për Hyjin. E të dimë të mësojmë edhe nga emigrantët, pa u mbyllur në vetvete.

E së fundi, thekson Papa Françesku në meshën e Iquiques, para se të largohet nga Kili, “ta lemë Jezusin ta plotësojë mrekullinë, duke i shndërruar bashkësitë dhe zemrat tona në shenja të gjalla të pranisë së Tij, prani e gëzueshme e festive, pasi provuam se Zoti-është-me-ne, sepse mësuam si ta presim mes nesh. Festë e gëzim ngjitës, që na bëjnë të mos përjashtojmë askënd nga kumtimi i këtij Lajmi të Mirë”.

Falenderimi i Papës për vullnetarët

Para së të jepte bekimin përfundimtar të meshës, Papa Françesku falenderoi të pranishmit, autoritetet, por sidomos mijëra vullnetarët, për punën e heshtur e plot flijim që të sigurohej mbarëvajtja e vizitës së tij në Kili. “Pa impenjimin dhe bashkëpunimin e tyre – tha Ati i Shenjtë – do të kishin munguar amforat e ujit, që Zoti të mund të bënte mrekullinë e verës së gëzimit”.

Para se të nisej për në aeroport, Papa shkoi në shenjtëroren e Zojës së Lurdës, besuar etërve oblatë. Drekoi me ta, por edhe u takua me 10 të sëmurë e dy familjarë të viktimave të shtypjes diktatoriale të regjimit të Pinoçetit, në vitet’70. Ata i dorëzuan një letër Atit të Shenjtë. Në orën 20.45, ceremonia e lamtumirës nga Kili në aeroportin e Iquiques dhe nisja e Papës Françesku për në Lima të Perusë.








All the contents on this site are copyrighted ©.