2018-01-17 16:00:00

Papa në Kili. Në meshën me Mapuche-t: të mësojmë artin e bashkimit


Veprimtaria e parë e Papës Françesku ditën e sotme, ishte pikërisht mesha e kremtuar në aeroportin Maquehue të Temuco-s, në praninë e indiosve Mapuche, shumë të rëndësishëm për kulturën e jugut të Kilit, por edhe viktima të padrejtësive të mëdha nga qeveria qendrore në të kaluarën. Duke iu drejtuar pikërisht atyre, homelia e Atit të Shenjtë kishte si lajtmotiv lutjen: “O Zot, na bëj zejtarë të bashkimit”.

“Mari, Mari! Küme tünngün ta niemün”  (Mirëdita! Paqja qoftë me ju)

Papa i përshëndet që në fillim, në gjuhën e tyre, popullsitë indigjene, “anëtarët e popullit Mapuche, por edhe popujt e tjerë indigjenë, që jetojnë në këto toka jugore: Rapanui (Ishulli i Pashkëve), Aymara, Quechua e Atacama, si edhe shumë të tjerë”. Atit të Shenjtë i pëlqejnë poetët e, edhe kësaj radhe, kujtoi fjalët me të cilat gruaja e parë latinoamerikane, Çmim Nobel për letërsinë, Gabriela Mistral, pati përshkruar rajonin e Araucania-s, me toka pjellore, pyje të dendura, vullkane të zbardhura nga bora, liqenjtë dhe lumenjtë plot jetë. Por kjo tokë është mbrujtur edhe me padrejtësitë e së kaluarës, me të drejtat e mohuara nga kolonizatorët spanjollë. Populli Mapuche, që do të thotë Populli i Tokës, në gjuhën vendase (Che – Popull; Mapu – Tokë), kërkon njohje dhe drejtësi. E Papa, duke kujtuar “bashkimin” e kërkuar nga Krishti për ndjekësit e vet, ua propozon atë të pranishmëve.

“Ky bashkim, për të cilin përgjërohet Jezusi – thotë Ati i Shenjtë – është dhuratë, që duhet kërkuar me këmbëngulje për të mirën e tokës sonë dhe të bijve të saj. E duhet edhe të kemi kujdes nga tundimet e ndryshme që mund të shfaqen e ‘ta ndotin që në rrënjë’ këtë dhuratë të Zotit, me të cilën Ai na fton të jemi protagonistët e vërtetë të historisë”.

Mos e ngatërroni unitetin me uniformitetin

Papa Françesku nënvizon më tej, se uniteti nuk duhet ngatërruar me uniformitetin. Bashkimi i popujve nuk i ngjan as integrimit të detyruar, as mënjanimit, që pretendon të harmonizojë kështu, pjesën që mbetet. “Bashkimi, që kërkon dhe na ofron Jezusi, e njeh kontributin, që çdo popull e çdo kulturë ftohet të japë për këtë tokë të bekuar – ngre zërin Ati i Shenjtë. – Bashkimi është larmi në pajtim, sepse nuk toleron që, në emër të tij, të përligjen padrejtësi personale apo komunitare. Kemi nevojë për pasurinë e çdo populli e, duhet ta lëmë mënjanë logjikën e besimit se ka kultura të larta, ose të ulta”.

Arti i bashkimit

Papa Françesku e koncepton punën për bashkimin e të gjithë popujve e të të gjitha kulturave si art më vete, si punë laboratori, punë me dorë e jo punë industriale, që nuk kujdeset për detajet. “Arti i bashkimit – thotë ai për Mapuche-t dhe kilianët e tjerë në Temuco – pretendon e kërkon zejtarë të vërtetë, që të dinë t’i harmonizojnë ndryshimet në ‘laboratoret’ e fshatrave, të rrugëve, të shesheve e të pejsazheve. Nuk është art, që bëhet në tryezë, ose vetëm me dokumente, është art i dëgjimit dhe i njohjes”.

E kështu, Papa përvijon udhën e endjes së unitetit, si mënyrë për të qenë të pranishëm në histori, si solidaritet, që na bën të kuptojmë se kemi nevojë për njëri-tjetrin, pavarësisht nga ndryshimet. Për këtë i lutet Zotit “t’i bëjë të gjithë zejtarë të bashkimit”.

Armët e bashkimit

 Ati i Shenjtë nënvizon se bashkimi ka nevojë për armët e veta, të cilat janë njohja dhe solidariteti. Më këto dy armë, duke e njohur tjetrin e duke qenë solidarë me të, mund të luftohen dy prirje, që e kërcënojnë procesin e bashkimit. Së pari, vëren Papa Françesku, nuk mund të arrijmë marrëveshje të shkëlqyera në letër, që nuk konkretizohen kurrë. “Të fshish me bërryl, atë që ke shkruar me dorë”, thekson Bergoglio, është dhunë që zhgënjen shpresat. Së dyti, kultura e njohjes së ndërsjelltë nuk mund të arrihet mbi bazën e dhunës dhe të shkatërrimit, që në fund të fundit, kërkojnë jetë njerëzore.

 “Dhuna thërret dhunën – ngre zërin Papa – shkatërrimi e rrit përçarjen dhe ndarjen. Dhuna e bën të rreme edhe çështjen më të drejtë”. Të dyja këto forma duhen shmangur, sepse janë si llava e vullkanit, që merr përpara ç’të gjejë, duke lënë pas dëshpërim e shterpësi. “Të përpiqemi për rrugën e mospërdorimit aktiv të dhunës ‘si stil për një politikë paqeje’ – citon Françesku Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes 2017. – Të përpiqemi e të mos lodhemi kurrë së kërkuari dialogun, që sjell bashkim. Prandaj, le të themi me forcë: O Zot, na bëj zejtarë të unitetit tënd”.








All the contents on this site are copyrighted ©.