2018-01-16 17:58:00

Don Mark Shtjefni, në Universitetin Katolik, mbi mesazhin e Papës për paqen


Dje pasdite, në orën 14.30, në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë, u mbajt një simpozium mbi Mesazhin e Papës Françesku në Ditën Botërore të Paqes, me temë: “Migratët dhe refugjatët: burra e gra në kërkim të paqes” . Kontributi i emigrantëve dhe i refugjatëve për paqen ishte argumenti mbi të cilin debatuan meshtarë, profesorë, akademikë e personalitete të tjera. I ftuar i nderit, presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe nunci apostolik në Shqipëri, imzot Charles Brown. Nga kumtesat e mbajtura dje, veçuam atë të zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, don Mark Shtjefni, të cilën po jua propozojmë të plotë:

"Shumë vite më parë, pas fitimit të lirisë fetare në Shqipëri, erdhën shumë misionarë në vendin tonë. Kryesisht ishin rregulltarë dhe meshtarë. Por jo vetëm, pasi Kisha katolike ka edhe disa lëvizje apo ecje të përbotshme që anëtarët e tyre bëjnë një përvojë rrënjësisht ungjillore dhe më pas përhapen nëpër mbarë botën duke kryer mision pranë njerëzve. E kështu erdhi në Shqipëri një misionar laik i Lëvizjes Fokolare, Çezare Çezarini, i cili gjeti një mënyrë mjaft origjinale komunikimi.

Ishte mjaft interesant, pasi në Shqipërinë e pas viteve 1997, ku njerëzit e zhgënjyer dhe të frikësuar nga një pseudo luftë civile dëshironin të iknin nga vendi i tyre, ai filloi që nëpërmjet disa elementeve të riciklueshem (plastikë, letër, etj) transmetonte mesazhe. Një herë pasi u përhap lajmi i vdekjes tragjike të disa personave që donin të emigronin nga Shqipëria drejt Italisë me gomone, ai, dha një mesazh të fortë: tek sheh sesi njerëzit të hipnin në ato gomone vdekjeje kupton se nuk është vdekja që i frikëson njerëzit, por të jetosh këtu është më e frikshme se vdekja, të jetosh kështu është më e frikshme se vdekja".

Jam i bindur se edhe sot kjo fjalë ka një vlerë të veçantë pasi ajo na bën të mendojmë mbi forcën që realiteti dhe ngjarjet kanë në ne dhe në vendimet që marrim në jetë.

Misionari fokolarë jepte mesazhin që njeriu duhet të përballet me realitetin e madje edhe të ndërtoj një realitet të ri në vendin ku jeton. Por e gjitha kjo është e mundur vetëm nëse brenda nesh zbulojmë arsyen se pse duhet të shpenzohem që të ndërtoj një realitet të tillë.

Mendoj se Papa Françesku në Mesazhin e tij për kremtimin e Ditës së 51-të Botërore të Paqes me temën "Migrantët dhe Refugjatët: burra dhe gra në kërkim të paqes", na jep një mundësi të shqyrtojmë se përse në ditët tona miliona persona nga vende të ndryshme të botës vendosin të migrojnë dhe të emigrojnë.

Në pikën e 3-të të mesazhit, në paragrafin e parë ai citon profecinë e Isaisë në kap. 60 dhe atë të librit të Zbulesës kap. 21, në të cilat pjesë flitet për një qytet me dyert gjithnjë të hapura, me njerëz nga kombësi të ndryshme, me paqe dhe me drejtësinë që e drejton bashkëjetesën mes njerëzve. Ne e dimë se këto citime janë profetike, flasin për Jerusalemin e qiellit, për Mbretërinë e dashurisë së Zotit të zbuluar ndër Shkrimet e shenjta, por në të njëjtën kohë ato janë frymëzim i asaj që ne njerëzit dëshirojmë të ndërtojmë në vendet ku po jetojmë. Ajo që ne mbartim si destinacion është të gjendemi në Mbretërinë e Hyjit por vetë Hyji na ka zbuluar në Jezusin se ajo Mbretëri fillon dhe merr jetë jo nesër por që sot këtu mbi tokë. Mbretëria e dashurisë dhe e drejtësisë vendoset në marrëdhëniet tona mes njëri-tjetrit, me të mirën dhe me krijimin. Ky vizion profetik nuk mund të lihet për nesër, ai na është drejtuar ne njerëzve, dhe prandaj Ati i shenjtë nuk mund të jetë assesi indiferent ndaj dramave njerëzore të njerëzve që për të pasur një jetë më të mirë janë të gatshëm të sfidojnë vdekje e të mos vdesin nën dhunën që egoizmi i disa udhëheqësve apo i merkatos së armëve dikton.

Njeriu ka në vete dëshirën për të jetuar më mirë: çdo njeri ka një thirrje të tillë brenda vetës. Ku më mirë nuk do të thotë të shfrytëzosh të tjerët apo të sundosh mbi të tjerët për më mirë, por "më mirë" është dëshirë e diktatorëve si dhe e emigrantëve. Ajo që i dallon është mënyra sesi konkretizojnë kërkimin e së mirës. Nuk mund të jetë mirë kur shkatërrohet jeta e dikujt tjetër.

Që në paragrafin e parë Papa Françesku nënvizon faktin se mungon paqja, dhe kur paqja mungon do të thotë se marrëdhëniet nuk janë drejtësisht të orientuara, kur njeriu humb marrëdhënien e mirë apo të mirën ngjallen ndjenjat e armiqësisë dhe të luftës. 22 milion e gjysmë - thotë Papa - ka sot nëpër rrugët e botës si refugjatë: nuk janë vetëm në kërkim të bukës, ata janë në kërkim të një të mirë për jetën e tyre e të familjeve të tyre sepse dikush, apo disa, ka humbur paqen në mendjen dhe zemrën e tij dhe ka mbledhur të keqën, luftën dhe vdekjen. Bota sot nuk mund të ndihet e qetë vetëm me ngritjen e kampeve, apeli i Papës kërkon që të krijohet një dimension paqeje, marrëdhënie të mira mes njerëzve. Nuk mund të bëhet e mira nëse nuk e duam atë.

Dokumenti i përgatitur nga Papë Françesku për ditën botërore të Paqes me 1 janar 2018 ka në qendër të vëmendjes ata që kërkojë azil, refugjatët dhe viktimat e trafikimit. Fjalë kyçe. Rrënjë ungjillore. Nuk u lë shteg të mendojnë ndryshe atyre politikanëve që kërkimin e konsensit e ushqejnë me mbyllje/mure dhe racizëm.

Në kujtesën e të gjithëve përmend se janë shumë, tepër shumë “më shumë se 250 milionë në botë”. Më pas, duke huazuar fjalët e papës Benedikti XVI, qorton: “migrantë e refugjatë janë burra dhe gra, fëmijë, të rinj e të moshuar që kërkojnë një vend ku të jetojnë në paqe”... Që ta gjejnë, vazhdon, “shumë prej tyre janë të gatshëm të rrezikojnë jetën në një udhëtim që në pjesën më të madhe të rasteve është i gjatë dhe i rrezikshëm, të pësojnë mundin, lodhjen dhe vuajtjen, të përballen me rrethime dhe mure të ngritura për t’i mbajtur larg nga pikësynimi”.

Prandaj, qytetarët e Vendeve të destinacionit dhe Qeveritë e tyre respektive janë të ftuar të praktikojnë “virtytin e maturisë” që “t’i mirëpresin, t’i nxisin [promovojnë], t’i mbrojë dhe t’i integrojnë” migrantët dhe refugjatët, “duke caktuar masa praktike”, “në kufijtë e lejuar nga e mira e kuptuar drejtë”.

Tonet e përdoruara në këtë mesazh janë mjaft të dhimbshme si dhe gjuha është prerëse, që nuk u bie anash (sillet rrotull) problemeve, por i merr drejtpërsëdrejti. Papa Françesk e ngre zërin kundër “retorikës” së atij/asaj që “nxit frikën e migrantëve për qëllimi politike” duke mbjellë “dhunë, diskriminim racial dhe  ksenofobi” si dhe i fton kombet të aprovojnë paktet globale të ONU-s për migracione të sigurta dhe për refugjatët për të cilët do të flitet në vitin 2018.

“Ka shumë për tu bërë përpara se vëllezërit dhe motrat tona të mund të kthehen për të jetuar në paqe në një shtëpi të sigurt” pohon Papa. “Ta pranosh tjetrin lyp një angazhim konkret, një zinxhir ndihmash dhe dashamirësish, një vëmendje syçelët ([kujdes vigjilent]) dhe mirëkuptues, mbarështimin e përgjegjshëm të situatave të reja komplekse që, nganjëherë, u shtohen probleme të tjerave dhe të shumta që ekzistojnë, si dhe të burimeve që gjithnjë janë të kufizuara”. Nga këtu lind ftesa për qeveritarët që të veprojnë “në kufirin e lejuar (mundshëm) prej së mirës së përbashkët të kuptuar drejt, [për] ta lejuar atë përfshirje”. “Ata kanë një përgjegjësi të saktë ndaj bashkësive të tyre” nënvizon Papa, “të cilave duhet të sigurojnë të drejtat e duhura dhe zhvillimin harmonik, që të mos jenë si ndërtues të marrë që i bënë keq llogaritë dhe nuk arritën të kompletonin kullën që kishin filluar të ndërtonin”.

Në këtë mesazh Papa Françesku nxit “një shikim kundrues/soditës, i aftë të vërë re se të gjithë jemi pjesë e një familje të vetme, migrantët dhe popullsitë lokale që i mirëpresin ata, dhe të gjithë kanë të njëjtën të drejtë t’i përdorin të mirat e tokës, destinacioni i të cilave është i gjithmbarshëm, siç mëson doktrina sociale e Kishës. Këtu e kanë themelin solidariteti dhe bashkëndarja”.

Papa sugjeron edhe “katër gurë këndi për veprimin”, ose e thënë ndryshe, katër koncepte, katër fjalë (“me pranu/mirëprit, me mbrojtë, me promovu/me nxit dhe me integru”) të dobishme për të lidhë strategji efikase, në gjendje të japin atij/asaj “që kërkon strehim, refugjatëve, migrantëve dhe viktimave të shitblerjes së qenieve njerëzore mundësinë që të gjejnë atë paqe që janë duke kërkuar”. Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në fund, nënvizon edhe se viti 2018 do i shpjerë “kah përkufizimi dhe aprovimi nga ana e Kombeve të Bashkuara të dy pakteve globale, një për migrimet e sigurta, të rregullta e tjetra në lidhje me refugjatët”. Pakte që  do përfaqësojnë “një kuadër referimi për propozimet politike dhe masa praktike”. “Për këtë – vazhdon Papa – e rëndësishme është që të jenë të frymëzuara nga dhembshuria, largpamësia dhe guximi, në mënyrë që të shfrytëzohet çdo rast për të bërë që të përparojë ndërtimi i paqes: vetëm kështu realizmi i nevojshëm i politikës ndërkombëtare nuk do i dorëzohet cinizmit dhe globalizimit të indiferencës”. Papa i fton bashkësitë ndërkombëtare të “dialogojnë” dhe “të koordinojnë” duke parashikuar mundësitë që “përtej kufijve kombëtar” edhe “Vende më pak të pasura të mund të mirëpresin [pranojnë] një numër më të madh refugjatësh, ose për t’i pritur më mirë, nëse bashkëpunimi ndërkombëtar u siguron atyre gatishmërinë e fondeve të nevojshme”.

Dua të ndalem në një reflektim konkret për ne këtu në Shqipëri i nxitur nga ky mesazh i Ditës së 51-të Botërore të Paqes.

Mesazhi i Papa Françeskut normalisht që ndalet dhe trajton një temë shumë të nxehtë në ditët tona, dhe mund të lind tundimi, që duke lexuar titullin dhe tekstin, të mendojmë se ky mesazh u drejtohet shteteve të Evropës apo atyre që në një farë mënyre kanë në dorë fatet e popujve, se ne jemi një vend i vogël e nuk kemi shumë zë në këtë argument, mund të themi se ku jam unë nuk ka emigrantë. Nuk është vetëm çështje migruese, p.sh.: pranimin, hapjen e zemrës, e mendjes, e shtëpisë dhe e krahëve, për atë që ndihet i brishtë dhe i përjashtuar, të gjithë mund ta bëjmë. Kjo është një mënyrë të jetuari. Me siguri se është dikush që pret promovimin dhe integrimin dhe kjo na e hap mendjen dhe zemrën ndaj një mënyrë të jetuar Ungjillin konkretisht, duke u angazhuar në jetën e përditshme, si radhë herë.

Unë mendoj se ne, në Shqipëri, nuk duhet ta anashkalojmë këtë temë. Në disa raste më duket shumë konkrete. Mjafton të shohësh me sy të lirë nga makina, ndërsa je duke udhëtuar rrugëve të vendit tonë, dhe nuk dallon më se ku ndahen qytetet nga fshatrat. Gjatë viteve të demokracisë gjithandej nëpër Shqipëri njerëzit i kanë lëshuar zonat malore dhe ka një ngjeshje rreth qyteteve e sidomos rreth atyre të mëdha. Spostime/zhvendosje masive demografike që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në jetën e të gjithëve e të territorit. Gjithandej ndeshemi me probleme sociale që dallohen fare qartë sesi ndër qendrat e qyteteve investimet janë të dukshme e ndër periferitë, ku janë të vendosur shumica e të ardhurve, po hiqet shumë keq për urbanizimin e tyre sepse nuk ishin të kujdesshëm në pritjen e tyre dhe tani hera-herës ka një kujdes fasadë apo elektoral. Mungesa e shkollave apo e qendrave shëndetësore dhe sociale bëjnë, apo detyrojnë, që edhe sot shumë njerëz të shohin drejt qendrave të mëdha urbane mënyrën e vetme për të marrë shërbime jetike. Po a mund të themi se ka paqe sociale ndër këto realitete, në vendin tonë, kur në disa zona malore ka kaq shumë mungesë të qeverisjes së mirë duke të krijuar përshtypjen e qytetareve të kategorive të ulta ... e realitete të tilla në vendin tonë ka shumë. Po kjo padrejtësi sociale çfarë pasojash do të ketë në popullatën tonë? A nuk po përballemi edhe ne sot me emigracion dhe migracion?

Shqipëria po plaket ... ishte ky lajmi i para disa javëve që një institucion botërorë kishte konstatuar dhe sipas vëzhgueseve kjo vinte si pasojë e emigracionit. Dhe rrugëtime të tilla, për një jetë më të mirë, shpesh mbartin në vetvete shumë rreziqe, e njëra nga këto është edhe “humbja” e dinjitetit njerëzor. Nuk mund të mendojmë të restaurojmë dinjitetin dhe cilësinë njerëzore të jetëve tona nëse nuk angazhohemi për të restauruar ambientin njerëzor ku jetojmë. Nuk duhet të dorëzohemi, me angazhim duhet të përkushtojmë krejt mundin tonë në kërkimin e dialogut, të ballafaqimit, të rrugëtimit të mundimshëm ndaj bashkimit dhe pranimit të tjetrit.

Faleminderit!

Dom Mark Shtjefni

Tiranë, 15/01/2018"








All the contents on this site are copyrighted ©.