2018-01-15 00:00:00

Papa niset për Kili dhe Peru, në udhëtimin e tij të 22-të apostolik


Papa u nis për Kili dhe Peru, në udhëtimin e tij të 22-të. "Nesër unë do të shkoj në Kili dhe Peru: ju kërkoj të më shoqëroni me lutjen tuaj në këtë udhëtim apostolik". Në pragun e udhëtimit të tij të gjashtë në Amerikën Latine - i 22-ti udhëtim ndërkombëtar papnor - Papa Françesku iu drejtua në këtë mënyrë, të dielën më 14 janar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Një udhëtim me një program tejet intensiv - me gjashtë qytete që do të vizitohen gjatë shtatë ditëve, 21 fjalime dhe 10 fluturime, duke përfshirë udhëtimin Romë-Santiago me 16 orë fluturim, më i gjati i përballuar ndonjëherë nga një Papë - dhe me momentet po aq domethënëse e të rëndësishme si takimi në Kili, në Temuco, me popullsinë indigjene Mapuche, e pastaj takimi, gjithnjë në Kili, në Iquique, me viktimat e diktaturës Pinochet, dhe në Peru, në Puerto Maldonado, me popujt e Amazonës, "takimi i parë që ka të bëjë me sinodin", shpjegoi zëdhënësi i Vatikanit, Greg Burke.

Pas ditës së sotme e cila do të jetë e zënë plotësisht me fluturimin drejt kryeqytetit kilian, të martën më 16 janar, në Santiago, Papa Françesku do të takojë autoritetet e Monedas (përfshirë edhe presidentin e zgjedhur, i cili ende nuk ka marrë detyrën, Sebastian Pinera), do të vizitojë presidentin aktual në detyrë, socialistin Michelle Bachelet, do të kremtojë Meshën në Parkun O'Higgins, do të vizitojë burgun e grave, pastaj do të ketë edhe takimin me klerin dhe me episkopatin e vendit në Katedrale, në vazhdim do të shkojë në shenjtëroren e shën Alberto Hurtado-s, jezuit, ku do t’i shohë sivëllezërit e tij jezuitë.

Të mërkurën 17 janar, Papa Françesku do të shkojë në Temuco, në jug, për kremtimin e Meshës në aeroportin Maquehue dhe drekën me disa banorë
të Araucania-s, ndër të cilët do të jenë tetë përfaqësues të popullit vendas (indigjen) Mapuche, i cili prej kohësh kërkon një njohje më të madhe. Pastaj sërish në Santiago, Papa Françesku do të takojë të rinjtë në shenjtëroren e Maiput, këndej do të vizitojë Universitetin Papnor Katolik të vendit.

Të enjten më 18 janar, Papa do të fluturojë në Iquique, në veri të vendit, ku prania e emigrantëve në minierat e bakrit dhe litiumit është e lartë, dhe
pas kremtimit të Meshës në Campus Lobito e para drekës në Shenjtëroren Nuestra Senora de Lourdes do të përshëndesë të sëmurët e do të takohet me dy viktima të represionit të regjimit të viteve '70, të cilët do t’i dorëzojnë Papës një letër. Këndej, nisja për në Lima të Perusë.

Prej këtu, të premten më 19 janar, Papa Bergoglio do të shkojë menjëherë në Puerto Maldonado, ku do të takojë njerëzit e Amazonës (do t'u japë enciklikën papnore ‘Laudato si' në gjuhët lokale) dhe popullsinë lokale, e gjithashtu do të vizitojë edhe qendrën Hogar që kujdeset për fëmijët.
Pastaj do të drekojë me përfaqësuesit e popullsisë së Amazonës në Qendrën Pastorale Apaktone. Duke u kthyer në Lima, Papa do të takojë autoritetet, do të shkojë për të vizituar presidentin Pedro Pablo Kuczynski e do të takohet me jezuitët në Kishën e San Pedro-s.

Të shtunën më 20 janar, në Trujillo, Papa do të kremtojë Meshën në fushën bregdetare të Huanchaco-s, një vend i njohur për surfistët, një xhiro me 'papamobil' në lagjen "Buenos Aires", e cila vitin e kaluar u dëmtua nga përmbytjet, pastaj takimi me priftërinjtë dhe kremtimi marian për nder të Virgen de la Puerta.

Të dielën më 21 janar në Lima, Papa Françesku do të lutet me 500 rregulltarë kundrues, pastaj në Katedrale pranë relikeve të shenjtorëve peruvianë, do të takohet me ipeshkëvijtë e, përveç lutjes së Engjëllit të Tënzot në Plaza de Armas, Papa do të kryesojë kremtimin e Meshës në bazën ajrore Las Palmas, akti i fundit para se të kthehet në Romë.

Po kujtojmë se motoja e udhëtimit papnor është: "Unë do t'ju jap paqen time"(Kili) dhe" Të bashkuar në shpresë"(Peru). E duke pasur parasysh rastet që kanë ndodhur në Kishën lokale, në Kili, a do të takohet Papa me viktimat e abuzimeve seksuale? "Nuk është në program, por kjo nuk do të thotë se është e pamundur, "u përgjigj para gazetarëve zëdhënësi i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Burke.

Si në Kili, ashtu edhe në Peru, ka qenë edhe shën Gjon Pali II. Kilin, Papa polak e pati vizituar në vitin 1987, ndërsa në Peru pati shkuar dy herë, në vitin 1985 dhe më 1988. Papa Françesku ka jetuar për një vit e gjysëm në Kili, në noviciatin e jezuitëve e para se të zgjidhej në fronin e Shën Pjetrit, ka vizituar edhe Perunë.








All the contents on this site are copyrighted ©.