2018-01-15 12:45:00

Ernest Koliqi, njeriu i madh i letrave shqipe


Viti 1975. Vdes papritur në Romë, në banesën e tij, më 15 janar, njeriu i madh i letrave shqipe, Ernest Koliqi. Varroset më 18 janar, në Prima Porta. Në ceremoninë funebre marrin pjesë shumë personalitete, kolegë, miq shqiptarë dhe italianë, shumë arbëreshë e shumë të tjerë, ardhur nga SHBA-të, Turqia, Suedia, Gjermania Perëndimore, Franca, Belgjika e nga vende të tjera të vetë Italisë. Lamtumirë solemne dhe e ndjerë për njeriun, i cili, për vite me radhë, ishte konsideruar personaliteti më i lartë i shqiptarëve të dalë nga kufijtë e atdheut mëmë.

Me të, vdes një pikë referimi për shqiptarët e lirë, të cilëve u lë trashëgim ëndrrën e lirisë për tokën e vet, që do të realizohej shumë më vonë. Në testamentin e tij moral, i pati kërkuar së bijës, Elizabetës, të shkelë në atdhe, sapo ai të çlirohej nga shtypësi (komunizmi). E ajo e mbajti fjalën e në vitin 1992, pas rënies së regjimit diktatorial, vuri këmbën në Shqipërinë e dashur, duke shënuar me këtë gjest, kthimin simbolik të të atit, Ernest Koliqit, në shtëpi. Po e kujtojmë sot, Ernest Koliqin, me tri shkrime, marrë nga rubrika “Xixat e Shêjzave” e revistës “Shêjzat”, që ai vetë e botonte në Romë. Flasin për rëndësinë e traditës:

"Art pompier"
...Kush lakmon përtrîmje tue u shkëput nga tradita, ai verbsisht pregatitet me marrë traditën e të huejit...

Lexoi me kureshtje ndër fletore e të përkohëshme letrare vjerrsha auktorësh të rij shqiptarë. Flas për ata qi vjerrshojnë në Shqipní mbrendë. Thotë Fishta burrnisht, tue çmue trimnín e Malazezvet: Kijau inád, por foljua hakun... Edhe unë, nonse larg tyne për shkak të përftimit qi deshtas a padeshtas u a frymzon veprën, pohoj çiltërsisht se në disá sijsh shfaqet nji talent i rrallë. Por ... dishka u a pret hovin. Besoj mungesa e lirís e cila i detyron m’u strehue në gjinin e ermetizmit. Në nji gjuhë të njomë, për sa i përket përdorimit letrar si âsht shqipja, gjuhë e pakristalizueme mirë në leksik, ermetizmi të çon domosdo në greminë të shprehjeve pa kuptim. Tjetër vlerë merr poezija e nji Éluard-i ase e nji Pasternakut, qi lirohen nga urat e logjikës dhe i u shmangen lidhjeve syntaktike për me arrijtë n’esencjalitet , d.m.th. në poezín e stërkulluet. Tjetër shkallë kanë vjerrshat e ku grumbullimi i fjalve kumbon pa mujtë, nepër ato fjalë, me mishnue ndiesín qi i dridhet poetit në shpírt. Por, ndoshta, sikur t’a shprehshin at ndiesí lakuriq nëpër teknikën tradicjonale, vjerrsha e tyne nuk do të botohej...
Sidoqoftë, shumica e vjerrshatarëve të rij nuk m’a shuen etin e poezís qi tash mâ se pesëdhetë vjet m’a shkrumbon shpirtin e më shtyn me kërkue kroje Zânash kangatare në letrësít qi njof. Ata biejnë kulihum në të mbetat qi i a mveshin poetënve të vjetër. E dijmë qi shija ndrron. Çdo vepër lypë trajta të reja shprehjeje artistike. Rreth vjetve 1930 në letrësín shqipe ngjau nji kthesë. Si pionjer, qi nisi shkollën e ndjekun edhe sot nga vjerrshatarët e Shqipnís, paraqitet Migjeni. Ky solli në poezín e vendit t’onë tematikën e re, plot ngashërim përparimesh shoqnore, qi në Jugoslaví, ku ai u arsimue, njifej me kohë. Nji qellim kategorik i letrarve qi, mutatis mutandis, ende shkërbejnë Migjenin âsht ostracizmi i retorikës. E nuk kujtohen se biejnë në nji lloj retorike edhe mâ të shterpë se ajo qi ata urrejnë n’auktorët e vjetër. Biejnë si viktima në retorikën e antiretorikës. Shum nënshkrime të reja shifen sot në fund të hartimeve lyrike botue në "Dritën" e në "Nëndorin". Tue përjashtue disa të pakët, e shumta e vjerrshave s’kanë dallim njâna prej tjetrës. Shumicës i mungon personaliteti: mungon në poezí të tyne ai tingull i veçantë, ajo fuqí tërhjekëse, ajo lëvizje flatrash ndër parafytyrime qi i dhuron shpirtit nji dridhje të papritun e nji andje depërtuese. Vjerrshatarët maten, paleh kush po e kalon shokun, në litanít trumbetuese të merzitshme në lavd të rendimeve shtetnore publicitare. N’i lypsh të shkathët me trillue riçeta agjografike të regjimit, të shkathët i ké, por n’i lypsh të zotët me të rrëmbye në nji hov muzikuer e në nji shkelqim kromatik parafytyrimesh, në nji epërsí përftimesh të nalta njerzore, deshiri i yt të jet i paplotsuem. Në Francë at lloj shprehjesh të stereotipueme në pikturë, në muzikë, në letrësí e thrrasin "Art pompier".

Kûji i traditës

Nuk e mohojmë qi flàmuri i veprimtarís s’onë kulturore âsht tradicjonalizmi. Mbas atij flàmur na marrshojmë. Vetë êmni i kësaj së përkohëshme e dishmon: Shêjzat, nji hyllsí qi u a tregon udhat e detit lundertuesavet. N’at hyllsí shkelqejnë xhevahiret e trashigimit t’onë stërgjyshuer. E dijmë se në disa t’ashtuquejtun përparimtarë, të rij ndoshta në moshë por të mplakun në shpírt, këto pohime t’ona shkaktojnë nji buzëqeshje përbuzëse. Na njehin të vjetruem, të kapërcyem, dinozaura teprue nga lashtësít parahistorike. Nuk marrin ndër parasysh se na, të mbrapambetunit, u shkolluem e u rritem e banojmë ndër metropole e se prandej, sado të plogët ndër trû me qênë, prap fryma e vrullshëme përparimtare, mbrenda së cilës kalojmë jetën, na shtërngon t’i prekim me dorë problemet qi ata mendojnë se na nuk i njofim. Na e përfillim në të gjitha përmasat e veta përparimin në çdo degë të ditunís e të jetës: tradicjonalizmin e kemi zgjedhë me vetëdijen mâ të plotë. Jemi të bindun se po deshtëm me rrnue në botë si Shqiptarë, - duhet të vêm në themel të bashkëjetesës s’onë kombtare traditën. Merret vesht traditën e kuptueme dinamikisht, të rrahun në frymë të kohës, të pastrueme nga ndryshku i paragjikimeve qi s’kanë të bâjnë me palcin e thjeshtë të brumit t’onë fisnuer. Duem qi breznít e ardhëshme t’a endin jetën e tyne me elementat mâ bujarë të përvojës s’Etënvet të lashtë. Kush lakmon përtrîmje tue u shkëput nga tradita, ai verbsisht pregatitet me marrë traditën e të huejit, tue kujtue se shkeli lum e lum si njerí i ri mbi prak t’ardhëmënís. Njeri i rí ndoshta po, por jo Shqiptar.

Nji anmik në ditë

Tue bisedue para shum kohe me nji të dashun t’êmin, Shqiptar mendesquet e i rysun nëpër ngjarje të ndërlikueme të historís shqiptare, ra fjala mbi grindjet qi e shuejnë ndër né përpjekjen në daç politike në daç shoqnore e letrare. E më tregoi se nji herë në Tiranë Hasan Prishtina, Atdhetari i njoftun kosovar, ishte qênë sulmue keqas nga nji gazetar me nji artikull plot kritika t’ashpra. Hasan begu kishte do djelm si petrita mbas vetes. Njâni prej tyne, si mori vesht sulmin e pësuem nga zotnija i vet, i tha: - "Beg, m’ep lêjen të shkoj e t’i ap nji drû të shëndoshtë atij edepsyzit qi na ka dokanisë aqë randë... ". Atdhetari i Prishtinës i u përgjegj: - "Morè budallë, atij duhet t’i jemi mirnjohës. Deri sa bota më shajnë ndër gazeta e kafehaneve don me thânë se dishka vlej. Atëherë kur mos të flasin mâ kush për tê, nji njerí politiket ka mbarue... ".
Lazër Shantoja thonte: - "Për m’u bâ njerí i madh në Shqipní, duhet me fitue s’paku nji anmik në ditë. Gjindja kur ndigjojnë se dikush shahet pajadá e me ngulm, fillojnë e brehen nga kureshtja m’e njoftë, me dijtë pse përmendet e pse urrehet me aqë furí. Fitò nji anmik në ditë dhe syt e botës kanë m’u sjellun kah ti...".

ERNEST KOLIQI, "Shêjzat", 1973, n. 5-8.








All the contents on this site are copyrighted ©.