2018-01-12 15:49:00

Ambasadori i Kilit: emigrantët dhe mapuçet, në udhëtimin e Papës


Atmosferë gëzimi e pritjeje përjetohet këto ditë në Kili për vizitën e afërt të Papës Françesku, i cili do të mbërrijë në vendin amerikanojugor, në orët e para të së martës, 16 janar, e do të qëndrojë deri më 18 janar, kur do të niset për në Peru. Tre, vendet që do të prekë Ati i Shenjtë, secili me karakteristika të veçanta: Santiago i Kilit, kryeqyteti; Temuco, i lidhur me indiosit mapuçe; dhe Iquique, ku është i rëndësishëm emigracioni nga vende të tjera të Amerikës Latine. E shpjegon në këtë intervistë, ambasadori i Kilit pranë Selisë së Shenjtë, Francisco Mariano Fernàndez Amunàtegui, i cili niset pikërisht nga populli mapuçe:

         Populli mapuçe është autokton në Kili, më i rëndësishmi. Ka luftuar shumë: spanjollët janë ndeshur për 300 vjet më radhë me mapuçet, para se të arrihej paqja. E megjithatë, mapuçet janë injoruar për shumë vite. Nga 1990-a, qeveria e re demokratike punoi për të arritur në integrimin e vërtetë të këtij populli në shoqëri. E sot, mapuçet janë bërë pikë referimi për vendin. Janë më se 1 milion vetë në një shtet me 17 milion banorë.

         Më tej, Papa Françesku do të shkojë në veri të Kilit, në Iquique, ku ka shumë emigrantë. Jeta e qytetit varet edhe nga kjo prani, apo jo?

         Jemi në një vend, që tani, pret më shumë emigrantë për kokë se gjithë Amerika Latine. Gjatë një viti, kemi pritur 100 mijë vetë, ardhur nga Haiti. Kemi më se gjysëm milioni peruvianë, po aq bolivianë, 350 mijë vetë nga Kolombia e nga Argjentina. Para një muaji, pritëm 100 emigrantët e parë nga Siria dhe Venezuela, e cila po kalon një situatë shumë të vështirë. Mbërrijnë çdo ditë avionë me 50-60-100 vetë. Atëherë, Papa do të gjejë një vend, që zbaton çfarë thotë ai vetë mbi temën e emigracionit: “mikpritje dhe integrim”. Deri tani, njerëzit e kanë pranuar emigracionin. Ka edhe zëra kritike – siç ndodh për çdo gjë – por problemi kryesor në Kili, përsa u përket emigrantëve, është ligji tepër i vjetër. Po zbatohet një plan për reformimin e këtij ligji, në mënyrë që të gjejmë mjetet për integrimin më të mirë të emigrantëve.

         Papa tregon shumë kujdes për temën e ambientit, të natyrës. Ju keni një politikë për mbrojtjen e ambientit…

         Po, jo vetëm politikë mbrojtëse. Besoj se kemi bërë hapa shumë të rëndësishme përpara. Për shembull, sot, 20% e energjisë elektrike të Kilit vjen nga dielli dhe era. Falë masave të fundit, kemi dy milion kilometra katrorë zona detare të mbrojtura, dyfishi i territorit të vendit.

Çfarë shpresoni nga udhëtimi i Papës?

         Uroj që t’i japë një shtysë të madhe përshpirtërisë së vendit, sepse është bërë tepër konsumist.








All the contents on this site are copyrighted ©.