2018-01-10 14:17:00

Papa Françesku u dhuron nevojtarëve bukurinë e cirkut Medrano


“Njerëzit, që bëjnë shfaqje në cirk, krijojnë bukuri, janë krijues të bukurisë. E kjo i bën mirë shpirtit. Sa kemi nevojë për bukuri!” Kështu thoshte Papa Françesku, më 7 janarin e tre viteve më parë, gjatë takimit me artistët e cirkut, në përfundim të audiencës së përgjithshme. Një bukuri, të cilën Ati i Shenjtë deshi t’ua dhuronte konkretisht, edhe atyre që jetojnë në periferitë ekzistenciale.

Cirku i solidaritetit

         Nesër pasdite, trapecistët, klounët dhe artistët e tjerë të cirkut Medrano në Romë, do të bëjnë një shfaqje për të varfërit, për të pastrehët, për refugjatët, për një grup të burgosurish e familjesh nevojtare, si edhe për një grup vullnetarësh, të gjithë të ftuar nga Lëmoshtaria Apostolike, e cila administron bamirësinë e Papës.

         “Në shfaqje, përpiqemi të vemë zemrën për të transmetuar gëzim e pasion. Do të jetë një ditë shumë e bukur”, nënvizon Braian Casartelli, familja e të cilit e udhëheq cirkun Medrano, që prej shtatë brezash. Së bashku me afaristin Fabrizio Grandi, ai ka ideuar edhe të ashtuquajturin “Cirk i Solidaritetit”.

Fitimet e së enjtes për solidaritet

         Çdo të enjte, një pjesë e fitimeve të spektaklit shkon për nevojtarët e që nesër, kjo pjesë e të ardhurave do të jepet për “bamirësinë e Papës”. Mbrëmja e solidaritetit, me të cilën filloi ky sezon, u mbajt më 23 dhjetorin e kaluar. Nesër, të pranishmëve do t’u jepet edhe një qese me ushqime për darkë. Shërbimi shëndetësor do të sigurohet nga ambulanca me personelin mjekësor të Vatikanit. Nisma është vijim i “Mbrëmjes së madhe të zemrës” së vitit 2015, të ardhurat e së cilës shkuan për spitalin pediatrik të Krishtit Fëmijë.








All the contents on this site are copyrighted ©.