2018-01-09 15:00:00

Videomesazh i Papës Françesku për udhëtimin në Kili e në Peru


Javën e ardhshme, Papa Françesku do të niset në udhëtim apostolik për në Kili e në Peru. Ati i Shenjtë do të qëndrojë në Kili nga 15 deri më 18 janar e pastaj, në Peru, deri më 22 janar. Sot, pak ditë para nisjes, Papa iu drejtua të dy popujve me një videomesazh, siç është bërë tashmë traditë për të gjitha shtegtimet e tij apostolike.

         Duke shprehur afërsinë me ato toka, krejt pranë Argjentinës së tij, Papa Bergoglio u thotë besimtarëve se shkon si shtegtar i gëzimit të Ungjillit, për të ndarë me ta “paqen e Zotit” e “për t’i përforcuar në shpresën e krishterë”. Paqe e shpresë, ndarë me të gjithë, nënvizon.

         “Dëshiroj t’ju takoj, t’ju shoh në sy, të shoh fytyrat tuaja dhe, të gjithë së bashku, të mund të provojmë afërsinë e Zotit, dhembshurinë dhe mëshirën e Atij, që na përqafon e na ngushëllon – thekson Ati i Shenjtë. 

         E njoh historinë e vendeve tuaja, endur me impenjim, përkushtim; dëshiroj që, së bashku me ju, të falenderoj Zotin për fenë dhe për dashurinë tuaj ndaj Hyjit dhe ndaj vëllezërve në nevojë, sidomos, për dashurinë që keni ndaj të mënjanuarve nga shoqëria – i kthehet Papa idesë së kulturës së hedhurinave, e cila duhet kundërshtuar fuqishëm.

         Kultura e hedhurinave – vijon – çdo herë, na ka pushtuar gjithnjë e më tepër. Dua të bëhem pjesëmarrës në gëzimet, trishtimet, vështirësitë dhe shpresat tuaja e t’ju them se nuk jeni vetëm, se Papa është me ju e se mbarë Kisha ju përqafon e ju sheh.

         Me ju – u flet popujve të Kilit e të Perusë, Papa Françesku – dëshiroj të provoj paqen kaq të nevojshme, që vjen prej Zotit; vetëm Ai mund të na e japë. Është dhurata, që na bën Krishti të gjithëve, baza e bashkëjetesës dhe e shoqërisë sonë; paqja e ka themelin në drejtësinë e na jep mundësinë të synojmë drejt bashkimit dhe harmonisë. Duhet t’ia kërkojmë vazhdimisht Zotit e Hyji na e dhuron. Është paqja e të Ringjallurit, që sjell gëzim e na inkurajon të jemi misionarë, duke e gjallëruar dhuratën e fesë, e cila na çon drejt takimit, drejt bashkimit në një fe të vetme, të kremtuar e të dhuruar.

         Ky takim me Krishtin e Ringjallur – nënvizon më tej, Ati i Shenjtë – na përforcon në fe. Nuk duam të kapemi pas gjërave të kësaj bote, vështrimi ynë shkon përtej, sytë tanë shohin mëshirën e Hyjit, që e shëron mjerimin tonë. Vetëm Ai na jep shtysën për t’u çuar e për të ecur përpara. Ta prekësh me dorë këtë afërsi të Zotit na bën bashkësi të gjallë, të aftë për t’u mallëngjyer me ata, që kemi pranë; të aftë për të bërë hapa të vendosura miqësie e vëllazërie. Jemi vëllezër, që dalin të takohen me të tjerët, për të përforcuar të njëjtën fe dhe shpresë”.

         E së fundi, urimi e lutja e Papës Françesku, i cili e vë këtë udhëtim apostolik në Kili e në Peru, si edhe ndjetet e atyre popullsive, në duart e Virgjërës Shenjte, Nënë e Amerikës. E në mbyllje të videomesazhit, nuk harron t’u kërkojë besimtarëve kilianë e peruvianë të luten për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.