2018-01-09 13:19:00

Papa në Shën Martë: jeta me dy faqe e barinjve të Kishës, është plagë për të


Dhembshuri, afërsi, koherencë. Këto janë tiparet e bariut të Kishës dhe prej këndej buron “autoriteti” i tij. Kështu, Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Duke komentuar Ungjillin e sotëm sipas Markut, kushtuar Jezusit, që i mësonte njerëzit si “dikush me autoritet”, Ati i Shenjtë shpjegon se është fjala për një “mësim të ri”: “risia” e Krishtit është pikërisht “dhurata e autoritetit”, që e ka marrë nga Ati Qiellor. Para mësimeve të skribëve, të dijetarëve të ligjit, që, gjithsesi, “thoshin të vërtetën”, vë në dukje Papa, njerëzit mendonin të tjera gjëra, sepse ato që thoshin “nuk mbërrinin në zemër”, nuk u interesonin, pasi dijetarët përdornin një gjuhë katedre e jo gjuhën e shpirtit. Ndërsa, shton Françesku, “mësimi i Jezusit shkakton mahnitje, e shkund zemrën”, pasi Atij i jepte autoritet afërsia me njerëzit, kuptimi i problemeve, i dhimbjeve dhe i mëkateve të tyre.

         Pikërisht pse ishte afër, kuptonte, mirëpriste, shëronte dhe mësonte përmes afërsisë. Ajo, që i jep autoritet një bariu, ose e rizgjon autoritetin e dhënë nga Ati Qiellor, është afërsia: afërsia me Zotin në lutje – bariu, që nuk lutet, bariu që nuk e kërkon Zotin, e ka humbur një pjesë – si edhe afërsia me njerëzit. Bariu i ndarë nga njerëzit nuk arrin tek ata përmes mesazhit. Duhet afërsia, kjo afërsi e dyfishtë. Ky është shugurimi i bariut, që mallëngjehet para dhuratës së Zotit në lutje e që mund të ndjejë dhembshuri para mëkateve, problemeve, sëmundjeve të njerëzve: lëre bariun të mallëngjehet.

         Skribët, vijon Ati i Shenjtë, e kishin humbur aftësinë për t’u mallëngjyer, pikërisht sepse nuk i qëndronin afër as Zotit e as njerëzve. E kur humbet kjo afërsi, vëren Papa, jeta e bariut të Kishës nuk është më koherente.

         Jezusi është i qartë për këtë: ‘Bëni atë që thonë’ – thonë të vërtetën – ‘por jo atë që bëjnë’. Jeta e dyfishtë… Shëmti, kur sheh barinj me jetë dyfytyrash. Barinj të sëmurë, që e kanë humbur autoritetin dhe vijojnë në këtë jetë me dy faqe. Ka mënyra të ndryshme për ta çuar përpara jetën e dyfishtë: pro mbetet me dy faqe ama… E Jezusi është shumë i ashpër me ta. Jo vetëm u thotë njerëzve të bëjnë atë, që thonë, por jo atë që bëjnë. E atyre, çfarë u thotë? ‘Varreza të zbardhura me gëlqere’: bukuri në doktrinë, por vetëm nga jashtë. Brenda, ndyrësi. Ky është fundi i bariut, që nuk i afrohet Zotit me lutje dhe njerëzve, me dhembshuri.

         Papa Françesku përmend Leximin e Parë të liturgjisë së sotme, që propozon figurën e Anës, e cila i lutet Zotit për një djalë dhe, atë të priftit, “Heliut plak”, që e kishte humbur afërsinë e vet me Zotin dhe e shihte Anën si ndonjë të dehur. Ndërsa ajo po lutej në zemër të vet, prandaj lëvizte vetëm buzët. E ia shpjegoi këtë meshtarit e kështu, Heliu, duke e dëgjuar, qe në gjendje t’i afrohej zemrës së saj e ta niste me urimin: “Zoti i Izraelit të dhashtë çka i ke kërkuar”. E kuptoi, vëren Papa, se kishte gabuar e nga zemra i doli bekimi e profecia, që më pas realizohet, sepse Ana lindi Samuelin.

         Unë u them barinjve, që jetojnë të ndarë nga Zoti e nga populli, nga njerëzit: ‘Mos e humb shpresën. Ka gjithnjë një mundësi. Edhe Heliut i mjaftoi ta shihte, t’i afrohej një gruaje, ta dëgjonte e kështu, të rizgjonte autoritetin për të bekuar e profetizuar; e profecia u bë dhe djali i gruas u lind’. Autoriteti… autoriteti është dhuratë e Zotit. Vjen vetëm prej Tij. E Jezusi ua jep të vetëve. Autoritetin për të folur, që vjen nga afërsia me Zotin e me njerëzit, gjithnjë të dyja bashkë. Autoritetin, që është koherencë, jo jetë me dy fytyra. Është autoritet e, nëse bariu e humbet, së paku të mos humbë shpresën, ashtu siç bëri Heliu: gjithnjë ka kohë për t’u afruar e për ta rizgjuar autoritetin e profecinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.