2018-01-06 15:51:00

Befana: traditë e legjendë


Befana është figurë tipike e folklorit, e pranishme në krijimtarinë gojore popullore të mbarë popullit italian. Lidhet me të gjitha figurat folkloristike që shpërndajnë dhurata, menjëherë pas kremtimeve të Kërshndellave.

Sipas traditës, Befana shkon për vizitë tek fëmijët natën e Dëftimit të Zotit, më 5 janar, për t’u mbushur çorapet e varura në vende të ndryshme. Fëmijëve të mirë u dhuron ëmbëlsira, të këqijve, qymyr- prej sheqeri, natyrisht. Ka pamjen e shtrigës, por të shtrigës së mirë, gjithnjë buzagaze, me thesin e dhuratave ngarkuar mbi shpinë.

Legjenda

Sipas rrëfimit popullor, Tre Mbretërit Dijetarë, drejtuar kah Betlehemi, për t’i paraqitur dhuratat e  tyre Krishtit Fëmijë, me që nuk po e gjenin rrugën, iu lutën një plake vendase t’u printe.

Megjithë këmbënguljen e tyre, plaka nuk doli nga shtëpia për t’i shoqëruar. E ata u nisën përsëri, rrugë pa rrugë. Sapo ishin zhdukur në horizont, me devetë e tyre ngarkuar, plaka u pendua. Mbushi shpejt e shpejt një thes me ëmbëlsira, doli nga shtëpia e u nis pas gjurmëve të tyre. Por nuk mundi t’i arrinte. E vijoi kështu, duke trokitur derë më derë e duke u dhuruar ëmbëlsira fëmijëve, që takonte, me shpresë se njëri prej tyre do të ishte Foshnja Hyjnore.

Që asokohe Befana plakë vijon të shtegtojë nëpër botë, duke u bërë dhurata fëmijëve, me shpresë se Ferishtja e grazhdit do ta falë.

Ja si i këndon Befanës poeti i njohur italian, Gjovani Paskoli:

“Erdhi, erdhi prap Befana;

zbret nga malet nëpër natë,

lodhë e këputë nga rruga e gjatë,

dëbora, ngrica e tramundana”.

Befana, pra, përkon me solemnitetin e Dëftimit të Zotit, më 6 janar, e lidhet ngushtë me figurat e Tre Mbretërve: Melkiorin, Baldasarin e Gasprin, që u nisën nga vende të ndryshme, ndoshta nga Nubia, Godolia e Tharsis, për t’i dhuruar Jezusit ar, kem e mirrë. Simbolika e dhuratave: ar - për Mbretin; kem - për Zotin, mirrë - për njeriun që do të flijohej në kryq, sepse mirra është aromë që përdoret për të lyer trupat e të vdekurve. Njihnin kështu flijimin e Zotit, sundimin e tij mbretëror mbi universin e hyjninë e Foshnjës së grazhdit. Tre Mbretërit përshkuan shumë vende, të udhëhequr nga një yll e kudo shkelnin, banorët  vraponin pas tyre. E kështu, në shtegtim e sipër, trokitën në portën e plakës, Befanës, që nuk pranoi t’i shoqëronte. Prandaj plaka nuk mundi ta shikojë Jezusin në grazhd. Që aso kohe, gjithnjë sipas legjendës, natën ndërmjet 5 e 6 janarit, duke fluturuar mbi një fshesë, me një thes në shpinë, kalon shtëpi më shtëpi për t’u shpërndarë fëmijëve dhuratat, që nuk mundi t’ia jepte Foshnjës.








All the contents on this site are copyrighted ©.