2018-01-05 14:25:00

Papa: pakti ndërmjet shkollës e familjes është prishur, duhet rikrijuar


Besëlidhja  edukative  ndërmjet shkollës e familjes ishte një nga pikat kryesore të reflektimit, që Papa ia propozoi sot Shoqatës Italiane të Mësuesve katolikë (Aimc), gjatë audiencës, në Sallën Klementine. Takimi u mbajt në përfundim të Kongresit të 21-të Kombëtar, organizuar në Romë me temë “Kujtesa e ardhmëria. Periferitë dhe kufijtë e dijeve profesionale”

Pakti edukativ ndërmjet familjes, shkollës dhe shtetit është prishur

“Jam i bindur se pakti edukativ ndërmjet familjes, shkollës dhe shtetit është prishur - kujtoi Papa. - Duhet rilidhur” - shtoi, duke folur lirisht.

“Të gjithë e dimë se kjo aleancë është prej kohe në krizë e, në disa raste, është këputur fare - nënvizoi Françesku. - Dikur kishte një bashkëpunim shumë më të ngushtë ndërmjet prindërve e mësuesve. Sot situata ka ndryshuar, por nuk mund të rrimë duke e shikuar me nostalgji të kaluarën. Duhet të jemi të vetëdijshëm për ndryshimet që ka pësuar si shkolla, ashtu edhe familja e ta përtërijmë angazhimin  për një bashkëpunim të frytshëm, për të mirën e fëmijëve e të të rinjve. Thënë me dy fjalë, duhet ta rikrijojmë paktin edukativ”.

E me që ky përkim nuk krijohet më në mënyrë të natyrshme  - vërejti Ati i Shenjtë - duhet favorizuar në mënyrë të planifikuar, edhe me ndihmën e specialistëve të fushës pedagogjike. Por më përpara duhet favorizuar rilidhja e ngushtë ndërmjet mësuesve e prindërve.

Para së gjithash - shpjegoi Papa - duhet hequr dorë nga mendimi se palët i kundërvihen njëra-tjetrës, nga fajsimi reciprok. Përkundrazi, duhet të vihen në vendin e njëra-tjetrës, duke u munduar t’i kuptojnë vështirësitë objektive, për të krijuar, kështu, më shumë solidaritet.

Shkolla të promovojë kulturën e takimit

Papa u kërkoi mësuesve katolikë të promovojnë kulturën e takimit, të formojnë të rinj  me zemër të hapur, pa paragjykime, larg çdo shprehjeje agresiviteti. Mësuesët e krishterë, si ata që punojnë në shkollat katolike, ashtu edhe në ato shtetërore, janë të thirrur t’i nxisin nxënësit ta trajtojnë njëri-tjetrin me zemër të hapur, si vëlla a si motër, ta njohin e ta respektojnë njëri-tjetrit, ashtu siç është: me fytyrën, historinë, të mirat e të metat, pasuritë e kufizimet.

Jo, agresivitetit ndaj atij, që është i huaj, ose i ndryshëm!

Duhet bashkëpunuar për formimin e të rinjve me zemër e horizont të hapur, të interesuar për realitetin që i rrethon, të aftë për kujdes e dhembshuri - mendoj për bulizmin - të çliruar nga paragjykimi i përhapur, sipas të cilit, për të pasur vlerë, duhet të kesh aftësi, agresivitet, të mbash qëndrim të ashpër ndaj të tjerëve, sidomos ndaj atij që është i huaj, ose  pengesë për realizmin e dëshirës që të dalësh mbi të tjerët. Kjo - tha me keqardhje Papa - është atmosfera në të cilën jetojnë shpesh fëmijët e të rinjtë tanë. E pashëndetshme. Duhet të thithin ajër tjetër, më të pastër, më njerëzor!

Edukim me ecologji të gjithanshme, jo skizofrenike  

Domosdoshmëria e edukimit ekologjik, ishte një porosi tjetër, që u dha Papa mësuesve katolikë gjatë audiencës, duke u kujtuar enciklikën e tij “Lëvduar qofsh”. Nuk bëhet fjalë vetëm për t’u dhënë disa nocione, që natyrisht duhen mësuar-  shpjegoi Françesku - Duhen edukuar me një stil jete, të bazuar mbi frymën e kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët, që është gjithësia. Stil jete, i cili nuk duhet të jetë skizofrenik, siç ndodh kur tregohet kujdes i tepruar për kafshët e harrohen fare njerëzit nevojtarë, sidomos pleqtë. Ose kur çohesh peshë ‘për të mbrojtur pyllin amazonik’, e i harron fare punëtorët, të cilëve u mohohet paga e drejtë. Gjë që quhet shfrytëzim. E sidomos - nënvizoi Papa - duhet edukuar ndjenja e përgjegjësisë: jo me  slogane, që  duhet t’i realizojnë të tjerët, por duke ngjallur shijen e etikës ekologjike, duke nisur nga gjestet e jetës, nga stili i jetës së përditshme. Stil sjelljeje, që në perspektivën e krishterë e gjen kuptimin e përligjjen në lidhjen me Zotin krijues e shëlbues, me Jezu Krishtin, qendër e kozmosit dhe e historisë, me Shpirtin Shenjt, burim i harmonisë në simfoninë e gjithësisë.

Inkurajimi për shoqata

Françesku përfundoi duke i nxitur mësuesit katolikë të mos kenë frikë nga larmitë e nga konfliktet, që ndeshen normalisht në shoqatat laikale e t’i përballojnë me stil ungjillor, duke e bërë  të frytojë talentin, që iu besua duarve të tyre.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.