Në emisionin e sotëm, këshilla e dhjetë dhe e fundit e Papës Françesku për të rinjtë,
cikël, që e kemi filluar para më se dy muajsh, si zakonisht, për çdo të enjte. Gjatë
mbrëmjes së lutjes në Ditën Botërore të Rinisë, më 30 korrik 2016, Ati i Shenjtë u
tha të rinjve të shohin brenda vetes, në shpirtin e tyre, sepse çdo ndryshim i jetës
fillon pikërisht prej tyre. E na duket edhe këshillë e mirë për këtë fillim viti,
në të cilin çdokush, pasi bën bilancin e vitit të sapokaluar, i vë vetes përpara detyra
të reja. Të fillosh nga vetvetja është mënyra më e mirë për t’i realizuar ato. Por,
le t’ia japim fjalën Papës Françesku:
“Përmes
jush – u thotë Bergoglio të rinjve – hyn e ardhmja në botë. Juve ju kërkoj të jeni
protagonistë të këtij ndryshimi. Shkunduni nga apatia, duke u dhënë përgjigje të krishterë
shqetësimeve shoqërore dhe politike, që po duken në anë të ndryshme të botës. Ju kërkoj
të jeni ndërtues të botës, të viheni në punë për një botë më të mirë. Të dashur të
rinj – vijon Ati i Shenjtë – ju lutem, mos ‘e shikoni nga ballkoni’ jetën, hyni në
të, zhytuni në të, siç bëri Jezusi.
Megjithatë,
mbetet pyetja: nga t’ia fillojmë? Kujt t’i kërkojmë ta fillojë këtë ndryshim? Një
herë, e pyetën Nënë Terezën çfarë dëshironte të ndryshonte në Kishë e nga duhej filluar.
‘Nga mua dhe ty!’ u përgjigj ajo. Sot, po ia vjedh këto fjalë e po ju them: le të
fillojmë ndryshimet! Nga t’ia fillojmë? Nga mua e nga ty! Secili, edhe një herë, në
heshtje, le ta pyesë veten: nëse duhet t’ia filloj nga vetveteja, nga çfarë t’ia nis?
Secili le ta hapë zemrën që Jezusi t’i thotë nga t’ia nisë”.